Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur Vitin e Ri 2020 bashkë me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Sipas një njoftimi nga presidenca, Thaçi përgëzoi ushtarët për punën që kanë bërë më 2019.
“Jeni krenaria dhe nderi i shtetit të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës. Është një e arritur e jashtëzakonshme themelimi i Ushtrisë”, është shprehur ai.
Ai më tej ka thënë se “si president i vendit, por edhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës ndihet shumë krenar kur qytetarët e Kosovës festojnë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, ushtarët e FSK-së janë krye të obligimeve dhe përgjegjësive për ruajtjen e territorit të Kosovës, kufijve të Kosovës, forcimit dhe avancimit të ushtrisë sonë në rrugëtim për NATO”.
“Kam besim të fuqishëm se siç jeni institucioni më kredibil i shtetit të Kosovës, në këtë rrugëtim do jenë edhe institucionet tjera”, u shpreh Thaçi.
“Për vitin e ardhshëm besoj fuqishëm se do jetë edhe më i suksesshëm sesa ky vit, e gjithmonë ju do jeni në krye të përgjegjësive dhe obligimeve dhe të jeni të sigurt se do ta keni gjithmonë shtetin afër jush dhe mbështetjen e vazhdueshme që me të vërtetë të jeni ushtri moderne, ushtri e standardeve perëndimore qysh jeni, dhe të jeni në krye të misioneve humanitare, paqësore edhe në Kosovë, edhe në rajon, edhe kudo në botë”, ka theksuar ai.
Sipas njoftimit, Thaçi falënderoi ushtarët e Kosovës edhe për angazhimin profesional pas tërmetit në Shqipëri.