Arbëri

Kërkohet përfaqësim i barabartë i grave në Qeveri

Foto: Koha / ilustrim

Në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, gratë siguruan 38 nga 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës dhe tani çështje tjetër mbetet përfaqësimi i grave në qeverinë dhe institucionet tjera që pritet të formohen. Përfaqësues nga shoqëria civile thonë se duhet të zbatohet Ligji për barazi gjinore, i cili parasheh përfaqësimin 50 me 50 për qind për të dy gjinitë.

Një fakt i rëndësishëm që është vlerësuar në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, ka të bëjë me atë se shumica e grave të zgjedhura në kuvend, kanë arritur të sigurojnë pozitën e deputetes me anë të votave dhe jo përmes kuotës gjinore.

Sistemin e kuotave në Kosovë për herë të parë e pati aplikuar Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në vitin 2000. Në bazë të një rregulloreje, ky mision kërkonte që së paku 30 për qind të kandidatëve në listat e partive të jenë të gjinisë femërore. Në këtë kuadër, kërkohej që 30 për qind të përbërjes së legjislativit ta kenë gratë.

Por, përtej kuotës, është edhe Ligji për barazi gjinore i cili parasheh një përfaqësim të barabartë të gjinive, në kandidim dhe përfaqësim.

Blerta Aliu nga Instituti Demokratik i Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kuota gjinore ka paraqitur efektet pozitive, por ajo preferon që partitë apo subjektet politike që garojnë në zgjedhje, të kenë në listat e tyre 50 për qind kandidate gra.

Ndërkaq, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, thotë se kuota gjinore në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor, tregoi efekte maksimale, pasi gratë janë votuar më shumë se sa në ciklet tjera zgjedhore.

Pavarësisht kësaj, ajo kërkon nga subjektet politike të cilat do arrijnë të krijojnë qeverinë e re, të zbatojnë Ligjin për barazi gjinore.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë.