Selmanaj: Rikthimi i PAN-it në pushtet do të ishte dhurata më e keqe që VV-ja do t’ia bënte popullit

15 January 2020 23:39
00:08

Driton Selmanaj nga LDK-ja, ka thënë se Vetëvendosja mund ta rikthejë PAN-in në pushtet, nëse nuk arrin ta bëjë qeverinë.

Ai ka thënë se kjo do të ishte dhurata më e keqe ndaj popullit të Kosovës.

“Në aspektin teorik, PAN-i mund të rikthehet bashkë me minoritete për të marrë sërish qeverinë. Ky do të ishte lajmi më i tmerrshëm për Kosovën nëse do të ndodhte. Prandaj VV-ja duhet të jetë më koshiente karshi kësaj, sepse ne u kemi thënë njerëzve se do ta largojmë PAN-in dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka thënë se PDK-ja nuk është fare opsion. Por, nëse PAN-i do të kthehej në Qeveri, do të ishte një dhuratë nga VV-ja, një dhuratë e tmerrshme për popullin e Kosovës. Nëse e ndajmë fajin, atëherë është 90 me 10 për LVV-në”, deklaroi Selmanaj në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, Vetëvendosje s’do të dilte më e para. Selmanaj ka thënë se nëse gjithçka del njëjtë e prapë VV-LDK prijnë, situata do të vinte sërish në ngërç.

“Nëse shkojmë në zgjedhje e është situata e njëjtë vijmë në këtë ngërç. Nëse mendojnë se e kemi sa për të ndërruar partnerin, e kanë gabim. Më mirë tash le të bëjnë e jo të presin për më pas. Tash këtë mundësi e ka VV-ja. Nëse dëshirojnë koalicion me PDK-në mos ta torturojnë popullin po le të hyjnë tash. Nëse shkojmë e del njëjtë në afatin më të mirë do të kemi qeveri në qershor. Ku është ideja atëherë”, ka thënë ai.

00:01

Selmanaj: VV-ja s’ka kapacitete për të menaxhuar MPB-në, LDK-ja ka dhjetëra emra

Sipas deputetit të LDK-së Driton Selmanaj, Vetëvendosje nuk ka kapacitete të duhura për të menaxhuar Ministrinë e Punëve të Brendshme. Për dallim nga kjo, ai ka thënë se në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka dhjetëra emra që mund të menaxhojnë me këtë ministri.

“MPB-ja u zgjodh në negociata për vetëm 20 sekonda. Pse të bëhet presion pse LDK-ja zgjodhi këtë ministri. Pse nuk bëhet pyetje pse Vetëvendosje zgjodhi ministrinë e Financave, atë të Jashtme? Unë mendoj se VV-ja madje s’ka kapacitete fare për të menaxhuar MPB-në. LDK-ja ka dhjetëra emra që presin në listë, unë për shembull, Armend Zemaj, Shkëmb Manaj. Pse ne nuk mund të jemi ministra? Çka kanë më shumë njerëzit e VV-së? S’po them që kam ambicie për atë ministri, vendos partia, por po flasim në mënyrë racionale”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK-ja është thirrur më shumë në luftën anti-korrupsion për dallim nga VV-ja. E ka quajtur të frikshme idenë e VV-së që të marrë ministrinë e Brendshme dhe atë të Drejtësisë.

“Tendenca për t’i marrë ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë më frikëson, sikur tendencë për të vënë regjim jodemokratik në Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se LDK-ja po pret përgjigje zyrtare nga VV-ja për ofertën e fundit. Ka shtuar se nëse kjo ofertë nuk pranohet atëherë LDK-ja “më s’do të kishte rol të partnerit serioz, por do të ishte vetëm aksesore”.

“Kërkesa jonë është tejet gjeneroze. Është vlerësim edhe i të tjerëve. Për hir të asaj shprese që ngjallëm në Kosovë, e për gjërat që i bëmë bashkë për dy vjet në opozitë më mirë është VV-ja të reflektojë e respektojë kërkesat tonë se të ruajë një person të vetëm. Duhet ky koalicion të ndodhë në bazë të propozimit tonë. Është i fundit. Nëse heqim dorë atëherë LDK-ja s’është partnere serioze më, është aksesore. Kanë tendencë për pushtet absolut. E kanë gabim nëse mendojnë që dikush me vetëm një deputet më pak mund të jetë bisht”, ka deklaruar më tej ai.

