Arbëri

Ahmeti shfajësohet për çështjen e ndërtimeve në Badoc - fton për presion ndaj MMPH-së

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komuna e Prishtinës, po ia hedhin fajin njëra-tjetrës, rreth lëshimit të kushteve për ndërtim afër Liqenit të Badocit.

MMPH-ja ka deklaruar se në asnjë mënyrë nuk e ka obliguar komunën të veprojë kundërligjshëm në lëshimin e kushteve ndërtimore, raporton KTV.

Kjo ministri, përmes një sqarimi të mërkurën pasdite, ka thënë se, përkundrazi, e ka obliguar komunën që këtë ta bëjë në përputhje me Planin zhvillimor komunal i cili është në fuqi, vendimin e Qeverisë të datës 24 prill 2013 dhe Udhëzimin administrativ të Ministrisë për kushtet ndërtimore.

“Në asnjë mënyrë, MMPH-ja, në vendimin e evidentuar për shqyrtimin e çështjes administrative juridike sipas të ankimuarit, nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës, të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, por, përkundrazi, bazuar në këto vendime, MMPH-ja ka obliguar Komunën e Prishtinës që të veprojë sipas: Planit Zhvillimor Komunal i cili është në fuqi; Vendimit të Qeverise se Kosovës Nr. 16/127 dt. 24 04 2013 për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse të burimit Ujor përreth Liqenit të Badocit; Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushtet Ndërtimore dhe Lejen Ndërtimore dhe Leje-rrënimi për Kategorinë I dhe II të ndërtimeve”, ka thënë MMPH-ja.


Tutje, në sqarim thuhet se të hënën, ministri Matoshi, përmes një shkrese, ka kërkuar nga komuna informacione rreth këtij rasti. E, në mungesë të përgjigjes, MMPH-ja ka angazhuar inspektorë për t’i verifikuar dokumentet e lëshuara nga komuna.


Aty, gjithashtu, paralajmërohet komuna se do të merren masa ndaj saj nëse ka bërë ndonjë shkelje.

“Komuna akoma nuk ka kthyer përgjigje, andaj MMPH-ja sot ka angazhuar inspektorët e saj që ta vizitojnë Komunën e Prishtinës dhe të verifikojnë dokumentet e lëshuara lidhur me rastin në fjalë dhe t’ua bëjnë me dije se në çfarëdo rasti ku ka shkelje eventuale, do të ndërmerren masa meritore”, ka shtuar MMPH-ja.

Derisa Plani zhvillimor komunal parasheh që në këtë zonë të ketë ndërtim, një dokument tjetër i Komunës së Prishtinës, Plani Rregullues i Prishtinës së Re - Zona Lindje, e sheh gjelbërim. Të dyja këto dokumente, sipas të parit të Prishtinës, janë miratuar në vitin 2013.

Kryetari Shpend Ahmeti, në një intervistë dhënë për emisionin “038”, para sqarimit të MMPH-së, ka thënë se do ta mbrojë Badocin, porse presioni duhet bërë në Ministri, që të mos jepet pëlqimi mjedisor.

Ahmeti, megjithatë, ka thënë se për të dhënë leje ose jo, duhet ndjekur ligjet në fuqi duke potencuar se kushtet nuk garantojnë se do të jepet leja ndërtimore.

“Nuk besoj se do të ketë aplikim për leje fare”, ka thënë ai.

Në intervistën dhënë KTV-së, Ahmeti ka treguar se zona e shpallur si peizazh i mbrojtur, nuk e përfshin lokacionin në fjalë.