Arbëri

Arrestohet Xhabir Zharku

Krimet Ekonomike kanë arrestuar ish-kryetarin e Kaçanikut Xhabir Zharkun, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Departamenti i Krimeve Ekonomike në Ferizaj gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një operacion shumë të suksesshëm i cili ka rezultuar me arrestimin e ish kryetarit të Komunës së Kaçanikut, raporton Koha Ditore.

Arrestimi i tij është bërë për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare derisa ishte kryetar i komunës së Kaçanikut në vitin 2010.

Burime të sigurta të gazetës “Koha Ditore” kanë thënë se ish-kryetari Zharku më 2010-n ia kishte dhënë një parcelë prej disa arësh në shfrytëzim një kompanie private e cila ndërkohë ia ka shitur një kompanie tjetër me pa të drejtë ligjore. Ndërkohë, kompania blerëse ka ndërtuar një objekt banesor dhe e ka paditur komunën që më pastaj Gjykata ia ka njohur të drejtën kësaj kompanie dhe prona ka kaluar në emër blerësit.

Ndërkohë ish kryetari Zharku, nuk e ka lejuar zyrtaren ligjore të iniciohet një ankesë në shkallën e dytë të gjykatës pasi që ajo parcelë nuk është dashur të shitet në këtë mënyrë. Ish kryetari Zharku tashmë përveç veprës për keqpërdorim të detyrës zyrtare do të përballet edhe me veprën tjetër “ndikim i presionit ndaj zyrtares ligjore”.

Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot, më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar'' dhe “Ushtrim i ndikimit”, tha për KTV-në Bajram Krasniqi.

Krasniqi shtoi se rasti dyshohet se ka ndodhur në vitin 2010 në Kaçanik.

“Me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundoi ai.

Xhabir Zharku në vitin 2011 ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa pas kësaj ishte arratisur, raporton Koha.net.

Qysh nga arratisja e tij ka jetuar në Suedi e në disa raste ka marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.

Për gati 5 vjet e gjysmë ish-kryetari i Kaçanikut qëndroi në arrati në Suedi.

Më 7 qershor të vitit 2018 Xhabir Zharku u kthye sërish në Kosovë.

Gjykata e Kaçanikut në maj të po këtij viti kishte nxjerrë vendimin për të ndalë ekzekutimin e dënimit me burg për ish-kryetarin e arratisur të Kaçanikut, Xhabir Zharku.