“Nëse Amerika e Rusia janë marrë vesh me nda Kosovën ...”

“Nëse Amerika e Rusia janë marrë vesh me nda Kosovën ...”

Rexhep Maloku Rexhep Maloku 15 December 2019 11:04

“Boris Yeltsini ishte njeri i Amerikës”.

“Perëndimi e mbajti Slobodan Milosheviqin në pushtet derisa u shkatërrua Jugosllavia”.

“NATO-ja e bombardoi Jugosllavinë për t’i testuar armët e veta”.

“Francezët u vendosën në veri që serbët ta ndanin më lehtë Mitrovicën”.

“Trazirat e marsit 2004 i shkaktuan agjenturat e huaja për ta përshpejtuar zgjidhjen e statusit të Kosovës”.

“Rugova ishte njeri i Perëndimit”.

Dikur thuhej “Hashën s’e do Amerika”, tash “Hashën e do Amerika.

“Nëse Amerika e Rusia janë marrë vesh me nda Kosovën, është punë e kryer”.

“Amerika s’e do Albinin kryeministër”.

Këto janë vetëm disa prej konspiracioneve me të cilat vulosen muhabetet e diskutimet e gjata nëpër parqe, autobusë, kafene, madje edhe institucione kur miqtë assesi nuk ia mbushin njëri-tjetrit mendjen me argumente të qëndrueshme për tema të caktuara. Dhe diskutuesit nuk janë vetëm qytetarë të rëndomtë. Ka edhe intelektualë e politikanë, të cilët përtej korrektësisë politike në paraqitje publike, kanë mendime të ngjashme për “fuqinë e padukshme” për përcaktimin e fateve të popujve më të vegjël, shkruan Koha Ditore.

Dhe qytetarët e Kosovës nuk janë të vetmit që kapen pas teorive konspirative kur vjen puna te ndryshimet e mëdha. Të dhënat tregojnë se rreth 150 milionë qytetarë anembanë botës u besojnë teorive konspirative. Por në Ballkan – ku, sipas fjalëve të burrështetasit britanik, Winston Churchill, më shumë prodhohet sesa mund të konsumohet histori – ziejnë turlifarë konspiracionesh, pavarësisht qëndrimeve zyrtare të fuqive të mëdha që mbrojnë të kundërtën.

“... nuk mund t’i injorojmë”

“Teoritë e konspiracioneve mund të tingëllojnë si çmenduri, por ja pse ekspertët thonë se më nuk mund t’i injorojmë”, titullohej shkrimi i 15 gushtit 2019 i revistës prestigjioze amerikane, “Time”, duke e mbështetur me vlerësime ekspertësh.

Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se teoritë konspirative janë instrument për shpjegimin e thjeshtëzuar të botës. “Atraktiviteti i jashtëzakonshëm i tyre ka të bëjë me formë të dembelisë intelektuale të një kategorie të caktuar të njerëzve, të cilët për shkak të mungesës së vullnetit apo kapacitetit intelektual, nuk vijnë në mënyrë autonome tek informatat objektive, vlerësimet racionale dhe konkluzionet përmbledhëse, mirëpo ngjarjet i analizojnë me dioptritë e gatshme që u ofrohen nga teoritë e këtilla”, thotë ai.

Edhe kolegu i Muhaxhirit, Fadil Maloku, thotë se njerëzit të cilët nuk janë të aftë t’i shpjegojnë argumentueshëm zhvillimet, priren t’i thjeshtojnë përfundimet e tyre me qasje konspirative. “Pamundësia për t’iu dhënë ngjarjeve, fenomeneve, pastaj dukurive dhe proceseve të ndryshme, përgjigje racionale dhe të logjikshme, dhe gjithnjë në përputhje me natyrën e njeriut, i ka shtyrë në teori të ashtuquajtura të konspiracionit”, thekson Maloku. “Pra, akti dhe fakti i disave për t’iu dhënë disa të tjerëve përgjigje adekuate, e disa të tjerëve për t’iu bërë pyetje, e shtyn njeriun që këto teori t’i prodhojë herë si satisfaksione të mosdijes, e herë si hipoteza mbi të cilat ndërtohet narracioni, i cili padyshim se e ‘provokon’ natyrën e kureshtjes së njeriut”.

Pashk Desku, veteran i arsimit në Lugun e Baranit, thotë se s’u beson asnjë fije konspiracioneve. “Dhe, a e di pse”, shton pyetjen retorike Desku, derisa shikon tre miqtë pensionistë në tavolinë, Avni Bikliqi, Sami Gashi dhe Vasfi Selimi në gjellëtoren ngjitur me qendrën e pensionistëve në kryeqytet. “Se konspiracionin na vetë e marojmë, si me thanë, konspiracioni është i pjellë vetvetiu. Nuk mundesh me realizu një dëshirë, dhe hajde, leja fajin konspiracionit si justifikim”.

Gashi, i cili gjatë viteve nëntëdhjetë kishte punuar mësimdhënës i shkollës shqipe në Gjermani, thotë se edhe atëherë kishte besuar se shqiptarët mund ta çlironin Kosovën edhe pa ndihmën e NATO-s. “Atje, kemi besuar se nuk na duhet as Amerika, as kurrkush, se mund ta çlironim vetë”, thekson Gashi. “Por ishin kanë zhgënjime. Të gjitha ishin kanë zhgënjime, se nuk kemi besuar se vjen dita me na mësu dikush, edhe mos me ngu kurrkënd”.

“Nuk i kemi pasur shtagat e barabarta, sepse fatkeqësisht nuk kemi mundur të çlirohemi vetë. I përkulemi Zotit në qiell dhe NATO-s, edhe Amerikës, se mos me pasë kanë ata, ishim në dreq të mallkuar”, ndërhyn Desku, duke përsëritur se imponimet vijnë si rezultat i pazotësisë së elitës politike të Kosovës për ta fuqizuar vendimmarrjen e Kosovës.

Ndërkohë Gashi shijon lugën e parë të kosit. I duket i thartë. “Qitja do sheqer se kështu ia bëja si student; bukë, kos e sheqer. Provoje”, ndërron për pak temën Desku. Gashi refuzon. Bikliqi ka ëmbëlsuar gojën me ravani. Kos porosit Selimi, i cili bashkë me Bikliqin, kishin punuar në Qendrën edukuese e korrektuese, i njohur në popull si Burgu i Lipjanit.

Bikliqi thotë se ndryshimet e mëdha, që vijnë si rezultat i mbështetjes së jashtme, sjellin edhe imponime të hisedarëve të mëdhenj. Kjo bën që njerëzit të mendojnë se gjithçka përcaktohet prej “dorës së padukshme”, megjithëse vendet me demokraci të brishtë, si Kosova, mbajnë zgjedhje dhe kanë institucione legjitime.

Blerim Vela, doktorant i studimeve parlamentare në Universitetin e Sussexit në Britaninë e Madhe, thotë se teoritë e konspiracionit lulëzojnë në shoqëri me skenë të polarizuar politike, sikurse e Kosovës - sidomos prej vitit 2010 e këndej. Thekson se teoritë e konspiracionit, në të shumtën e rasteve, mbështeten nga persona që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht.

“Në këtë kuptim, teoritë e konspiracionit janë mekanizëm përmes të cilit, personat e ndikuar nga to shpjegojnë zhvillimet politike në mënyrë tepër të thjeshtëzuar dhe pa adresuar në thelb shkaqet që ndikojnë në to”, thotë Vela, duke shtuar se kjo qasje pastaj vështirëson vendimmarrjen të bazuar në dëshmi e argumente.

