VV-LDK e nisën me entuziazëm, por po pajtohen vetëm për t’u takuar

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 16 December 2019 19:17

Katër ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti e Isa Mustafa nisën me entuziazëm përpjekjet për të formuar Qeverinë.

Vetëvendosja, parti fituese e zgjedhjeve të parakohshme, është shprehur optimiste se me LDK-në do të merren vesh lehtë e shpejt, raporton KTV.

Pas takimit të parë paszgjedhor ndërmjet Mustafës e Kurtit, ky i fundit paralajmëroi marrëveshje me partinë e dytë që u rendit në zgjedhje.

Kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani, gruaja më e votuar në zgjedhjet e tetorit, tha se marrëveshja do të negociohet nga grupet punuese përkatëse.

Takimet e grupeve punuese që nisën më 18 tetor, rezultuan siç e quajtën të dyja partitë, me harmonizim të programit qeverisës.

Gjatë tetorit e nëntorit, takimet kanë qenë të shpeshta. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se me LDK-në do të arrijnë marrëveshje 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve.

Por, edhe pas tri javësh të certifikimit të rezultatit nga KQZ-ja, marrëveshja nuk u arrit.

Madje, Kurti përdori edhe terminologji të muzikës klasike për t’i përshkruar bisedimet me LDK-në.

Ky takim i 22 nëntorit duket se i vuri në pah mospajtimet dhe kërkesën e LDK-së, që posti i presidentit të jetë pjesë e marrëveshjes së koalicionit.

Nga restorantet e kryeqytetit, takimet Kurti-Mustafa u zhvendosën në zyrat e Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse thanë se janë pajtuar për programin qeverisës, çështja e ndarjes së posteve ka bërë që marrëveshja të ngecë.

Pavarësisht kësaj, takimet vazhduan edhe të premten e të shtunën e kaluar, por pa rezultat.

Ngërçi i bisedimeve Vetëvendosje - LDK, ka shkaktuar përplasje edhe brenda LDK-së.

Krejt kjo dhe pasi Albin Kurti e Vjosa Osmani u panë bashkë, duke u regjistruar si deputet.

Këtë gjë, Agim Veliu e cilësoi si presion i Osmanit dhe Kurtit ndaj LDK-së.

E, Vjosa Osmani iu kundërpërgjigj atij, duke i thënë se nuk i jep llogari dhe se ndërlikuesit e marrëveshjes tashmë dihen.

Ndërkaq, posti i presidentit që e do me çdo kusht LDK-ja, deri tani del të jetë pika ndarëse me Vetëvendosjen, pasi synimin për t’u bërë president nuk e ka mohuar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Dakordimi i vetëm pothuajse pas çdo takimi, ka qenë marrëveshja ndërmjet tyre për t’u intensifikuar bisedimet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme