Arbëri

IKD-ja i quan të papranueshme ndërhyrjet e politikës në gjyqësor

Instituti i Kosovës për Drejtësi reagon fuqishëm ndaj ndërhyrjeve të politikanëve në vendimet gjyqësore, përmes komentimit të tyre.

Sipas tyre, një ndërhyrje e tillë në pavarësinë e gjyqësorit, po shpërfaqet sot, me rastin e shpalljes së aktgjykimit në rastin e njohur si Pronto. Këtë qasje të politikanëve, IKD e vlerëson të papranueshme dhe ndërhyrje të politikës në gjyqësor.

IKD rikujton se edhe në regjimet më diktatoriale, gjykatat janë munduar që të zhvillojnë procese gjyqësore dhe që të akuzuarit t’i dënojnë mbi bazën e provave dhe fakteve, duke siguruar procedurë të rregullt.

“Praktika e sotme e reagimeve të politikanëve është e papranueshme, ku po shpërfaqen kërkesa të politikanëve që të shqiptohen dënime përmes presionit publik. IKD vlerëson se ky diskurs i politikanëve paraqet ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është tejet e rrezikshme, është shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe e gjithë personave apo zyrtarëve që e kanë sjellë shtetin në këtë gjendje”, thuhet në njoftim.

IKD vlerëson se është e papranueshme dhe e pakuptueshme se si këta politikanë nuk janë në gjendje ta kuptojnë rrjedhën e rastit Pronto dhe se cili po dëshmohet se ka qenë qëllimi final.

“IKD pa e paragjykuar epilogun e këtij gjykimi, vazhdimisht ka kritikuar qasjen e Prokurorit të Shtetit, e cila ka qenë selektive në këtë rast në hetimin dhe ndjekjen e protagonistëve të aferës së përgjimeve Pronto. Prokurori i Shtetit është dëshmuar se ka pasur mungesë guximi për ta trajtuar këtë rast, në të cilin ka pasur ndërhyrje të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe i cili rast ka përfunduar me ngritjen e një aktakuze, në të cilën prokurorja nuk e ka propozuar asnjë dëshmitar që paraqet absurd të llojit të vet”, thuhet tutje në njoftim.

Ata thonë se politikanët duhet ta kuptojnë se janë politikanë dhe nuk janë OJQ, prandaj komentimet e tyre ndaj vendimeve gjyqësore duhet të ndalen përgjithmonë.

“Raportet ndërkombëtare në vazhdimësi kanë kritikuar ndërhyrjet në drejtësi përmes komentimit të vendimeve gjyqësore nga ana e legjislativit dhe ekzekutivit. Është për keqardhje që kjo traditë po vazhdon edhe në legjislaturë e shtatë. Një qasje e tillë e zbeh besimin e publikut dhe faktorit ndërkombëtar lidhur me qëllimin e drejtë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga politika dhe grupet e interesit dhe promovimin e reformave të proklamuara gjatë fushatës elektorale të 6 tetor 2019”, thuhet në njoftimin tyre.