9 perditesime
21:26

Mustafa: Ndoshta VV-ja e ka menduar të na japë kryeministrin, gjithçka është e mundur në këtë vend

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se VV-ja me siguri e ka menduar që t’ua japin postin e kryeministrit, pasi ata e morën atë të kryeparlamentarit.

“Gjithçka është e mundur në këtë vend”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Duke folur për marrëveshjen e re, ai ka thënë se tashmë është një konfiguracion i ri.

Ai thotë se bashkë me organet e partisë do të bisedojnë e të marrin vendime lidhur me kërkesat e tyre për bashkëqeverisje.

Mustafa thotë se gjithsesi duhet të bëhet marrëveshje e re lidhur me përgjegjësitë, por shton se ndoshta ka nevojë edhe te programi qeverisë.

Ai ka lënë të hapur edhe mundësinë e kalimit të LDK-së në opozitë.

"Çdo gjë është e hapur, edhe mundësia që të dalim në opozitë, ta bëjmë një opozitarizëm shumë të mirë, të suksesshme".

AI thotë se po të dilte LDK-ja e para, do t’i lusnin subjektet që ta formonin qeverinë.

“Ne si të dytit i kemi 28 deputetë dhe kërkojmë që përgjegjësia jonë në qeveri të jetë karrshi votës. Ne duhet të marrim aq sa neve na takon. Ofertën tonë e kemi dhënë edhe më pak se sa që na takon. Qeverisja duhet të bërë në përgjegjësi të përbashkët”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se derisa nuk mbyllet procesi asgjë nuk është absolute.

Ai thotë se nuk heqin dorë nga parimi që të marrin përgjegjësinë që ua ka dhënë populli.

Mustafa ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.

“Nuk është orientimi i mirë për të shkuar në zgjedhje sepse nuk kemi bërë zgjedhje për të shkuar në zgjedhe. Energjinë tonë nuk duhet ta shfrytëzojmë për të thënë se duhet shkuar në zgjedhje por duke kërkuar zgjidhje”, ka thënë Mustafa.

“Shkojmë në zgjedhje, pa problem. Nëse shkojmë ne zgjedhje, ne do të kemi parasysh edhe faktorët që na çojnë në zgjedhje”.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se ka qenë transparent me strukturat e partisë që e drejton.

“Kam aplikuar një proces krejtësisht të hapur dhe transparent. Nuk ka gjë që nuk e din jo vetëm znj. Osmani, por edhe anëtarët Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve të LDK-së. S'ka gjë që nuk kam ndarë me të gjithë e le më me nënkryetarët e LDK-së. Në asnjë rast s'ka diferencime. Ne kemi konsultime ditore me Vjosën”, ka thënë Mustafa.

21:12

Mustafa tregon se a do ta urojë Konjufcën për postin e ri

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ai dhe partia e tij janë zënë në befasi me emërimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë Mustafa ka thënë se do ta urojë Konjufcën për postin e ri. Por kjo, thotë ai në Rubikon të KTV-së, do të bëhet si shenjë mirësjellje e jo si garancë se koalicioni për Qeveri mund të arrihet.

“Ishte befasi totale. Nuk e gjej asnjë deputet të Grupit Parlamentar të LDK-së që e ka ditur se Konjufca do të bëhet kryetar i Kuvendit. Unë nuk e kam dit dhe asnjë deputet nuk e ka ditur”, ka thënë Mustafa.

I pyetur se a do ta urojë, Mustafa ka thënë “po, gjithsesi, do t’ia uroj si ta shoh”.

“Në bisedimet që kemi pasur me Kurtin dhe Konjufcën kemi pasur raport shumë të mirë mirëpo nëse unë e uroj, kjo nuk do të thotë se kjo punë do të kulmojë me formimin e qeverisë, por vetëm gjest i mirësjelljes”, ka thënë ai.

21:07

Mustafa: I kërkova Kurtit të argumentojë deklaratën se jam i korruptuar, s’mora përgjigje

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se i ka kërkuar liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të argumentojë deklaratat se Mustafa ishte kryeministër i korruptuar.

“S’dëshiroj të jem pjesë e një koalicioni e mendësie të tillë. Dua që edhe VV-ja të mos vazhdojë me deklarata të tilla. Këtë e kemi diskutuar në takim këtu që është mbajtur, i kam thënë se duhet të sqarohet deklarata që e keni thënë sepse nëse ju vlerësoni që unë jam në radhë të atyre kryeministrave që kam vjedh, atëherë nuk duhet të jem këtu që të diskutoj me ju për koalicion. Ti argumentoje ku e sa kam vjedh nëse vërtetohet atëherë unë shkoj direkt në prokurori të jap përgjegjësi dhe atëherë do t’u thosha partnerëve të mi të vendosin nëse duan ta bëjnë koalicionin me Vetëvendosjen apo jo”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se nuk ka marrë përgjigje në këtë çështje, teksa ka shtuar se u ka thënë edhe partnerëve ndërkombëtarë se diskutimet e tilla duhet të ndalen.

“S’kam pasur ndonjë përgjigje të veçantë. Nuk dua ta interpretoj mirëpo vetëm dua te them se e kam hapur këtë çështje. U kam thënë edhe partnerëve të jashtëm se këto diskutime duhet të ndalen sepse s’mund të flasim për koalicione dhe të akuzojmë njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

21:04

Mustafa: VV-ja gabon kur thotë se krimi e korrupsioni mund të luftohet vetëm nga ata

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se nuk kanë insistuar që ta marrin Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ai thotë se me Vetëvendosjen ishin marrë vesh që ta bëjnë një ndarje të posteve në mënyrë të barabartë.

“Qytetarët nuk na kanë dalluar, kur na kanë dhënë votat na kanë dhënë për t’u marrë me çështjet e ligjit, shëndetësisë, arsimit, kulturës e të gjitha çështjet tjera. Çka thotë VV është e parëndësishme në pikëpamjen e votës së qytetarit. Ku është arsyeja që unë të besoj që VV-ja do të luftojë krimin e korrupsionin më mirë se ne”, ka thënë ai.

Mustafa në Rubikon thotë se VV-ja gabon kur thotë se krimi e korrupsioni mund të luftohet vetëm nga ta.

“Ne nuk e pranojmë as aludimin e VV që ata nuk mund ta luftojnë krimin e korrupsionin nëse se marrin Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bashkërisht me përgjegjësi të përbashkëta dhe zotim të përbashkët mund ta luftojmë korrupsionin e krimin. Një koalicion i tillë dhe një gërshetim i përgjegjësive do të ndihmonte shumë më shumë se sa individualisht të merreshim”, ka thënë ai.

Mustafa tutje ka thënë se nuk është ironike që VV-ja e LDK-ja ende nuk e kanë arritur marrëveshjen.

Ai thotë se ka qenë i bindur se marrëveshja VV-LDK do të arrihej brenda pak ditësh, duke potencuar se kishte menduar se ndarja e posteve nuk do të ishte problem.

“Kurti ka thënë se do ta bëjmë marrëveshjen brenda 3-4 ditëve. Edhe unë kam thënë kështu, sepse kam qenë i bindur se do ta bëjmë. Nuk kam pritur se do të kemi probleme për ndarjen e posteve”, thotë ai..

20:49

Mustafa: S’do ta lejojmë këmbën e VV-së në terrenin e LDK-së

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka përshtypjen se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë e sigurt që marrëveshja me partinë e tij të arrihet.

Sipas tij, zotimi palëve për presidentin nga LDK-ja, do të tregonte një përkushtim dhe besim në partnerin e koalicionit dhe një përkushtim që ai koalicion do të zgjasë më shumë se një vit.

“Unë kam dalë qartë dhe kam thënë që nuk ka asnjë emër për presidentin. Nuk është koha tash të kandidojmë president të vendit”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se nuk mund të përzihet LDK-ja te VV-ja se kë do ta bëjnë kryeministër.

“Mundet edhe neve të mos na pëlqej Albin Kurti sepse nuk përzihemi në atë punë”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se deklaratat se VV-ja e pranon Vjosa Osmanin si presidente mirëpo jo edhe LDK, janë me qëllim të keq dhe nuk mundet partneri i koalicionit të përzihet në punët e brendshme të partisë.

“S’do t’i lejojmë askujt që ta vë këmbën në terrenin e LDK-së, ne do ta menaxhojmë partinë tonë”, ka thënë Mustafa.

