67-vjeçari Ismet Emini u mbijetoi plagëve që kishte marrë në kraharor dhe në këmbë para 21 vjetësh në masakrën e Reçakut.
Por, tmerri i 15 janarit të 1999-s, i ka mbetur para syve e nga dhimbja Emini thotë që nuk ka për t’u shëruar kurrë, raporton KTV.
Emini është i zhgënjyer me institucionet e vendit, për të cilat thotë se kanë mbetur në heshtje karshi mohimeve të liderëve serbë për masakrën që bëri kthesë të madhe.
Me kalimin e viteve, dhimbja sa është shtuar edhe për Ramë Shabanin, të mbijetuarin tjetër të masakrës.
Shabani, i cili humbi vëllain dhe 11 anëtarë tjerë të familjes, thotë se kujtimi për ta po e mban gjallë.
Në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, familjarët kërkojnë drejtësinë, sipas tyre, të vonuar.
Të mërkurën, më 15 janar, shënohen 21 vjet nga ofensiva ku u masakruan e u vranë 45 civilë.
Imazhet e dokumentuara të kësaj masakre i treguan botës për tmerrin që po kalonin kosovarët dhe i hapën rrugë intervenimit të NATO-s.
Prokuroria Speciale e Kosovës për këtë masakër nisi hetimet vitin e kaluar, derisa në vitin 2001 nga Gjykata në Prishtinë ishte gjykuar serbi Zoran Stanojoviq.