Arbëri

Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” thotë se mohimi i masakrës së Reçakut është krim i dyfishtë

Foto: Koha

Reagimeve të shumta ndaj deklaratave të Serbisë se masakra e Reçakut ka qenë trillim, i është shtuar edhe Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” të Podujevës.

Përmes një komunikate për media, kjo shoqatë thotë se mohimi i masakrës së Reçakut është krim i dyfishtë, dhe kjo dëshmon se “presidenti serb, Alleksandar Vuçiq ka mendësi fashiste e është mbetje millosheviqiane”.

Sipas kësaj shoqate, krerët shtetërorë të Serbisë kanë përgjegjësi për të treguar se ku janë varrezat masive të shqiptarëve në vendin e tyre dhe në Kosovë, derisa thekson se pa pranim të këtyre krimeve dhe pa kërkimfalje nuk do të ketë paqe në Ballkan.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri i kasapit të fundit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, u kthye në rolin e më hershëm që kishte: ta mbronte një kasap që po kryente gjenocid. Me mohimin e masakrës së Reçakut, Vuçiqi dëshmon se nuk është gjë tjetër veçse një fashist i vogël që ende jeton në Ballkan, duke e vazhduar frymën e Millosheviqit që vrau me mijëra civilë në Kosovë, Bosnje e Kroaci. Asgjë dhe askush nuk mund ta mohojë gjenocidin që bëri Serbia ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Dëshmitë janë varrezat e fëmijëve që u masakruan. Dëshmi janë varrezat e pleqve, nënave shtatzëna. Varrezat nuk mundet askush t'i zhdukë. Mendësia e fashistit e Vuçiqit tregon se ai nuk e ka ndërmend as të kërkojë falje dhe as ta pranojë krimin e popullit serb që bëri ndaj Kosovës. Vuçiqi dëshmoi se nuk e ka ndërmend të kërkojë falje për dhunimet e keqtrajtimet e mijëra grave, burrave e fëmijëve”, thotë kjo shoqatë ndër të tjera.

Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” thotë se, në vend se të mësojë nga civilizimi, rasti i fundit i kancelares gjermane Merkel, që shkoi në Poloni dhe kërkoi falje dhe u ndje e trishtuar me atë që kishte bërë Hitleri ndaj popullit të pafajshëm, “Vuçiqi zgjodhi mohimin e masakrës”.

“Të mohosh krimin që u dëshmua në të gjithë botën, është krim i dyfishtë”, deklaron kjo shoqatë.

“Përkorë” pyet pse Vuçiqi nuk e pranon kurrë që në Serbi trupat e shqiptarëve të vdekur u hodhën në lumenj, u groposën dhe mbi eshtrat e tyre u ndërtuan shtëpi, siç është rasti i Rashkës.

“Vuçiqi duhet të tregojë për shtatë varrezat e Batajnicës dhe Peruqacit, të tregojë sa fëmijë, gra dhe burra i varrosën në këto varreza. Ndoshta edhe këto varreza masive të zbuluara deri më tani në Serbi presidentit Vuçiq i duken fantazma dhe i mohon, por krimi i kryer kurrë nuk mund të fshihet”, thekson “Përkorë”.

Më tej, Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” thotë se Vuçiqi po ashtu duhet të tregojë dhe dëshmojë për të gjitha varrezat tjera masive si në Serbi, po ashtu edhe në Kosovë, pasi që, siç thotë kjo shoqatë, “jemi të bindur se Serbia ka shënime të sakta për të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit”.

“Vuçiqi e Daçiqi, dy pasardhësit e kasapit të Ballkanit, duhet të dëshmojnë për krimet, sepse ishin pjesëmarrës në këto krime dhe të kërkojnë falje. Ndryshe paqe nuk do të ketë në Ballkan, përderisa nuk e pranojnë publikisht, ashtu siç pranuan fajin për rastin ‘Panda’ në Pejë, që i vranë fëmijët e tyre për kauza të rrejshme. Serbia duhet ta harrojë mendësinë fashiste, dhe t'i kërkojë falje popullit të Kosovës që kreu gjenocid, dhe Ballkani të jetë i qetë. Ndryshe, kjo mendësi, Ballkanin e mban gjithmonë me barut afër shpërthimit”, ka përfunduar Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë”.