Arbëri

Gjykatat dhanë verdikt vetëm për 10 nga 130 aktakuza për korrupsion që i pranuan këtë vit

Nga 130 aktakuza për korrupsion të cilat ishin pranuar këtë vit në të gjitha degët e gjykatave në Kosovë, vetëm 10 prej tyre nuk kanë marrë verdiktin e gjykatës.

Keqpërdorimi i detyrës zyrtare, keqpërdorimi me paranë publike dhe marrja e ryshfetit ishin disa prej akuzave më të shpeshta me të cilat u përballën zyrtarët publikë, megjithëse jo pozita të larta.

Sipas gjyqtarit Agim Maliqi, i cili është pjesë e komisionit për zbatimin e planit për zgjedhjen e lëndëve të korrupsionit, gjykatat me prioritet i kanë trajtuar edhe lëndët e shenjëstruara, raporton KTV.

Derisa 9 lëndë të korrupsionit të shenjëstruara janë ende në gjykim, 13 deri më tani, janë të përfunduara me aktgjykime të shkallës së parë derisa 16 të tjera me aktgjykime përfundimtare.

Një institucion tjetër i cili heton keqpërdorimet në institucionet publike këtë vit, gjithashtu dërgoi mbi 90 kallëzime penale ndaj zyrtarëve publikë, disa prej të cilave përfunduan me aktakuza.

Por, Prokuroria Speciale e cila ka për detyrë hetimin e keqpërdorimeve përfshirë të zyrtarëve të profilit të lartë, nuk ka dhënë detaje se cili është numri i aktakuzave që ka ngritur këtë vit.

Por, një hulumtim i Institutit të Kosovës për Drejtësi nxjerr në pah se Prokuroria Speciale i është shmangur hetimit dhe ngritjes së aktakuza ndaj zyrtarëve të profilit të lartë.

KTV-ja ka kërkuar përgjigje edhe nga departamenti special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me numrin lëndëve për korrupsion që është duke i trajtuar, por as ky departament nuk ka dhënë përgjigje.

Kosova vazhdimisht është kritikuar për mungesë të ndjekjes penale të politikanëve. E kjo, madje dhe luftimi i krimit e korrupsionit nga institucionet e drejtësisë kanë qenë pengesa kryesore për liberalizim vizash.