Arbëri

2023-a s’premton ndryshime në arsim

Krahas pasojave të shkaktuara nga greva e vitit 2022, arsimit gjatë 2023-s do t’i barten telashet me infrastrukturën e pamjaftueshme shkollore dhe ato me vlerësimin e mësimdhënësve. Raporte të ndryshme ndërkombëtare mbi arsimin e shtruan në vazhdimësi nevojën për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënësve. E ai i Komisionit Evropian (KE) për 2022-n e kualifikoi të paktë përparimin drejt reformës në arsim

Nxënësit që më 2022-n i humbën dyzetedy ditë mësimore, si pasojë e grevës në arsim, rrezikojnë të mbesin larg bankave shkollore edhe më 2023-n, po qe se Ligji për Paga, i miratuar në dhjetor, sfidohet në Gjykatën Kushtetuese. Vënia e tij nën “llupën” e Kushtetueses u paralajmërua nga Partia Demokratike, shkaku i mospërfshirjes së koeficientit për paga. Krahas sfidës ligjore, në të 2023-n pritet të barten edhe pasojat e tjera të grevës në arsim. Moskompensimi i orëve të humbura mësimore gjatë së shtunave e shtroi nevojën e përpilimit për herë të tretë të Kalendarit për vitin shkollor 2022-2023.

I premtuar për 2022-n, procesi i vlerësimit të mësimdhënësve mbeti në fazë të grupeve punuese. U hap gjatë vitit konkursi për rekrutimin e 20 nga 30 inspektorët e kërkuar të rinj për jetimin e gjithë procesit, e epilogu i tij pritet të bartet për 2023-n.

Projektligji për Edukimin e Hershëm, që e bën obligativ nivelin parafillor për 5-6-vjeçarët që nga viti shkollor 2023-2024, i shpërfaqi telashet me infrastrukturën shkollore. Planprogrami për arsimimin parashkollor e parasheh zhvillimin e mësimit nëpërmjet aktiviteteve, për të cilat nevojiten hapësira të gjera. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ndau mbi 27 milionë euro për investime kapitale në vitin 2023. Por funksionalizimi i tyre parashihet të zgjasë të paktën edhe dy vjet.

Universiteti i Prishtinës zgjodhi rektor të ri. Shkarkimi i Naser Sahitit nga posti nga Këshilli Drejtues me justifikimin e performancës së dobët, e solli Qerim Qerimin në krye të UP-së. E institucionin më të madh të arsimit të lartë publik në Kosovë, gjatë 2022-s, e përcollën akuzat për vjedhje të punës akademike. Shqetësuese u vlerësuan dënimet e buta që Këshilli i Etikës ua shqiptoi profesorëve plagjiatorë.

Sistemi u vlerësua po ashtu i ngadaltë në jetësimin e reformave. Raporti i Komisionit Evropian (KE) për 2022-n nxori në pah progresin e paktë në reformimin e sistemit arsimor, krahasuar me gjetjet nga ai i një viti më parë.

Në grevë pas grevës?

Mësimin e shkronjave dhe numrave të parë, filloristët e 2022-s e nisën në tetor. Shtatori e java e parë e tetorit i gjeti larg bankave më shumë se 300 mijë nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme, si pasojë e grevës në administratën publike dhe arsim, të nisur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura (BSPK) në gusht e së cilës iu bashkua edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK).

Kërkesë e grevistëve ishte rritja prej 100 eurosh në paga mujore deri në zbatimin e Ligjit për Paga që ende s’ishte miratuar. Nga Qeveria ofrohej opsioni i shtesave mujore prej 50 eurosh për tre muaj, porse alternativa nuk pranohej në sindikata.

Betonimi në qëndrime e komplikoi gjetjen e një zgjidhjeje për krizën. Nuk patën ndikim as thirrjet e adresuara nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, e as një takim trepalësh me kryesindikalistes evropiane për arsim.

Kthimi i nxënësve në shkolla më 1 tetor, pas një muaji e një jave vonesë, u mundësua me pezullimin e grevës deri më 1 janar 2023. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MASHTI) e përpiloi më pas kalendarin e ri për vitin shkollor 2022-2023, për të përfshirë zëvendësimin e 42 ditëve të humbura mësimore. Por as në SBASHK dhe as në këshillin e prindërve nuk u pajtuan që kompensimet të bëheshin gjatë fundjavave. Një numër i vogël i prindërve i dërguan fëmijët në shkollë të shtunave.

Në fillimin e dhjetorit, në SBASHK u përsërit paralajmërimi për mundësinë e rikthimit në grevë.

