SHSKUK bëhet me qendër nacionale që trajton sulmin në tru

SHSKUK bëhet me qendër nacionale që trajton sulmin në tru

23 December 2019 12:11

Në Klinikën e rinovuar të Neurologjisë të SHSKUK-së sot është përuruar qendra e parë nacionale, që trajton sulmin në tru. Përurimin e bëri ministri në detyrë i Shëndetësisë (MSH), Uran Ismaili.

Me këtë rast u theksua se i gjithë investimi në këtë klinikë ka kushtuar rreth 200 mijë euro, kurse pajisjet 1.1 milion euro.

Ismaili tha se me hapjen e kësaj qendre po krijohen kushte që të shpëtohen qytetarët nga vdekja, paraliza dhe shpenzimet e larta financiare.

“Është një datë e rëndësishme për pacientët në Kosovë. Duke e ditur se sulmi në tru shkakton vdekje dhe invaliditet të lartë. Por edhe ka pasur nevojë që të kemi një qendër që mund të reagojë në orët e para. E shohim një hapësirë moderne me aparaturë moderne dhe mjekët të përgatitur”.

“Kemi një qendër e cila do të shpëtojë jetë dhe njëkohësisht do të shpëtojë edhe xhepin e pacientëve. Pas shërbimit 24 orësh për trajtimin e zemrës, si shkaktari kryesor i vdekjeve. Me hapjen e Qendrës së parë Nacionale në Kosovë për trajtimin e sulmeve në tru, po krijojmë kushte të trajtojmë edhe shkaktarin e dytë kryesor të vdekjeve në vend”, tha Ismaili.

Ai më tej ka shtuar se në pajisje dhe infrastrukturë e kësaj qendre mundësohet një reagim i shpejtë brenda 3 orëve. “Pas sulmit në tru nevojitet një reagim i shpejte brenda 3 orëve, çka ka qenë e vështirë te realizohet deri me sot”.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu theksoi se në klinikën e përuruar do të kryhet trajtimi i infarktit të trurin me metoda moderne.

“Është një datë historike për shëndetësinë kosovare. Do të bëhet trajtimit i infarktit në tru me metoda inovazive ashtu siç ka qenë projekt nacional trajtimi i infarktit në zemër. Është i mirë pritur e sidomos për pacientët. Në orët e para do të mund të shpëtohen jetë dhe largim nga invaliditeti. Kemi pasur shumë pacientë që janë mbajtës të familjeve”.

“Pacientët që janë në fazën më të re mund të vijnë të në orët e para dhe funksionin në klinikën e neurologjisë. Kemi ekipin dhe stafin e përgatitur pasi janë trajnuar në Kroaci dhe tani mund të zbatojnë në QKUK”, tha ai.

Drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Nexhmedin Shala, falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë për investimin në këtë klinikë e cila do të shpëtojë jetët e pacientëve.

“Sot përurohet renovimi i hapësirave jashtë spitalore të Neurologjisë ku është edhe një pjesë e Radiologjisë. Falënderoj ministrinë për këtë investim dhe punën e palodhshme. Këto hapësira do të mundësojnë benefite për pacientët”, tha ai.

Në Kosovë 1200 deri në 1300 pacientë shtrohen brenda një viti nga disa lloje të sulmit në tru.

Shkalla e vdekshmërisë prej sulmeve në tru është e madhe, mund të shkojë deri në 40 për qind.

Në Kosovë vdesin rreth 500 persona në vit nga sulmet në tru.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme