Shasha: Në pjesën e dytë të vitit 2020 mund të ketë progres për liberalizimin e vizave

Shasha: Në pjesën e dytë të vitit 2020 mund të ketë progres për liberalizimin e vizave

02 December 2019 17:59

Demush Shasha, drejtori i Institutit Epik në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se në pjesën e dytë të vitit 2020 mund të ketë progres për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai thotë se ka dy risi në përbërjen e re të Bashkimit Evropian.

“Risitë në kuptimin e përbërjes së re në Bashkimin e Evropian janë dy: Për herë të parë Parlamenti Evropian ka ushtruar kompetencat e veta në një formë më rigoroze, në kuptimin se për herë të parë refuzoi dy komisionerë të nominuar nga Hungaria dhe Rumania, kurse e dyta është që për herë të parë nuk kemi komisionerë nga secili vend anëtarë i BE-së”, u shpreh Shasha.

Ai thotë se nuk pret që Komisioni i ri Evropian do të ketë tranzicion të shkurtë apo të gjatë, pasi punën e vet e bazon në një burokraci shumë efikase, derisa tregon se çfarë e pengon zgjerimin e BE-së.

“Ajo çfarë ka munguar ishin vendimmarrësit. Ajo çfarë e ngadalëson procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit perëndimor është diskutimet rreth të ardhmes. Franca kërkon një reformë para se të bëhet zgjerimi i BE-së dhe kjo është ajo që po e ngadalëson këtë proces. Ka një debat të ashpër brenda vende anëtare të BE-së për çështje të ndryshme, jo vetëm atë të zgjerimit, psh e ardhmja e NATO-s të cilin Franca e Gjermania kanë pikëpamje të ndryshme. E përplasje të mëdha ka edhe për buxhetin”, u shpreh ai.

Sipas tij rreziku i ngadalësimin të procesit të zgjerimit është kërkimi i Francës për reforma të thella.

Shasha thotë se migrimi është një temë tjetër që ka ndarë vendet e BE-së, e madje kjo ka çuar disa vende edhe në gjykatë për këtë çështje.

“Migrimi është shndërruar lojë politike, në veçanti në Francë dhe Macron është i vetëdijshëm se partia e tij i fitoi zgjedhjet vetëm për një për qind. E kjo çështje ndikon edhe në pozicionimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Por, më së shumti ato i shqetëson regresi në kualitetin e demokracisë”, thotë ai.

Sipas Shashës fakti që BE-ja nuk ka hapur negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke shtyrë nga samiti në samit vendimin tregon një mungesë të vullnetit politik për të marrë një hap të vogël drejt anëtarësimit të tyre në BE, e ky është një hap shumë i vogël drejt këtij drejtimi.

Ai thotë se Kosova nuk duhet të shqetësohet që ish-ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell, tani është emëruar në postin e Shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.

“Momentin që një komisioner e merr detyrën nga BE ai nuk ushtron më rol nga qeveria e vendit të tij, por nga ajo Evropiane. Në këtë kontekst BE-ja pret zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kërkojnë një marrëveshje detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Borrelli sot është zyrtar i BE-së dhe do të zbatojë kërkesat që i janë parashtruar”, ka deklaruar Shasha.

Ai ka shtuar se janë katër prioritete të BE-së: Siguria e qytetarëve të BE-së, rritja ekonomike, ndryshimet klimatike dhe që BE-ja të jetë akter në skenën globale.

Shasha tutje ka thënë se sipas komisionerit të ri të Zgjerimit të BE-së, hungarezit Oliver Varhelyi nuk pritet që të ketë progres të madh për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Sipas Varhelyi Serbia në fund të pesë viteve të ardhshme të jetë i gatshme të hyjë në BE, kurse Shqipëria e Maqedonia e Veriut, Mali i Zi të kenë hapur negociatat, kurse Kosova të ketë liberalizim të vizave”, ka deklaruar Shasha.

Por, sipas Shashës në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm mund të ketë progres për liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa në rastin më të mirë në pesë vitet e ardhshme mund të jetë kandidate për hapjen e negociatave.

“Në pesë vitet e ardhshme duhet të jemi pesimist. Ajo çfarë mund të presim është se Shqipëria, Maqedonia Veriore e Mali i Zi duhet të hapin negociatat. Kurse Serbia do të hapë negociatat nëse arrin marrëveshje me Kosovën. Kurse për Kosovën në rastin më të mirë në afatshkurtër do të ketë liberalizimin kurse në rastin më të mirë në pesë vitet e ardhshme mund të jetë kandidate për hapjen e negociatave. Mund të shpresojmë se në pjesën e dytë të vitit 2020 mund të ketë progres për liberalizimin e vizave. Por, gjithnjë duke shpresuar se do të ketë progres në dialogun me Serbinë dhe luftën kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme