Arbëri

Shqipëria fton Thaçin për Samitin e radhës për Mini-Schengenin Ballkanik

Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj se Kosova s’ka marrë ftesë për Samitin e radhës për Mini-Schengenin Ballkanik, Qeveria e Shqipërisë ka thënë se ftesa i është dërguar presidentit Hashim Thaçi.

Sot Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë deklaroi se nuk ka ftesë nga Shqipëria për Samitin e 21 dhjetorit, që do të mbahet në Durrës, ndërsa zyra e Edi Ramës ka thënë se ftesa i është drejtuar presidentit të Kosovës, duke “pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si dhe që në Kosovë ende s’është formuar qeveria e re”.

“Nisur nga një deklaratë e bërë nga kryeministri i dorëhequr i Kosovës sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin që në Kosovë ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin më të lartë njësoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi”, thote Zyra e Shtypit e Kryeministrit njofton Abc News.

Thaçi nuk kishte marrë pjesë në Samitin për Mini-Schengenin që u mbajt në Ohër në nëntor duke thënë se kishte refuzuar ftesën për shkak se Kosova ishte anashkaluar në Samitin e parë qëllimshëm nga Serbia, se vizioni i Kosovës mbetet vetëm anëtarësimi në BE dhe NATO dhe se iniciativa rajonale ishte e pakuptimtë përderisa Serbia e Bosnja s’e njohin Kosovën.