23:57

Selmanaj: Publikimet e detajeve të takimeve nga VV-ja vijnë si pasojë e mosdijes e naivitetit të tyre

Driton Selmanaj, deputet i zgjedhur i LDK-së, në Interaktiv të KTV-së, tha se nuk ka gjë të keqe nëse një president vjen me marrëveshje politike. Kjo pasi që, siç tha ai, e kemi pasur rastin e Atifete Jahjagës, e cila ka qenë jo-politike, por që, sipas tij, “dihet qasja ndaj saj”.

“Me sistemin politik që e kemi, s’mund të zgjidhet presidenti ndryshe, përpos me marrëveshje politike. E patëm një president konsensual, zonjën Jahjaga, dhe e dimë qasjen e partive politike ndaj saj, respektin ndaj saj, ose autoritetin e saj në proceset politike që kalonte Kosova. Duhet parë normale që postet e mëdha duhet të vijnë përmes marrëveshjeve politike. Ne po themi që duhet të kemi kujdes që asnjë nga partitë në Kosovë të mos ketë pushtet absolut, të mos i marrë tri institucionet kryesore sepse kjo mundësia pastaj për abuzim është e madhe”, tha Selmanaj, duke shtuar se “kur e ke pushtetin absolut, mundësia për me abuzu me pushtetin është shumë e madhe”.

Selmanaj tha se gjatë opozitarzimit me LVV-në patëm dëshmuar se na bashkonin shumë ideale të përbashkëta për ta luftuar të keqen në Kosovë, por tha se “për çudi, për çështje krejtësisht sipërfaqësore, s’po shohim gatishmëri nga LVV-ja”.

“Ata po na akuzojnë neve, e ne nuk po i akuzojmë ata. Na kanë sulmuar pa të drejtë, është anatemuar LDK-ja në këtë kohë të fundit. Nëse të tjerët sulmojnë dhe ti nuk sulmon, dikush mund të të quajë viktimë e dikush ta quajë maturi të skajshme politike. S’kemi dashur ta bëjmë betejë publike mosmarrëveshjen eventuale. Një partneritet aq të madh që e kishim në opozitë, ta prishin kaq shpejt nëpër studio televizive, me video nëpër rrjete sociale… për neve ka qenë e habitshme. S’kemi menduar që Kurti me neve komunikon përmes studiove televizive e Facebookut. Në një vend demokratik, kështu nuk funksionon. Kjo nuk është transparencë. Transparencë është marrëveshja përfundimtare mes nesh, por jo bisedimet mes partnerëve. Ne s’kemi thënë asgjë për ta, s’kemi nxjerrë asnjë detaj nga takimet me ta – jo se s’ka pasur momente komike edhe nga ta. Mund të publikohen më vonë memoare, pas 10 vitesh nxjerrin sekrete, por jo të publikohen detajet e takimeve të mëngjesit, në mbrëmje dhe na ftonin të nesërmen në takim sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Ne mendojmë që pavarësisht kësaj, sepse kjo mund të jetë ndoshta edhe si mungesë e përvojës së tyre, e s’po e them që mund të ketë qenë e qëllimshme, por më shumë si pasojë e mosdijes e naivitetit të tyre, përsëri duhet t’i japim shans që kjo çështje duhet të ndodhë, sepse ne i kemi rritur shpresat te njerëzit se jemi shpresa. Edhe unë kam pritur se do të ndodhë bashkëpunimi me ta. Por, për fat të keq, tash kemi shumë pikëpyetje, por akoma me shumë pikëpyetje sepse është thyer një besim që kishim menduar se e kishim ndërtuar si opozitë”, tha Selmanaj.

Sipas tij, fillimi i “thyerjes” mes dy partnerëve ka ndodhur gjatë një interviste të parë të Glauk Konjufcës në media.

“Intervista e parë e Konjufcës ka qenë shok për LDK-në, dhe kemi thënë: ‘a kështu e paskemi ndërtuar partneritetin për 2 vite me ta, a? A kjo qenka mënyra se si do të qeverisim me ta? A mos nesër për një vendim qeverie, më përpara e marrim vesh nga TV-ja sesa nga takimet tona?’ Më pas, u vazhdua ajo thyerje edhe më 26 dhjetorin. Ka qenë sjellje e papërgjegjshme dhe e njëanshme e VV-së. Propozimi i tij për ne ka qenë i papranueshëm. Ne vendosëm si LDK, që të mos shndërrohemi si bllokues siç na akuzuan, e që nuk ishim por ishte VV-ja, atëherë ne e votuam Konjufcën. Madje ne e kemi dhënë edhe emrin tonë për kryeparlamentar. Ne nuk kërkonim që kandidati i LDK-së të zgjidhej për president, por vetëm zotim të votave të tyre”, u shpreh Selmanaj nga LDK-ja.

