Arbëri

Ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit kthen pritjet e gjata nëpër kufij

Radhë të gjata të kolonave ka pasur në pikën kufitare të Merdares, aty ku shumë mërgimtarë ishin në pritje për të kaluar kufirin që lidh Serbinë me Kosovën.

Derisa daljet nga Kosova për në Serbi ishin të rralla edhe pritja në këtë pikë kufitare për të lëshuar Kosovën, ishte më pak se 5 minuta.

Mirëpo, të njëjtin fat nuk e patën bashkëatdhetarët që ia mësynë Kosovës nga kjo pikë ditën e shtunë, ku pritjet për të hyrë brenda kufirit ishin rreth 30 minuta, ndonëse më të shkurtra se zakonisht, raporton KTV.

Në orën 12 e 30 minuta, pritjet për të hyrë brenda kufirit të Kosovës në pikën kufitare të Merdares ishin 30 deri në dyzet minuta, derisa më herët u raportua se këtu në këtë zonë pritjet ishin nga 50 minuta deri në 1 orë.

Edhe përkundër pritjeve gjysmëorëshe për të hyrë në tokën e Kosovës, mërgimtarët që kaluan kufirin, këtë nuk e panë si problem shumë të madh krahasuar me pritjet e tyre herëve të kaluara.

Por jo të gjithë ishin të kënaqur me vonesat, derisa u fajësua edhe policia kufitare e Kosovës për pritjet dhe radhët e gjata.

Përveç Merdares, pritje më të gjata ka pasur në pikën kufitare te Dheu i Bardhë në bazë të statistikave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Sipas të dhënave të QKMK-së, pritjet për të hyrë në Kosovë nga nga kjo pikë kufitare ishin rreth 1 orë e gjysmë deri në 2 orë.