Arbëri

Kardiokirurgët që u larguan nga QKUK-ja punësohen në Spitalin Amerikan, reagon SHSKUK-ja

Dy kardiokirurgët Raif Çavolli e Arbër Kutllovci, pasi hoqën dorë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, janë punësuar në Spitalin Amerikan.

Lajmi është bërë i ditur dje nga po ky spital, i cili përmes një postimi në Faceobok jep detaje për punën e tyre.

Por sot gjatë ditës ka reaguar Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, që thotë se u vërtetua se ata lanë punën për t’u punësuar në spital privat.

“Vërtetohet se dy kardiokirurgët lanë punën për angazhim në spital privat. Ashtu siç kishte deklaruar dhe paralajmëruar më parë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, arsyet e vërteta pse dy mjekët specialistë kardiokirurgë lëshuan punën në QKUK, ishte angazhimi i tyre në një spital privat, e që tashmë është vërtetuar nga ky spital. Për qëllime biznesore dhe personale, u veprua për ta dëmtuar imazhin e ndërtuar me punë dhe mund nga ana e QKUK-së, për Klinikën e Kardiokirurgjisë. Janë për çudi dhe habi, deklarimet e pa matura të disa deputetëve dhe politikanëve që dolën me deklarata të pa vërtetuara dhe pa verifikuar paraprakisht situatën reale”, thuhet në reagimin e SHSKUK, transmeton Koha.net.

SHSKUK, thotë se ka përkrahur dhe përkrahë mjekët që aftësitë e tyre profesionale t'i aplikojnë në praktikë, “por nuk do të lejojë që të dëmtohet imazhi i institucionit për përfitime të individëve të caktuar, që në plan të parë kanë përfitimet personale dhe jo ato institucionale”.

 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Arbër Kutllovcit, i cili edhe pati akuza të rënda për Klinikën e Kardiokirurgjisë e shefit Adem Grbolar, ditën kur njoftoi për dorëheqje.

LEXO EDHE: QKUK thotë se dy kardiokirurgët u larguan vetë, njëri thotë për shkak të ambientit përçarës

Ndërsa sot, po ashtu përmes një reagimi në Facebook, shkruan se “Kjo lojë e ndytë dhe e pacipë që bëhet në drejtim të Kardiokirurgëve që kanë dhënë dorëheqje për shkak të pengesave në ushtrimin e profesionit (të cilat pjesërisht i kam cekur në shkrimin e mëhershëm), nuk mund të qëndroj indiferent pa reaguar”, shkruan Kutllovci.

Më poshtë, lexojeni edhe reagimin e tij të plotë

Për çfarë suksesi dhe imazhi po flitni?

Ju e keni krijuar këtë imazh?!..

-Për çfarë suksesi po flitni?

Ju e keni bërë suksesin?!..

-Për çfarë përfitime po flitni?

Ju apo ne kemi përfituar?!

Tani po shtoj dyshimet e mija që keq-udhëheqja në Kardiokirurgji e paska pas bekimin e juaj si udhëheqësi e QKUK-së.Paskam qenë naiv që kam besuar se vetëm shefi i repartit Adem Grbolar spaska ditë me udhëheq dhe ka udhëheq gabim qëllimisht...

Dalja ime është bërë me vetëdëshirë.Vetëdëshira ka lind nga injoranca që ka krijuar kjo udhëheqje e kësaj Klinike.

Imazhin e mirë "besoj" që ju e keni krijuar duke realizuar këto operime:

-Valvulen e parë biologjike, ndërrimin e valvulave me metoda minimale invazive, dy valvula, operacione të kombinuara dhe komplekse, disekacionin akut, etj etj.

D.m.th imazhi është krijuar nga mortaliteti i ulët që keni krijuar ju në vitin 2019 ?!

Dallimi qëndron këtu:

-Arbër Kutllovci në vitin 2019 ka kryer afërsisht 45 operime. Ka realizuar operimet më komplekse në Kardiokirurgji.Ka përfunduar vitin 2019 me 0% mortalitet në raste elektive tejet komplekse.

-Njeriun që ju e paskeni përkrahur në vitin 2019 ka kryer më shumë se une operime.Ka realizuar operime super-selektive.Ka përfunduar vitin 2019 me mbi 20% mortalitet në raste elektive tejet selektive.

Sigurisht unë për "përfitime të ulëta" e kam rrënuar këtë imazh gjatë gjithë kohes, ndërsa ju për "çështje kombëtare" me punen e juaj dhe vartësve tuaj keni ngrit këtë imazh.

...Oh të mjerë keni menduar që unë nuk duhet të punoj, nuk duhet të jetoj...oh ju njoh të gjithëve ju njoh...mjerë ky vend e mjerë ata pacient në dorë të kujt kanë mbet...oh ju njoh të gjithëve ju njoh...

Kardiokirurgjia ka një staf të mrekullueshëm brenda dhe që keq-udhëheqet e dhunohet çdo ditë nga padijenia e cila sjell injoranc të pa-parë e të pa-ndëgjuar ndonjëherë!

Të shpëtohet Kardiokirurgjia nga Injoranca!