Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nga nxënësit kosovarë që kanë marrë pjesë në testin PISA, vetëm 0.01 % e tyre kanë arritur të kalojnë mesataren.
“Vetëm 0.01 % e nxënësve kanë kaluar mesataren e testit PISA. Ky është alarmi i fundit që të kemi angazhim të përgjithshëm kombëtar në të gjitha nivelet arsimore. Ne kemi paraparë vëmendjen që duhet t’i kushtohet edukimit në moshë të hershme. Në mandatin e parë qeverisë kemi paraparë që fëmijët e moshave 2-5 vjet të përfshihen në edukimin e hershëm”, tha Nagavci në Interaktiv të KTV-së.
Ajo foli edhe për përmirësimin e teksteve shkollore pasi, sipas saj, ka pasaktësi në shumë prej tyre.
Sipas saj, duhet të forcohen edhe kapacitetet në departamente të ndryshme, si në ministri, ashtu edhe nëpër komuna.
“Llogaridhënia nuk duhet të përjashtohet”, deklaroi deputetja e re e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci.
“Gjithçka në shkollat tona ka qenë e politizuar”, tha ajo, duke theksuar se ato ndikime politike s’kanë reflektuar në përmirësim të cilësisë në arsim.