“Në takimin e parë, u patëm marrë vesh që të mos flasim asgjë në televizion deri në marrëveshjen përfundimtare. Por, kështu nuk ndodhi nga partneri ynë”, tha ai.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Albulena Haxhiut dhe Liburn Aliut që në Rubikon thanë se zgjedhjet janë opsion, Selmanaj tha se duhet pritur Kurtin.

“Pritni ta dëgjojmë zotin Kurti dhe qëndrimin e tij”, tha Selmanaj.

23:39

Selmanaj: VV-ja po dëshiron pushtet absolut, përfshirë presidentin

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, ka thënë se Vetëvendosje po dëshiron pushtet absolut në Kosovë, përfshirë edhe postin e presidentit, që po kërkohet nga LDK-ja.

Sipas tij, refuzimi i VV-së që të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit, qoftë edhe për një vit sipas ofertës së LDK-së, tregon se kjo parti po dëshiron të udhëheqë me të gjitha postet kryesore në vend.

Ai ka thënë se Vetëvendosje ka bërë vazhdimisht përpjekje që të mos lejojë LDK-në të marrë postin e presidentit.

Selmanaj e ka quajtur pazar ofertën e VV-së që të rritet numri i ministrive vetëm që të mos heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit. Ai ka thënë se me këtë po kopjohen qeveritë e shkuara.

“Idetë për të rritur numrin e ministrive, apo për të hyrë në pazare të tilla kam përshtypjen se po kopjojmë qeveritë e shkuara. Për neve është joserioze kjo ofertë sepse nuk mendojmë se me numrin e ministrave pushteti balancohet. Për ne ka një fitues relativ të zgjedhjeve. S’ka absolut. Fituesi relativ s’mund të ketë pushtet absolut, por të balancuar. Këtë po e kërkojmë. Ka tendencë VV-ja të një rrëshqitje drejt një pushteti absolut. Sepse e merr kryeministrin, kryeparlamentarin thotë se nuk e preki se e kemi zgjedh e për presidentin thotë se duhet të shteren të gjitha mundësitë për kandidatin konsensual e pastaj LDK-ja jep propozim e më pas shkon te VV-ja, e tash doli që nëse nuk zgjidhet presidenti nga VV-ja na japin edhe një ministri. Do të thotë ata e duan edhe presidentin. Kjo tregon tendencë të tillë e do të thotë LDK-ja do të ishte aksesor, pjesë përbërëse por jo e rëndësishme. Përpjekja e VV-së është që të mos i takojë presidenti LDK-së. Ka përpjekje që institucionet politike t’i depolitizojmë, por kështu nuk shkon”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, publikimi i ofertës së LDK-së përmes rrjeteve sociale, duke i kërkuar postin e kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e presidentit, e që sipas ofertës, duhet të jetë propozim i LDK-së, u bë me qëllimin që t’i përgjigjet politikës së njëjtë që bëri VV-ja me publikimin e ofertave.

“Sot vendosëm ta bëjmë publike, përndryshe oferta ishte më 8 janar. Tash besoj e keni kuptuar se kultura politike e LDK-së ka qenë që çështjet që diskutohen në tavolinë të mos bëhen përmes rrjeteve sociale. Kjo s’ishte oferta e parë. Prej certifikimit të rezultateve, ka pas numër të madh të ideve se si mund të ecim tutje. Madje me kërkesë të VV-së kemi vendosur që të gjitha të mbesin në konfidencë, por ata vendosën diçka tjetër. Njëanshëm vendosën që partneritetin me LDK-në ta ndërtojnë duke tentuar përmes studiove televizive ta bijnë në pozitë të dëmshme LDK-në. Duke nxjerrë nganjëherë edhe të pavërteta. Ata kishin vendosur ashtu. Ne si LDK deri vonë, ndoshta deri sot patëm vendosur që këto çështje të mos jenë objekt i trajtimit në media. Edhe sot mendojmë se ka hapësirë për negocim por sot vendosëm ta publikojmë pas tyre. Kjo është oferta më gjeneroze që LDK-ja ka pasur që nga fillimi i negociatave e për LDK-në kjo duhet të pranohet. S’ka arsye të mos pranohet”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme