Arbëri

Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë më shumë vëmendje nga qeveria e re

Descriptive Text

Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Malit të Zi kanë kërkuar më shumë angazhim nga qeveria e re.

Këtë e kanë kërkuar sot kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Malit të Zi, Faik Nika bashkë me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu në një takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Z. Nika dhe z. Nimanbegu uruan Kryetarin Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehën dëshirën që qeveria e re e Republikës së Kosovës të formohet sa më parë. Ata ndanë edhe shqetësimin e tyre në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi, emigrimin në rritje, asimilimin dhe natalitetin e ulët, duke shprehë bindjen se qeveria e re e Kosovës do të ketë një vëmendje të shtuar për shqiptarët që jetojnë atje”, ka shkruar ai.

Njoftohet se Kurti i falënderoi për urimin e vizitën dhe i njoftoi me prioritetet e qeverisë së re të Kosovës që do të formohet së shpejti, e që janë punësimi dhe drejtësia.

“Në lidhje me shqiptarët jashtë kufirit dhe ata në Mal të Zi, ai tha se është e rëndësishme që ata të bashkohen por që edhe më e rëndësishme është t’iu zgjerohet korniza e mundësive në ato vende ku ata jetojnë e këtu një rol më aktiv pa dyshim se duhet ta kenë Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të takimit, u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.