Zyrtarët serbë kanë kërcënuar sërish se do të formojnë pa institucionet e Kosovës asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ka qenë Goran Rakiqi, i cili të mërkurën deklaroi se nuk kanë nevojë për Kosovën, për të formuar këtë institucion, raporton KTV.
Megjithatë, nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se asociacioni nuk mund të themelohet në mënyrë të njëanshme.
Por, formimi i këtij institucioni këtë kohë mund të shkaktonte probleme në skenën politike.
Artan Murati thotë se institucionet e Kosovës duhet bërë çmos që të mos lejojnë veprime të tillë nga ana e zyrtarëve serbë.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët serbë paralajmërojnë që do ta krijojnë asociacionin e komunave serbe në mënyrë të njëanshme.
Formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe parashihet nga marrëveshja e Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Në vitin 2015, vendet kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e këtij asociacioni, duke specifikuar edhe mënyrën e formimit, derisa në dhjetor të po këtij viti, Gjykata Kushtetuese, në 23 pika kishte gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni me Kushtetutën e vendit.