“Nëse miratohet ligji, do ta kemi shumë më të lehtë janarin, sepse kur Ligji i Pagave mungon, atëherë telashet shtohen. Por nëse do ta kemi këtë ligj të përkrahur, duke i parë ato fjalë të mëdha që i ka thënë ministrja Nagavci, atëherë kërkesa për vazhdimin e grevës do të jetë minimale”, tha kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

Festime Sijarina-Luta, mësimdhënëse në shkollën fillore e të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë, rikthimin e grevës e kualifikoi me pasoja të parikuperueshme për sistemin arsimor.

“Rikthimi i grevës e vë në kolaps sistemin arsimor në vendin tonë. Po flasim për një sistem arsimor, i cili ka nevojë urgjente për reformime e përmirësime në të gjitha fushat”, tha ajo tek kërkoi që të merren të gjitha masat për parandalimin e veprimeve sindikale që do t’i linin nxënësit përsëri nëpër shtëpi.

Ligji për Paga e mori miratimin e 63 deputetëve të Kuvendit në mes të dhjetorit. Bazuar në afatet procedurale, parashihet që në fuqi të hyjë në shkurtin e 2023-s. Pakënaqësi me përmbajtjen e tij nuk u shprehën në SBASHK. Por qëndrim ndryshe patën në sistemin e drejtësisë. E kualifikuan “të papranueshëm”, ngase i prekte në xhep punonjësit e drejtësisë, me uljen e paraparë në paga. Vërejtje u shprehën edhe në Partinë Demokratike (PDK). E paralajmëruan dërgimin e tij, si dhe të Ligjit për Zyrtarë Publikë për interpretim në Kushtetuese sherri i mospërfshirjes së koeficientit të pagave.

Nëse dërgohet në Gjykatë, kjo do të ishte hera e dytë që Ligji për Paga vihet nën “llupën” e Kushtetuese. Të parën herë, në qershorin e 2020-s, Projektligji qe shpallur i pavlefshëm, pasi 11 nenet e tij dolën të mos ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Bazuar në përvojat me disa raste të mëhershme, funksionalizimi i Ligjit mund të mos bllokohet në tërësi porse në vlerësim të vihen vetëm nenet e kontestuara. Kësisoj pati ndodhur më 2012 me Ligjin për Shëndetësinë, kur ishin pezulluar 4 nene përderisa pjesa tjetër e legjislacionit ishte zbatuar.

Vlerësimi i mësimdhënësve, zotim i papërmbushur

Kur mësimi filloi në tetor, nxënësit e një klase u pritën me fletushka të punuara nga mësimdhënësja. Në dy fjalitë e saj, fjalët “gjithmonë” dhe “klasën” u shkruan pa shkronjat “ë”.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare mbi arsimin në Kosovë e shtruan vazhdimisht nevojën për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënësve. Ai i Komisionit Evropian (KE) për 2022-n e pati potencuar të paktë përparimin drejt reformës në arsim, krahasuar me gjetjet nga raporti paraprak.

“Reforma ka ngecur për shkak të mungesës së teksteve të përshtatshme, materialeve mësimore dhe skemave të zhvillimit të qëndrueshëm profesional për mësuesit. Ministria duhet të marrë parasysh jo vetëm ndryshime legjislative, por edhe për rritjen e kapaciteteve të inspektoratit arsimor”, thoshte raporti i KE-së.

Në Ministrinë e Arsimit u dha zotimi që procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve të niste më 2022. Procesi ndodhet ende në fazën e grupeve punuese, të formuara mbi pesë muaj më parë, për rishikimin e udhëzimit administrativ mbi vlerësimin. Nuk u mor asnjë veprim konkret mbi zbatimin e legjislacionit. Justifikim u dha mungesa e inspektorëve pedagogjikë. U hap konkurs për pranimin e 20 inspektorëve pedagogjikë, e jo 30 sa ishte zotimi. Numri u vlerësua i pamjaftueshëm për ta bërë vlerësimin e mbi 22 mijë mësimdhënësve në nivel vendi. Për rrjedhojë, Ministria planifikon që kompetencat e vlerësimit t’ua bartë shkollave – prej drejtorëve e deri te mësimdhënësit. Angazhimin e mësimdhënësve në proces vlerësimi, në ministri e interpretuan si mundësi për plotësimin e normave.

E nevojshme për procesin u vlerësua edhe përfshirja e prindërve në konsultimet për përpilimin e legjislacioneve të praktikueshme dhe të efektshme. E prindërit as nuk u përfshinë dhe as nuk u konsultuan.

Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, thotë të mos jetë ftuar asnjëherë nga ministria për pjesëmarrje në diskutime.

“Në një projekt të Teach Kosova, që është duke punuar për këtë, kemi qenë të përfshirë, por jo nga Ministria”, ka treguar Demi.

Pjesë e grupeve punuese ndërkaq ishin anëtarët e SBASHK-ut, që e kërkuan rritjen e numrit të hospitimeve nga inspektorët dhe që përcjellja e orëve mësimore të bëhet pa paralajmërime.

Infrastrukturë e munguar për parafilloristë

Nisur prej vitit shkollor 2023-24, me projektligjin për Edukim të Hershëm parashihet që niveli parafillor për 5-6-vjeçarët të bëhet obligativ. Projektligji kaloi në lexim të parë gjatë shtatorit e pritet ta marrë miratimin përfundimtar në shkurtin e 2023-s. Por përfshirja e fëmijëve në edukim të hershëm përcillet me sfida. Bazuar në të dhënat e MASHTI-t, vetëm 19.5 për qind e fëmijëve 0-6 vjeç janë të përfshirë në edukimin e hershëm. Mesatarja e kërkuar prej OECD-së, organizatë kjo që promovon politika për përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të njerëzve, është 86 për qind.

Sfidë tjetër përbën infrastruktura shkollore në zonat urbane.

Në Komunën e Fushë-Kosovës, shkollat janë të mbipopulluara përderisa parafillori i obligueshëm do të ndikojë në rritjen e numrit të nxënësve në klasa. Në shkollën “Halil Alidema” në fshatin Pozhoran të Vitisë, mësimin në një dhomë me madhësi prej rreth tri metrash katror e vijojnë mbi 50 nxënës. Punimet për ndërtimin e një objekti të ri patën nisur qysh më 2016, porse shkaku i ankesave të operatorëve ekonomikë për parregullsi me tenderin, lënda përfundoi në shqyrtim te Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Planprogrami për arsimimin parashkollor e parasheh zhvillimin e mësimit nëpërmjet aktiviteteve, për të cilat nevojiten hapësira të gjera. Ministria ndau mbi 27 milionë euro për investime kapitale në vitin 2023. Shuma u nda për krijimin e hapësirave të reja në 31 institucione që përfshijnë elementin parafillor. Funksionalizimi i tyre parashihet të zgjasë të paktën dy vjet.

Dënimet e buta për plagjiatorët

Krahas grevës, telasheve me infrastrukturën dhe me vlerësimin e mësimdhënësve, 2022-a shpërfaqi në arsim edhe problemet me plagjiaturën në nivel universitar.

MASHTI gjatë vitit ndau 150 mijë euro për blerjen e një sistemi antiplagjiaturë që do të ndihmonte në luftimin e vjedhjes së punës akademike. Me gjithë përpjekjet për detektimin e plagjiaturës, si problematikë në proces u kualifikuan “dënimet” e buta të Këshillit të Etikës në Universitetin e Prishtinës (UP).

Për cenimin e të drejtave autoriale, profesorët Bujar Dugolli e Ardian Kastrati të Fakultetit Filozofik morën dënime simbolike – s’do të mentoronin më punime masteri e doktorate për dy deri në tre vjet. Të ngjashme dënime iu dhanë edhe profesorëve të tjerë plagjiatorë – dekanit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Musa Selimi e profesorëve Bylbyl Sokoli, Ajvaz Berisha, Hazir Salihu dhe Afrim Koca.

Praktikat nga vendet e tjera, si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Australia, specifikojnë që për pothuajse çdo kopjim të qëllimshëm të materialit intelektual të parashihet shkarkimi a përjashtimi.

Infrastruktura ligjore e Kodit ekzistues të Etikës dhe Rregullorja për Procedurat e Masat Disiplinore nuk i parashohin në mënyrë specifike veprimet që duhen ndërmarrë për të gjitha rastet e vjedhjes së punës akademike. Këtë e ka pranuar edhe rektori i ri i UP-së, Qerim Qerimi, që u zgjodh në këtë post më 21 nëntor, pas shkarkimit nga detyra e Naser Sahitit, prej Këshillit Drejtues shkaku i performancës së dobët.

Qerimi ishte pjesëmarrës në përpilimin e legjislacionit dhe që pas ardhjes në krye të UP-së bëri zotimin për ndryshimin e legjislacionit bashkë me ndërkombëtarët.

Vështirësi për jetësimin e zotimit parashihet të paraqes kostoja financiare. Buxheti i UP-së për vitin 2023 e kap shifrën prej 32 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 21 milionë do të shpenzohen vetëm për paga e mëditje të stafit akademik. 5 milionë për investime kapitale, e pjesa tjetër për mallra e shërbime.