Arbëri

Rexhepi: LDK e VV të vendosin me konsensus çështjen e presidentit

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Fatmir Rexhepi, ka thënë se partia e tij dhe Vetëvendosje duhet që të vendosin me konsensus për çështjen e presidentit dhe të mos lejojnë që kjo çështje të pengojë negociatat për formimin e qeverisë.

Në Interaktiv të KTV-së, Rexhepi ka thënë se partitë duhet të pajtohen për këtë çështje dhe që presidentin ta zgjedhin me marrëveshje të plotë.

“Presidenti duhet të zgjidhet me konsensus. Duhet të ketë konsensus mes partive, pavarësisht kush kandidon. Nëse pyetem unë, do të doja të ishte nga LDK-ja, por duhet të kemi konsensus. S’është hap i lehtë, por duhet edhe VV-ja të heqë dorë nga kërkesat, ato për emrin e mbiemrin, por edhe LDK-ja të vë konsensusin dhe garancat e miqve brenda kësaj marrëveshje se qeveria e ardhshme, ky koalicion, do të jetë afatgjatë. Presidentin e zgjedh parlamenti, por po flasim për marrëveshje politike edhe të qeverisë edhe të parlamentit. Duhet konsensus brenda marrëveshjes që presidentin e zgjedh me marrëveshje të plotë. S’duhet të mbetemi peng i kësaj. Është luks i madh nëse mbetemi peng i një gjysme fjalie, sepse nëse bëjmë marrëveshje për qeveri, pse të mos i besojmë për presidentin kur t’i vijë koha. Edhe pak ka mbetur në këtë finale dhe besoj se udhëheqësia duhet t’i japë fund kësaj çështje”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se një koalicion mes VV-së e LDK-së është obligativ për “të çuar në vendin e duhur mesazhin e qytetarëve që e dhanë me votë më 6 tetor”.

“Sado që të ketë zgjedhje të reja s’ka konfigurim tjetër. E kemi për obligim edhe ne si LDK edhe ata si VV që ta përmbyllim këtë mision e të arrijmë marrëveshjen e të japim zgjidhjen e drejtë. Jemi pajtuar në shtyllat kryesore se si duhet të qeveriset, formati, performanca si duhet të jetë, besoj se kanë mbetur edhe pak apo vetëm edhe një hap që të dy partitë të gjejnë konsensusin për këtë marrëveshje”, ka shtuar më tej ai.

Ai ka thënë se sipas informatave që ka, pajtimi është arritur që Ministria e Punëve të Brendshme t’i takojë LDK-së, sikurse ajo e Arsimit, ndërsa ajo e Jashtme dhe e Financave t’i takojë Vetëvendosjes.