1 perditesime
15:47

Fëmijët që respektuan rregullat e trafikut morën dhurata nga policia

Me rastin e festave të fundvitit edhe Policia e Kosovës ka filluar përgatitjet e me këtë rast, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë, në kuadër të projektit “Urime 2020”, sot ka realizuar një pikë kontrolli në afërsi të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë ku janë ndaluar për kontroll vozitësit me pasagjerë fëmijë.

Gjatë këtij aktiviteti, fëmijëve të siguruar konform rregullave të trafikut iu është dhuruar nga një dhuratë modeste nga ana e Policisë.

Këto dhurata përveç lodrave dhe gjërave ushqimore përmbajnë edhe broshura informuese në lidhje me sigurinë në komunikacion.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte sensibilizimi i vozitësve për sigurinë e fëmijëve pasagjerë gjatë vozitjes në automjet.

09:49

Në vend të gjobave, Policia bën dhurata për fëmijë pasagjerë e vetëdijesim për prindërit shoferë

Policia e Kosovës, me fillim nga ora 12.45, ka vendosur që ta realizojë një aktivitet i cili do të mbahet para Katedrales “Nënë Tereza”, në afërsi të shkollës “Faik Konica” në Prishtinë.

Me rastin e festave të fundvitit, Policia e Kosovës ka filluar përgatitjet për implementimin e projektit “Urime 2020”, me ç’rast ka planifikuar që të organizojë një pikë kontrolli ku gjatë realizimit të saj, do të kontrollohet siguria e fëmijëve në automjet dhe nuk do të shqiptohen gjoba për kundërvajtje, por do të vetëdijesohen shoferët, si dhe fëmijëve pasagjerë në automjetet e ndaluara do t’u shpërndahen dhurata modeste nga ana e Policisë së Kosovës.

Ftohen të gjitha mediat të marrin pjesë për ta përcjellë këtë aktivitet të Policisë së Kosovës, ku do të kenë mundësinë të marrin pamje gjatë realizimit të këtij aktiviteti.