Mustafa thotë se po të lëshojnë pe në ofertat e VV-së, atëherë “s’kemi parti me dhe e bëjmë Albin Kurtin kryetar të LDK-së”.

20:45

Mustafa nuk e mohon se Kurti ishte në shtëpinë e tij herën e fundit për t’u dakorduar për marrëveshje

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, duke folur për takimet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë takuar kudo.

Ai nuk e ka mohuar se Kurti ishte në shtëpinë e tij herën e fundit, për të biseduar lidhur me koalicioni qeverisës.

Ai thotë se në takimet me Kurtin kanë biseduar gjatë, kanë dhënë argumentet dhe kanë hapur të gjitha çështjet që kanë arritur deri në atë periudhë.

“Nuk është asgjë tjetër pos heqje dorë nga ajo që jemi marrë vesh. Ne me VV-në kemi mbetur tek kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kemi insistuar që kryeparlamentatri të na mbes neve, dhe ata janë dakorduar, gjithashtu jemi dakorduar që edhe njëri nënkryetar të jetë i joni, pastaj ata kanë kërkuar dy nënkryetarë, gjë që ka mbetur ende e hapur. Ne kemi thënë që LDK-ja të propozojë kandidatin për president dhe VV ta përkrahë. Kur zgjidhet kandidati për president nga radhët e LDK-së ne do t’ua japim një ministri VV-së”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës, ai thotë se me këtë marrëveshje të propozuar nga LDK-ja, VV do të kishte 10 pozita, kurse LDK 7 pozita.

20:34

Mustafa: Ne s’kemi propozuar ndarjen e Kulturës nga Sporti

Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë se nuk ka qenë partia e tij që ka propozuar ndarjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të riformatimit të ministrive, sipas bisedimeve mes VV-së e LDK-së për bashkëqeverisje.

Edhe pse dje kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në ofertën për LDK-në përmendi si pikë ndarjen e Kulturës dhe Sportit dhe kalimin e Kulturës e Rinisë tek Arsimi dhe Sportit te Shëndetësia, duke theksuar se ishin propozim i LDK-së.

“Ne kemi propozuar që ministria e sportit, rinisë dhe kulturës, t'i bashkëngjitet ministrisë se arsimit komplet”, ka thënë Mustafa. “Ne nuk kemi propozuar ndarjen e kësaj ministrie”.

20:31

Mustafa: Çështjen e presidentit së pari e futi në diskutim VV-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që e futi fillimisht çështjen e presidentit në kuadër të marrëveshjes mes dy partive.

"Ai ka qenë një propozim që fillimisht është dhëne nga VV-ja (çështja e presidentit), dhe ata e patën konsideruar si çështje të dy shtyllave, njëra shtyllë shkon me kryeministrin dhe shtylla tjetër me presidentin dhe kryetarin e Kuvendit. Propozimi ka qenë i shkruar, ata kanë pritur nga ne që tu japim përgjigje, por ne nuk u dhamë meqë nuk hym në atë fazë të marrëveshjes", ka thënë ai.

Ai në Rubikon të KTV-së ka thënë se në asnjë rast nuk kanë vepruar me inat, duke shtuar se janë munduar maksimalisht të gjejnë zgjidhje dhe të kenë bashkëqeverisje të baraspeshuar.

“ Ne nuk kemi kërkuar që ta marrim postin e kryeministrit por natyrisht që çështja e partneritetit është çështje e vullnetit të dy palëve. Pozicionet e para kanë qenë harmonizmi i programit, pastaj ndarja e ministrive, ku ne nuk kemi kërkuar ministri nga VV sepse ato nuk janë pronë e tyre. Ato ndahen mes vete dhe kishte dakordim. Ne jemi marrë vesh për që t’i ndajmë 5-5”, ka thënë ai.

Mustafa gjithashtu tregon edhe për dialogun me Kurtin për ndarjen e ministrive.

"I pari që është në qeveri është kryeministri, pra ai një zgjedhje e kishte, ai nuk ishte për me zgjedh ne, atëherë i dyti isha unë për të zgjedhur dhe nuk isha unë sepse ai veç kishte zgjedhur. Kjo nuk ka qenë çështje as për të cilën është dashur të diskutohet sepse gjithmonë shkon ashtu. Një ditë përpara u morëm vesh që të zgjedhim një nga një, dhe pastaj ai erdhi dhe tha se i pari e zgjedh një ministri, i dyti dy ministri, i treti dy e kështu me radhë. Mirëpo, i thashë që ne nuk e kemi testuar këtë dhe i thashë që me siguri ju e keni testuar këtë", ka thënë ai.

Mustafa thotë se çështja e presidentit është diskutuar edhe në takimin e tij me Kurtin po ashtu edhe në takimet e ekipeve të dy partive.

"Ne nuk e kemi trajtuar atë ofertë meqë jemi dakorduar që të shkojmë në zgjedhje. Pra, thashë, dy shtyllat janë propozuar nga VV. Në çdo takim, qoftë vetëm unë dhe z. Kurti por edhe me ekipet tona, është diskutuar për këtë çështje", shton ai.

Ai gjithashtu ka përsëritur se i kanë propozuar Vetëvendosjes ndërrimin e pozitave nëse atyre ju duket shumë që LDK-ja ta ketë edhe kryeparlamentarin, presidentin dhe dy ministritë.

“Edhe s'duhet sepse pastaj krijohet një monopol politik. Por, jo, ne i kemi thënë merreni edhe kryeparlamrntarin, edhe presidentin, e edhe një ministri ma shumë, nëse iu duket se po marrin pak, e ne le t'na japin kryeministrin sepse kryeministri është posti me i fuqishëm", ka thënë Mustafa.

20:13

Mustafa thotë se ende ka hapësirë për marrëveshje me VV-në, “por s’lejojmë të nënçmohemi”

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në Rubikon të KTV-së ka thënë se ende ka hapësirë për marrëveshje për bashkëqeverisje me Vetëvendosjen.

Megjithatë, ai ka thënë se kjo parti s’lejon nënçmim.

“Jo pse ne kemi ndonjë nevojë të veçantë apo të domosdoshme që të bashkëqeverisim, por sepse qytetarëve të Kosovës u duhet një qeveri. Mirëpo në asnjë rast nuk do të lejojmë që LDK-ja të nënçmohet”, ka thënë ai.

“Ne kemi thënë që do të pranojmë se do të heqim dorë nga secila Ministri e jona mirëpo vota jonë pastaj lidhet me një program qeverisës, me sigurinë qeverisëse, që ajo qeveri të udhëhiqet mirë dhe mbi të gjitha duhet të komunikojmë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se kur është fjala për kryetar të Kuvendit, situata ka qenë ndryshe, meqë si parti e parë VV-ja e ka pasur të drejtën kushtetuese ta propozojë kryetarin.

20:07

Mustafa: Zgjedhja e Konjufcës kryeparlamentar, veprim i njëanshëm i VV-së

Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka quajtur veprim të njëanshëm të Vetëvendosjes, zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryeparlamentar.

Ai ka thënë se deputetët e LDK-së e votuan Konjufcën për shkak “se nuk e shihnim të arsyeshme të mos japim kontributin për konstituimin e Kuvendit”.

“Kemi bë përpjekje mjaft të gjatë. Kemi penguar për program dhe e formalizuam si marrëveshje. Jemi marrë vesh edhe për kriteret për ndarjen e ministrive. Jemi pajtuar në koordinim të plotë. Kishim mbetur vetëm te çështja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve dhe zotimit për çështjen e presidentit kur t’i vije zgjedhja. Menduam se ishim shumë afër, por kur i dëgjonim deklaratat e tyre u kuptua se ishte tërheqje prapa. Edhe kjo sot që ndodhi është një veprim i njëanshëm i VV-së, jashtë marrëveshjeve që ne kemi pasur deri më tani. Jo, asnjë marrëveshje s'ka pasur për kryetar të Kuvendit por ne kemi vlerësuar që nëse VV del me propozimin e saj për kryetar të Kuvendit, meqë sipas Kushtetutës është VV ai subjekt politik i parë që ka të drejtën ta bëjë propozimin e kryetarit, atëherë ne ta votojmë këtë sepse ne nuk shohim asnjë arsye që ne të mos japim kontributin tonë për konstituimin e Kuvendit. Çfarë do të ndodh më vone është çështje që duhet të shihet dhe vlerësohet më tutje”, ka thënë ai..