Arbëri

2 javë para fillimit të vitit shkollor, librat ende nuk janë shpërndarë për nxënësit

Premtimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se furnizimi me tekste shkollore do të bëhet në fund të muajit korrik, nuk u realizua as sivjet. Kanë mbetur rreth dy javë që nga fillimi i vitit të ri shkollor, ndërsa tekstet për nxënësit ende nuk kanë filluar të shpërndahen. Sivjet, përveç që nuk ka filluar shpërndarja e teksteve e shkollore, as procesi i përzgjedhjes së librave nga shkollat nuk ka përfunduar.

Kanë mbetur 16 ditë që nga fillimi i vitit të ri shkollor, ndërsa tekstet për nxënësit ende nuk kanë filluar të shpërndahen nga Ministria e Arsimit.

Ministrja Arbërie Nagavci, pati kritikuar pushtetet paraprake për keqorganizim në shpërndarjen e librave.

“Tekstet shkollore nuk do të dërgohen më në shkollat tona në fillim të shtatorit gjatë procesit mësimor, por, shumë më herët në kohë, në fund të muajit korrik”, pati deklaruar Nagavci vitin e kaluar.

Sivjet përveç që nuk ka filluar shpërndarja e teksteve e shkollore në periudhën që ministrja pati premtuar, as procesi i përzgjedhjes së librave nga shkollat nuk ka përfunduar.

“Në fund qershorit në fillim të korrikut ka ardhur katalogu për tekstet shkollore nga Ministria e Arsimit për klasat 1-5, ka ardhur vetëm gjysma e katalogut, ku aktivet profesionale të mësueseve kanë bërë përzgjedhjen e teksteve shkollore sipas udhëzimit administrativ, diku 24 tekste i kemi porosit e kemi bërë përzgjedhjen... diku janë edhe 14 tekste që duhet t'i përzgjedhin mësuesit, mirëpo ne në shkollë nuk kemi pranuar asnjë tekst shkollor”, tha drejtori i shkollës “Hilmi Rakovica” në kryeqytet Skender Halimi.

Sivjet me libra të rinj shkollorë do të furnizohen vetëm nxënësit e nivelit të ulët fillor, ndërsa ata të nivelit të mesëm të ulët do t’i shfrytëzojnë tekstet e vitit paraprak.

Halimi tha se vonesa me furnizim më tekstet shkollore do t’u shkaktojë probleme në fillimin e procesit mësimor.

“Është problem nëse viti shkollor fillohet pa tekste shkollore, çështja e planifikimit shpesh herë thuhet se planifikimet mund të bëhen edhe pa tekste shkollore, gjë që është e vërtetë, sepse kurrikula e parasheh që teksti është vetëm një mekanizëm i domosdoshëm, mirëpo ne ende i kemi shkollat e varura nga tekstet shkollore, kemi kaluar në atë stazh të arsimit që të punojmë pa tekste shkollore”, theksoi ai.

Në Ministri të Arsimit nuk kanë treguar gjatë së hënës se kur pritet të fillojë shpërndarja e teksteve shkollore.

Edhe në drejtoritë komunale të arsimit thanë se ende nuk janë informuar nga Ministria për datën e fillimit të shpërndarjes së librave.

Çdo vit, procesi mësimor në institucione e arsimit të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët ka filluar me mungesë të teksteve shkollore.