Arbëri

Tri ditë para seancës konstituive, VV-ja e LDK-ja larg marrëveshjes 

Tri ditë kanë mbetur nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë, përveç betimit të deputetëve të rinj, do të duhej të zgjidheshin edhe udhëheqësit e Kuvendit, kryetari dhe nënkryetarët.

Pavarësisht kësaj, dy partitë që fituan shumicën e votave në zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk e kanë përfunduar marrëveshjen, e në të cilën, ndër të tjera, përfshihet edhe kandidati për kryetar të Kuvendit, raporton KTV.

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë duke bërë përpjekje në arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen.

Këto komente Mustafa i bëri në shënimin e 30-vjetorit të themelimit të LDK-së, ku shtoi se në zgjedhje kanë arritur rezultatin e dëshiruar.

Në anën tjetër, burime brenda Vetëvendosjes i kanë thënë KTV-së se nuk kanë ndonjë emër për kryetar të Kuvendit.

“VV-së i takon me automatizëm edhe kryeparlamentari, por meqenëse kemi hyrë në diskutimet, ne kemi ofruar që këto të diskutohen, pra ideja e Lëvizjes ka qenë që përmes konstruktivitetit në bisedime, të ndahen përgjegjësitë që na takojnë, pra Lëvizja këtë ia ka ofruar LDK-së”. 

Megjithëkëtë, as LDK-ja nuk ka prezantuar ndonjëherë emër për kryeparlamentar.

Kjo edhe për shkak të bisedimeve të zhvilluara kohëve të fundit për ndarjen e posteve, e në të cilat nuk janë diskutuar emrat e ministrave apo të kryetarit të Kuvendit. 

‘Se çfarë do të ndodhë në seancën e së enjtes mbetet të definohet pas takimit që kryetari i Vetëvendosje pritet të ketë me kryetarin e LDK-së, nesër ose pasnesër’, ka thënë ky burim për KTV-në.

Sipas Jetmir Bakijës, nga DPlus, Vetëvendosja dhe LDK-ja, do të duhej që të përmbyllnin marrëveshjen para seancës konstituive, në mënyrë që të mos zgjatej edhe më tej procesi i formimit të institucioneve.

Seanca konstituive, nuk konsiderohet e përfunduar pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 

E, ky proces mund të zgjasë, pasi nuk ka ndonjë afat të caktuar brenda të cilit do të duhej të zgjidhej udhëheqja e legjislativit.