Arbëri

Dy javë pas tërmetit, banorët e Durrësit po vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi

Pëllumb Gjata banonte në pallatin Viko, në lagjen 13 të Durrësit.

Mirëpo, pas tërmetit, kjo ndërtesë është shkatërruar dhe asnjë nga banorët nuk qëndron aty, raporton KTV.

Gjata thotë se detyrohen të flenë në veturë.

Ndërtesa është e shkatërruar dhe është cilësuar e pabanueshme, siç u është thënë banorëve.

Gjata thotë se po kanë problem të sistemohen nëpër hotele, për shkak se nuk ekziston asnjë dokument në Bashkinë e Durrësit se ndërtesa Viko është e pabanueshme.

Këtu banonin mbi 50 familje. Që të gjitha janë larguar, e siç tregojnë, një pjesë e tyre flenë në makina e disa të tjerë nëpër shtëpi të ndryshme marrë me qira.

Por, atyre u është thënë që të kalojnë natën në këtë ndërtesë, pasi që nuk ka dokumente që dëshmojnë se ajo paraqet rrezik.

Ndërtesa në gjendje të tillë shihen në pothuajse gjithë Durrësin.

Të çara të shumta e blloqe të murit të rëna ka në një numër të madh të banesave e shtëpive në këtë qytet.

Mirëpo, kjo duket se nuk u ka penguar disa prej banorëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Stefan Papa është i vetmi banor i ndërtesës së tij.

Ai thotë se ka frikë të jetojë aty, por i është thënë që pallati është i banueshëm.

Për shkak të dëmtimeve të mëdha nëpër ndërtesa shumëkatëshe, banorët thonë që janë të rrezikuar.

Ata tregojnë se presin nga dita në ditë që edhe kjo ndërtesë të shembet, për shkak të ndërtimit të dobët.

Problemi më i madh për banorët e lagjes 13 të Durrësit mbetet mungesa e sigurisë.

Ata thonë se askush nga Bashkia apo ekipet e inspektorëve nuk u tregon saktësisht në mund të banojnë ose jo në shtëpitë e tyre.

E përveç atyre që kanë vendosur të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, një numër i konsiderueshëm i banorëve, nga frika prej tërmeteve të tjera, janë vendosur nëpër hotele ose janë larguar nga Shqipëria.

Në Golem është strehuar Majlinda Loçi, e cila fillimisht kishte ardhur në Kosovë e pastaj ishte kthyer në vendlindje.

Hoteli në fjalë, sipas administratorëve, ka akomoduar mbi 500 persona.

Edhe hotelet përgjatë gjithë bregdetit janë të prekura nga tërmeti

Me urdhër të Qeverisë së Shqipërisë, ka filluar investimi në objekte që janë më pak të dëmtuara, në mënyrë që të bëhen të banueshme përsëri.