Aktivistët e komunitetit truAktiv organizuan aksionin rrugor “1651 storie pa za” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, përpara ndërtesës së Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie me neglizhencën institucionale për zbardhjen e fatit të 1651 personave, të cilët vazhdojnë të jenë të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.
truAktiv thotë se duke e neglizhuar këtë çështje, institucionet e Kosovës vazhdojnë ta mohojnë të drejtën për të vënë drejtësinë në vend dhe të familjarëve të të pagjeturve për ta ditur të vërtetën rreth fatit të tyre.
“Përmes këtij aksioni rrugor synuam ngritjen e vetëdijes qytetare dhe institucionale rreth çështjes së pazgjidhur të personave të pagjetur në Kosovë. Kjo çështje duhet të prioritizohet nga institucionet si e drejtë fundamentale e njeriut për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë rreth personave të pagjetur. E në të njëjtën kohë që të dialogohet për zbardhjen e fatit të 1651 personave të pagjetur për të pasur paqe të mirëfilltë në mes të dy vendeve duke u ballafaquar me të kaluarën, e jo të dialogohet ‘sa për shkrepje të fotove’. Ne sot e ngritëm zërin për 1651 personat e zhdukur gjatë luftës dhe familjarëve të tyre të cilët vuajnë mungesën e tyre dhe të vërtetës në baza ditore”, përfundon deklarata e truAktiv.