KEK-u tejkalon të gjitha parashikimet, 23 milionë euro profit për 11 muaj Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

KEK-u tejkalon të gjitha parashikimet, 23 milionë euro profit për 11 muaj

24 December 2019 16:09

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është dëshmia me e mirë për të demantuar të gjithë ata qe pretendojnë se një ndërmarrjet publike e menaxhuar nga stafi vendor nuk mund të jetë e suksesshme dhe të operoj me profit.

Kjo ndërmarrje publike, vitin 2019 po e mbyll me 23 milion euro profit qe shënon një rritje rekord prej 30% me shumë sesa vitin paraprak.

Në të njëjtën kohë ka rritur investimet kapitale për të garantuar siguri në prodhimin e energjisë elektrike dhe njëkohësisht ka ulur shpenzimet operative.

Të hyrat e realizuara për periudhën raportuese, Janar – Nëntor 2019, kanë arritur shumën prej 166.9 milionë euro, nga kjo shumë vetëm nga eksporti i energjisë elektrike janë realizuar 20 milionë euro.

Thaçi: Të gjitha njësitë kanë kaluar parashikimet

Drejtor menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka bërë të ditur se këto rezultate janë arritur falë një punë dhe përkushtimi në të gjitha njësitë gjeneruese.

“Këtë vit kemi realizuar nxjerrjen e djerrinës mbi 11% krahasuar me vitin 2018. Kemi rezultate të mira në nxjerrjen e thëngjillit, ku kemi tejkaluar planin mbi 3% apo 6% me shumë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.

Gjithashtu, kemi krijuar rezerva të mjaftueshme të thëngjillit në dy deponitë të cilat na japin komoditet që deri në marsin e vitit të ardhshëm të mos kemi probleme me furnizim me thëngjill.

Termocentrali Kosova A, edhe pse është me pajisje të vjetra i lëshuar në punë para 60 viteve, këtë vit ka arritur rekord në prodhim. Në fakt e ka thyer rekordin e vitit 1988. Ka tejkaluar planin vjetor mbi 11%, ndërsa 6% më shume se në vitin paraprak.

Po ashtu kemi një performancë të mirë edhe në termocentralin Kosova B, i cili e ka kaluar planin e paraparë për 2%, apo 3% me shumë sesa në vitin paraprak.

Ky prodhim dhe ky angazhim i të gjithëve na ka bërë që KEK-u këtë vit të shpallet tatim paguesi më i madh në Kosovë”. Ka thënë Thaçi.

Lluka: E rrallë kur një ndërmarrje publike rrit të hyrat dhe zvogëlon shpenzimet operative

Ndërsa Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka potencuar se KEK-u është njëra prej ndërmarrjeve publike të rralla që ka rritur të hyrat dhe ka pasur një përformancë të mirë dhe njëkohësisht ka ulur shpenzimet operative.

“Kjo tregon se vitin e fundit edhe pse është rritur qarkullimi nuk janë rritur shpenzimet operative. Pra kjo është e rrallë që shihet në ndërmarrjet publike. Në ndërmarrjet publike gjithmonë kemi rritje të shpenzimeve, rritje të punësimit, rritje të shpenzimeve operative, por në vitin 2019 KEK-u e ka bërë një punë të mirë në menaxhimin e saj, duke rritur fitimin rreth 30% nga viti 2018. Po ashtu është me rëndësi të ceket se KEK-u me prodhimin e energjisë elektrike ka arritur që të eksportoj energji në vlerë prej 20 milionë euro. Pra eksporti i energjisë elektrike ka benifite të shumëfishta për ne si vend, pra jo vetëm që e përmirëson bilancin tregtar, e rrit eksportin, por gjithashtu edhe që të hyrat të hyjnë nga jashtë-brenda, që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e produktit vendor. Pra sa i përket numrave, financave në përgjithësi ka pasur një menaxhim të kënaqshëm në këtë vit”, ka thënë ministri Lluka.

Ai po ashtu ka potencuar se KEK-u tashmë duhet të bëjë planifikim për investime të mëdha kapitale, siç është hapja e minierës së re, blerja e eskavatorëve të rinj, si dhe normalisht përmirësimi apo rregullimi i termoelektranave që në vazhdimësi duhet të bëhet rehabilitimi i tyre.

“Tashmë ne jemi duke u futur në fazën e rehabilitimit të Kosovës B, që është një investim 380 milionë euro, ku 80 milionë janë grant nga Komisioni Evropian, që gjithashtu kërkon investime dhe përkrahje besoj nga buxheti i Republikës së Kosovës në mënyrë që ta bëjmë një rehabilitim të mirë për 20 vjetët e ardhshme”. Ka thënë Valdrin Lluka - Ministër në largim i MZHE-së”, ka thënë Lluka.

Nga ana tjetër, edhe kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Faruk Hajrizi ka pohuar se rezultatet janë evidente dhe KEK-u këtë vite është edhe tatimpaguesi me i madh në vend.

“Ka pasur një performancën më të mirë. Jemi kompania apo super kompania në Kosovë sepse kemi arritur të gjitha caqet qoftë në aspektin prodhues, qoftë edhe në aspektet tjera ekonomike dhe financiare. Politikat tona tashmë do të fokusohen tek rinimi i stafit, pasi aty kemi pasur një ngecje viteve të kaluara. Vit pas viti jemi duke e bërë rinimin e stafit dhe shpresojmë që vitet e ardhshme do të korrim rezultate edhe më të mëdha. Po ashtu kemi bërë planifikime të mëdha strategjike se si kompania të rris profitin e vet në përqindje të caktuar, vit për vit po bëjmë plane", ka deklaruar Hajrizi.

Pos angazhimit në sigurimin e furnizimit sa më të mirë me energji, KEK-u është bërë partner shumë i rëndësishëm edhe për Administratën Tatimore të Kosovës.

Në këtë drejtim, Ilir Murtezaj - Drejtor i ATK-së është shprehur se, KEK-u sikurse edhe në vitet paraprake ka vazhduar të performojë mirë në pagesën e tatimeve.

“Është njëri ndër tatimpaguesit më të mëdhenj në kuadër të pagesës së tatimeve të brendshme në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës. Ne kemi bashkëpunuar edhe në fushën e tatimit, por jemi duke menduar dhe punuar në drejtim të këmbimit të informatave në mes të KEK-ut dhe ATK-së me qëllim të identifikimit të gjithë tatimpaguesve që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe duhet të jenë obligues tatimor”. u shpreh Murtezaj.

OEK: KEK-u është tatimpagues dhe punëdhënës lider

Kurse drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kanë vlerësuar lartë rezultatet e KEK-ut duke thënë se për herë të parë një ndërmarrje publike është lider apo hyn në listën e tatimpaguesit me të madh në Kosovë.

“Berat Rukiqi, drejtor i OEK ka treguar se kanë pasur takime të vazhdueshme me menaxhmentin e KEK-ut për t’i shprehur nevojat e komunitetit të biznesit në raport me çështjet e ndryshme që lidhen me energjinë, përfshirë edhe hapjen e tregut ku KEK-u mund të ketë një rol të rëndësishëm. Jemi të interesuar që të punojmë bashkërisht në riaftësimin e punëtorëve qoftë në sektorin energjetik, qoftë në sektorët tjerë që mund të përfitojnë nga resurset e jashtëzakonshme të qendrës së trajnimeve që ka KEK-u. Performanca e KEK-ut, vazhdon të përkthehet edhe në pagesën e kontributeve të rëndësishme për vendin, duke qenë si kompania publike tatimpaguesi lider, si punëdhënës lider dhe normalisht ne edhe si Odë Ekonomike e Kosovës duke e parë nevojën që të vlerësohen kontributet e kompanive, qoftë atyre publike, qoftë atyre private, për herë të parë një kompani publike këtë vit që është KEK-u është shpërblyer ose ju ka nda çmimi për tatimpaguesin e vitit", ka potencuar Rukiqi.

Investimet mbi 400 milionë euro

Sa i përket investimeve kapitale për vitet e ardhshme, drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi ka bërë të ditur se nga projektet më të rëndësishme është hapja e minierës së re. Sipas vlerësimeve të bëra nga një kompani gjermane, investimi do të shkoj diku rreth 400 milionë euro pa përfshire pjesën e shpronësimeve. Ky investim do të sigurojë thëngjill për termocentralet ekzistuese dhe të reja edhe për 40 vitet e ardhshme.

“Edhe pse kemi paguar të gjitha tatimet ndaj shtetit prapë kemi arritur një fitim për 11 muaj rreth 23 milionë euro. Ky fitim na jep komoditet qe të futemi në investime të mëdha kapitale në hapjen e minierës se re dhe pajisjeve përcjellëse teknike në mënyre qe të garantojmë siguri energjetike edhe për 40 vitet e ardhshme. Në këtë drejtim fokus të veçantë po i japim edhe projekteve ambientale ku kanë filluar investimet në krijimin e zonave të gjelbërta e po ashtu projekti madhor i ndërtimit të parkut solar qe do të jetë me i madhi në rajon”. ka thënë Thaçi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme