Viti 2019 do të mbahet mend më shumë si vit i skandaleve dhe dramave politike sesa i suksesit për Kosovën.
E kur flasim për skandalet e 2019-s, atëherë epitetin për këtë e mban Kryeministri në ikje dhe Qeveria e tij.
Me vendime kundërthënëse, larje të borxheve e shpërblim të shkelësve të ligjit, dreka luksi e shterje të rezervave, është karakterizuar viti nën qeverisjen e kryeministrit Haradinaj, bile këto skandale ai i arsyetonte me shprehje të tilla arrogante si “mu ka tek”, apo edhe “S’u ba nami”, raporton KTV.
Kur Kosova po përgatitej të shënonte 11-vjetorin e pavarësisë, qeveria zemërgjerë e Haradinajt ndau 500 mijë euro për shënimin e kësaj ngjarjeje.
3 euro shtetit i kushtoi një laps, ani pse shumica e të ftuarve thanë se nuk i panë ata.
Skandali me festën po rritej kur kompania Dizarium deklaroi se 5 parashuta u dizajnuan veçanërisht për ditën e pavarësisë, çmimi i të cilave ishte mbi 1 mijë euro për copë, apo në total 5, 770 euro e gjithashtu se për paragllajdistët u paguan edhe 6,750 euro.
Lexoni edhe:
Por, menjëherë reagoi Federata Aeronautike e cila në fakt, prezantoi kontratën që në gjithë këtë eveniment nuk i mori 11 mijë, por vetëm 800 euro, sepse shumicën e aktivitetit e kryen falas.
Për këto shpenzime, u thirr edhe seancë e jashtëzakonshme nga partitë opozitare LDK dhe Vetëvendosje të cilat e kritikuan Qeverinë se ka manipuluar me këto fonde të ndara.
Por, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, gjatë kësaj seance kishte thënë se prej 500 mijë eurove të ndara për 11-vjetorin e Pavarësisë, ishin harxhuar vetëm 170 mijë dhe të tjerat do t’i kthehen buxhetit të Kosovës.
Por, skandalet në Qeverinë Haradinaj nuk ishin vetëm harxhimet e parasë publike e punësimet, sepse në një skemë mashtrimi e korruptimi u përfshi edhe ndërtimi i autostradave.
Me të ardhur në pushtet Qeveria Haradinaj, tenderin për ndërtimin e autostradës së Gjilanit e kishte dërguar në rivlerësim dhe më pas, ndërroi edhe kompanitë. Prokuroria Speciale ka nisur hetimet në lidhje me keqpërdorimin e mjeteve të dedikuara për “Autostradën e Gjilanit”. Çmimi i kësaj autostrade ishte llogaritur të jetë 126 milionë euro, ku sipas zyrtarëve të MI-së, ajo është ndarë në 8 lote, nga 8 operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Ndërsa në ndërtimin e saj u përfshinë edhe njerëz të politikës. Mediat gjetën se kompania e zëvendësinistrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, po e furnizonte me beton autostradën në ndërtim Prishtinë-Gjilan.
Duke qenë nga Dukagjini, Haradinaj bëri premtimin e madh, ndërtimin e autostradës për këtë rajon e që shtetit do t’i kushtojë rreth 1 miliard euro.
Ende pa dhënë dorëheqje, Haradinaj kishte planifikuar që ta ndërtojë autostradën e Dukagjinit, kryesisht kah elektorati politik i tij. Ky zotim ishte kritikuar nga të gjithë, pozitë dhe opozitë dhe pavarësisht që plani për të është bërë, mbetet në pikëpyetje ndërtimi i saj.
Vera nisi me një tjetër skandal, atë të noterëve të rinj.
Nga 200 persona që kishin kaluar testin, rreth 60 për qind e tyre rezultuan të ishin familjarë të politikanëve e njerëzve në pushtet.
Në mesin e tyre janë: bashkëshortja e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, bashkëpunëtorë të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, bashkëshortja e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, vajza e ish-ministrit të FSK-së, Haki Demolli, dhëndri i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjyqtarë, fëmijë gjyqtarësh, përmbarues, fëmijë të përmbaruesve, fëmijë të noterëve, zyrtarë të PDK-së, i biri i ish-presidentit Fatmir Sejdiu e emra të tjerë.
Skandali u rrit kur u hap konkursi për 79 zyra të reja noteriale në territorin e Kosovës nga Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqej nga Abelard Tahiri, e ku të përzgjedhur rezultuan të jenë njerëz të afërt me PDK-në e Presidentin Thaçi.
Shoqëria civile e edhe nga bashkësia ndërkombëtare, dolën kundër duke kërkuar kthimin në pikën zero të këtij procesi, sepse qeveria në largim sipas tyre, nuk ka të drejtë të emërojë noterë të rinj, por edhe se nuk duhet t’i emërojë ata në baza partiake.
Pas shumë presioneve, u dorëzua edhe Tahiri.
Hovin skandaleve do t’ia ndalte një ftesë që Haradinaj mori nga Haga.
Më 19 korrik, kur opozita po bashkohej për një votëbesim të Qeverisë, Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme nga të qenit kryeministër i Kosovës.
Shumë emocional ishte kur tregoi se për të tretën herë u ftua nga Haga për të dëshmuar për luftën, dhe sipas tij, ai atje duhet të shkonte si Ramush Haradinaj e jo si Kryeministër.
Por edhe për të, Haradinaj ndërroi mendim, herë tha se i erdhi si presion politik pasi nuk po i dëgjonte ndërkombëtaret për largimin e taksës, e herë si trysni për të përkrahur projektin e Hashim Thaçit për shkëmbim territoresh.
Haradinaj, më 29 korrik u rikthye në vendin e punës, madje ka ironizuar edhe kur është takuar me krerët e koalicionit, duke theksuar se do të flasin për ngrohjen globale.
Megjithatë, ajo që e ka karakterizuar Qeverinë Haradinaj, ishte një qeveri lakmitare e shpenzuese, e cila nuk ka hezituar të harxhojë qindra mijëra euro në darka e udhëtime zyrtare.
Saktësisht 506779.22 euro është shuma që Qeveria ia ka përshkruar atij në këtë kategori shpenzimesh. Mbi gjysmë milioni euro janë harxhime të bëra vetëm nga kreu i Qeverisë, disa fatura për të cilat shpenzime ka mundur t’i sigurojë Koha Ditore.
Kjo i bie të jenë çuar në dreka rreth 1 mijë euro në secilën ditë pune.
Kjo qeveri për herën e parë në historinë e Kosovës, ka lënë në zero rezervën shtetërore, duke i harxhuar rreth 7 milionë euro të paplanifikuara.
Në fund të vitit, Haradinaj e arsyetoi atë, duke thënë se nga ky fond u ishin ndarë mjete për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrfikësve dhe situata të ngjashme dhe se fondi është shpenzuar pasi është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit.
Mënyra e shpenzimeve të këtij fondi, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, është në kundërshtim me Ligjin për financa publike dhe aktet nënligjore.
Sipas tyre, shumica e aktiviteteve të përkrahura nuk hyn në kuadër të rasteve urgjente, por hyn në kuadër të keqplanifikimit, keqpërdorimit dhe keqadministrimit të parasë publike.
Shpeshherë Haradinaj u përball edhe me izolim e pamundësi lëvizjesh, ashtu sikur qytetarët e Kosovës edhe atij gjatë 2019-s shpesh iu refuzua mundësia të marrë vizë për SHBA.