Arbëri

Abazi: LDK-ja po kërkon atë që nuk ia dha populli

Image

Në kohën kur bisedimet për formimin e koalicionit qeverisës nuk po arrijnë të rezultojnë me marrëveshje përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja vazhdojnë ta sulmojnë njëra-tjetrën lidhur me ndarjen e postit të presidentit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka porositur Lidhjen Demokratike të Kosovës se nuk mund të këmbëngulë për postin e të parit të vendit pasi kjo parti nuk është fituese e zgjedhjeve dhe si e tillë po kërkon diçka që nuk i takon.

“Edhe presidentin edhe kryeparlamentarin i ka pasur LDK-ja e dr. Ibrahim Rugovës, kur dr. Nexhat Daci ishte kryeparlamentar, dhe dilnin të parët në zgjedhje. LDK-ja e dr. Isa Mustafës doli e dyta, i humbi zgjedhjet, po kërkon çka nuk i takon, çka nuk ia dha populli e që duke shkuar e vetme ne zgjedhje kërkoi të matet në mejdanin e votës. Tani krejt çka kërkohet është respektimi i vendimit të sovranit për të përkrahur LVV në formimin e institucioneve për ndryshimin e madh”, shkruan Abazi në një postim në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje më herët ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në rast të dështimit të marrëveshjes për koalicion qeverisë me LDK-në, e cila po këmbëngulë që të marrë postin e presidentit.

Hykmete Bajrami nga LDK-ja, ndërkaq ia ka bërë me dije Lëvizjes Vetëvendosje se nuk mund të dalë me kushtëzime sa i përket postit të presidentit, pasi kjo parti nuk ka fituar 51 për qind të votave.