Presidentët e zarfit dhe të SMS-ve

Në Kosovën shtet të pavarur, shumëkush, madje edhe disa opinionistë në media, thoshin se Perëndimi nuk do të lejojë Lëvizjen Vetëvendosje të bëhet pjesë e ndonjë qeverie për shkak të mbështetjes së zëshme të bashkimit kombëtar. Ambasadat perëndimore gjithnjë thonë se do të respektojnë vullnetin e popullit të Kosovës.

“Hashën nuk e do Amerika”, ishte njëra prej shprehjeve e kundërshtarëve të presidentit Hashim Thaqi para se PDK-ja t’i fitonte zgjedhjet në vjeshtën e vitit 2007. Tash, kur flitet për ndarjen e Kosovës, e shumëkush thotë: “Hasha, njeri i Amerikës”.

Sipas sociologut Muhaxhiri, në rastin e Kosovës, teoritë konspirative me tipare politike lidhen edhe me pafuqinë evidente të ndikimit vendimtar të Kosovës në zhvillimet e rëndësishme. “Në përvojat e deritashme politike ka shembuj të panumërt që dëshmojnë se, në aspektin gjeostrategjik dhe gjeopolitik, ‘kryesisht, të tjerët vendosin për Kosovën, e ndonjëherë edhe për Ballkanin’”, thekson ai.

Muhaxhiri ka thënë se kjo qasje ka ndikuar tejet negativisht në politikën kosovare, sepse e ka pasivizuar strukturën qeveritare e parlamentare “edhe në rastet dhe situata kur kanë ekzistuar mundësi reale të veprimit, duke u shndërruar kësisoj në mburojë artificiale për padije dhe mospunë”.

“Na nuk reagojmë as për ngritje të çmimit të rrymës, as për shtet, as për kurrgjë”, thotë Selimi, ish-drejtori i qendrës edukuese e korrektuese të Lipjanit, teksa kohë pas kohe shijon kosin.

Vela thotë se veprimet jotransparente të subjekteve politike dhe rastet e konfirmuara të përfshirjes së shteteve të huaja në procesin e vendimmarrjes në proceset e brendshme të Kosovës, shpesh përdoren për të arsyetuar dhe vazhduar përhapjen e teorive të konspiracionit. “Ky zëvendësim i legjitimitetit të brendshëm me atë të jashtëm, ka qenë dominues që nga paslufta dhe në veçanti nga viti 2010, kur partitë në pushtet nuk kanë pasur mbështetje të gjerë publike për të sjellë vendime rreth dialogut me Serbinë dhe marrëveshjen për vijën kufitare me Malin e Zi”, thotë Vela.

“Por atë që e ke imponuar, kurrë nuk është e shëndosh”, thotë Bikliqi, teksa flet për mënyrën e zgjedhjes së liderëve të Kosovës, të cilët shpesh nuk e përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në kutitë e votimit. “E atë që e ke ba vetë, është shtyllë e një shteti”.

Desku ndërhyn: “Se përndryshe, ekspertët që na kanë ardhur prej jashtë me na mësu neve, nuk kanë ditur më mirë se na”. Ai thotë se problemi më i madh i elitave të shqiptarëve është bajraktarizmi. “Dhe kur jemi krejt bajraktarë; këtë nuk du me lanë, atë nuk du me lanë. E kjo ta bje qat konspiracionin”.

Dihet mirëfilli se Kosova ia ka dalë dy herë të shmangë krizën e gjatë politike për zgjedhjen e presidentit vetëm pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të ish-ambasadorit amerikan, Christopher Dell. Behxhet Pacolli ishte zgjedhur me direktivat e dhëna nëpërmjet mesazheve telefonike të Dellit në kuvend, ndërkaq Atifete Jahjaga do të dilte prej zarfit të tij.

Maloku, profesori universitar në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se teoritë e konspiracionit si “provokim” kanë një histori që nuk e amniston narracionin që e shoqëron. “... por, përkundrazi, e bën më interesant, edhe për shkakun se shpjegime me hipoteza dhe pasiguri absolute, për natyrën kureshtare, bëhet gjithsesi më interesant edhe për publikun e gjerë”.

“Dora e fshehur”

Prishtinasi Afrim Sahiti, 45 vjeç, beson se ka një “dorë të fshehur” që vendos edhe për fatin e fuqive të mëdha, “e lëre më për vende të vogla si Kosova”. Konspiracione të ngjashme ka edhe për themeluesin e vërtetë të “ Shtetit Islamik në Siri dhe Irak”.

“Këqyre, a e banën Barack Obaman president të parë me ngjyrë. A e di pse? Se u kanë koha me i kallxu botës se Amerika prin në gjithçka. Por menjëherë e banën Donald Trumpin, krejt ndryshe prej Obamas”, thotë Sahiti.

“Teoritë e konspiracionit janë efektive për ta bërë atë që synojnë”, thekson Mike Wood, ligjërues në Universitetin e Winchesterit në Angli. Dijetari i specializuar në psikologjinë e teorive konspirative, ka deklaruar për “Time” se “konspiracionet i motivojnë njerëzit të ndërmarrin veprime – të votojnë apo të mos votojnë, të vaksinojnë, apo të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, që t’i bëjnë krejt gjërat që janë të rëndësishme”.

“Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se shumë e më shumë njerëz po besojnë në teoritë e konspiracionit, dhe ato kanë rezultate negative”, thotë Viren Swami, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin “Anglia Ruskin” në Mbretërinë e Bashkuar, dhe i cili ka botuar shumë studime për teoritë e konspiracionit.

Vela, doktoranti i studimeve parlamentare në Universitetin e Sussexit, thekson se edhe demokracitë më të avancuara nuk janë imune ndaj fenomenit të teorive të konspiracionit. Ngjashëm si në Kosovë, shton ai, edhe në botën e zhvilluar, çështjet që lidhen me fenomenet politike, luftërat apo shëndetin janë pre e teorive të konspiracionit. Sipas tij, shtrirja e gjerë e internetit dhe rrjeteve sociale ka bërë që teoritë e konspiracionit të fuqizohen edhe më shumë. “Kjo pasi, sipas studimeve të fundit, rrjetet sociale, janë burimi kryesor i informimit për shumicën e njerëzve për zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike në vendet ku jetojnë”, thotë Vela.

Muhaxhiri thotë se rrjetet sociale iu kanë dhënë hov të madh teorive konspirative për shkak të lehtësisë enorme të krijimit dhe shpërndarjes masive të informatave nga burime jokredibile. “Teoritë konspirative kanë pushtet të madh negativ social dhe kulturor, sepse e deformojnë realitetin dhe krijojnë alternativa të paqena, të cilat pastaj shndërrohen në paralelizëm fiktiv të ngjarjeve konkrete”, thotë ai.

Vela vlerëson se niveli i ulët në sistemin arsimor, besimi i ulët ndaj partive dhe institucioneve publike dhe mungesa e profesionalizmit të mediave dhe portaleve informative pamundësojnë reagimin efikas ndaj teorive të konspiracionit. “... dhe për rrjedhojë, shumica prej tyre vazhdojnë ‘jetën’ e tyre të patrazuar duke ’rekrutuar’ përkrahës të rinj”, thekson ai.

“Nëse Amerika e Rusia janë marrë vesh me nda Kosovën, është punë e kryne. Rusia e njeh Kosovën; Amerika ia njeh Rusisë Krimenë si territor të vetin”, thotë Sahiti, duke e lidhur debatin për ndarjen e Kosovës me çështjen e territorit ukrainas të aneksuar nga Rusia më 2014.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

agroni (Ferizaj).16/12/2019 09:39

Kete Shume Veshtire e Kuptojne kosovaret sepse NUK kane Shkolle, shumica prej tyre jane ANALFABETA.

Shto koment

Të ngjashme