Arbëri

Shqipëria shënon 107 vjet shtetësi nën ankthin e tërmeteve

Foto: Reuters

Të paktën 40 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që e goditën Shqipërinë në dy ditët e shkuara, përderisa bilanci i viktimave vetëm sa shkon e rëndohet.

Qindra persona kanë kaluar natën e dytë mes rrënojave, nëpër tenda apo vetura, pas tërmetit me magnitudë 6.4, njëherësh më i fuqishmi në dekada që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Ekipet e shpëtimit nga më shumë se 10 shtete u janë bashkuar ekipeve të Shqipërisë më 27 nëntor, për të kërkuar personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Shumica e viktimave janë shkaktuar në qytetin e Durrësit dhe qytezën Thumanë.

Numri më i madh i viktimave është shënuar në Thumanë ku u rrëzuan dy pallate dhe mbetën të vdekur 23 persona. Gjashtëmbëdhjetë persona tjerë kanë humbur jetën në disa zona të Durrësit, në një pallat 6 katësh të shembur në qytet, në dy hotele të rrënuara në zonën e Plazhit si dhe një shtëpi në zonën e ish-Kënetës, ku jetonin tre vëllezër dhe familjet e tyre. Mes viktimave deri tani janë 4 fëmijë, nga 3 deri në 8 vjeç.

Shqipëria sot shënon 107-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ditë kjo që e gjen vendin në panik dhe pa qetësi.

Presidenti i vendit, Ilir Meta tha se kjo ditë e gjeti vendin në zi dhe i ftoi qytetarët të qëndrojnë të bashkuar për të ndihmuar kthimin në normalitet të familjeve të prekura nga tërmeti.

“Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre”, tha Meta.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se Dita e Flamurit e gjeti Shqipërinë në errësirë.

“Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët pa asnjë dallim, kudo që janë e pavarësisht bindjeve që kanë dhe flamurin më të bukur në botë sigurisht”, shkruan Rama.

Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka thënë se me rastin e 107-vjetorit të pavarësisë “mendimet dhe lutjet e shqiptarëve” janë me të lënduarit dhe familjet e viktimave.

“Mëngjesin e të martës, ndërkohë që shqiptarët përgatiteshin për të përkujtuar 107-vjetorin e Pavarësisë, një tërmet i tmerrshëm goditi vendin tonë. Ende nuk e dimë përmasën e plotë të dëmeve. Ajo që dimë deri tani është se me dhjetëra shqiptarë kanë humbur tragjikisht jetën nën rrënoja, qindra janë lënduar dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Mendimet dhe lutjet tona janë me të lënduarit, me ata që vuajnë dhe me familjet që përjetuan dhimbjen më të madhe, atë të humbjes së njerëzve të tyre të shtrenjtë”, tha Basha.

Në anën tjetër, përveç telegrameve të ngushëllimeve, vendet nga e gjithë bota i kanë dalë në ndihmë Shqipërisë, me donacione monetare dhe ushqimore.

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, me anë të një postimi në Twitter, ka shprehur solidaritetin me Shqipërinë.

“Në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, mendimet tona janë me popullin shqiptar dhe në veçanti me të prekurit nga tragjedia dhe familjarët e tyre. Më shumë se kurrë, Bashkimi Evropian qëndron i bashkuar me popullin shqiptar”, shkruan mesazhi i BE-së.

Edhe presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jean Claude Junker i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, ku shpreh ngushëllimet për viktimat e tërmetit dhe konfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë në këto çaste të vështira për vendin.

"Me pikëllim të madh mësova për shkatërrimin që shkaktoi tërmeti në Shqipëri, i dyti në dy muajt e fundit. Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat, familjet e tyre dhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Bashkimi Evropian solidarizohet me Shqipërinë në këto çaste tragjike dhe ju mund të mbështeteni në ndihmën tonë”, shkruan Junker.

Një tjetër tërmet i magnitudës 5,3 goditi Shqipërinë në orën 15:45 të ditës së mërkurë, duke shkaktuar lëvizje të mëtejshme të rrënojave të godinave tashmë të shembura. Epiqendra e tërmetit ishte në Detin Adriatik, 24 kilometra në veri të Durrës, me thellësi 10 kilometra.Kryqi i Kuq në Shqipëri ka thënë se rreth 2,500 persona janë zhvendosur. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë ka bërë të ditur se vendi është goditur nga 523 lëkundje të tokës që nga goditja e madhe e mëngjesit të së martës.

Katër lëkundjet më të fuqishme kanë qenë me magnitudë mbi 4.5 përfshirë edhe ngjarjen kryesore të tërmetit me magnitudë 6.3.

Ndërkohë 8 lëkundje janë me magnitudë 4 - 4.5 të Rihterit. Rreth 17 lëkundje janë 3.5 - 3.9, dhe pjesa tjetër janë poshtë kësaj magnitudë.

Pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të së martës, Ministria e Arsimit të Shqipërisë, ka njoftuar se mësimi në mbarë vendin do të ndërpritet për dy ditë.

Shqipëria edhe dy muaj më parë është goditur nga një tërmet me një magnitudë 5.8 gradë të shkallës Rihter dhe intensitet 7.5 ballë. Ai u konsiderua si më i madhi i regjistruar në 20-30 vitet e fundit.

Ai tërmet u pasua nga të paktën 350 lëkundje me një intensitet më të ulët./Rel