Arbëri

Zvicra planifikon zgjatjen dhe rritjen e misionit të saj ushtarak në Kosovë

Foto: Keystone

Këshilli Federal i Zvicrës planifikon të vazhdojë misionin e Forcave të Armatosura Zvicerane si pjesë e KFOR-it në Kosovë (Swisscoy) dhe të rrisë numrin e kontingjentit nga 165 në 195 personel ushtarak. Kjo do t’ua mundësojë forcave të armatosura zvicerane të plotësojnë nevojat shtesë të KFOR-it.

“Viteve të fundit, situata politike dhe ajo e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor është çorientuar, duke detyruar NATO-n të heq dorë nga synimi i saj për të përgjysmuar numrin e pjesëtarëve të KFOR-it. Në mbledhjen e tij të 27 nëntorit, Këshilli Federal aprovoi dërgimin e çështjes në Parlament, i cili tani duhet të autorizojë vendosjen e forcave të armatosura. Vendosja e personelit ushtarak zviceran si pjesë e KFOR-it, që aktualisht është i aprovuar deri më 31 dhjetor të vitit 2020, duhet të zgjatet deri më 31 dhjetor, 2023. Sipas mandatit aktual dhe në mënyrë që të adaptohen shkathtësitë e Forcave të Armatosura të Zvicrës sipas kërkesave të KFOR-it, numri maksimal i kontingjentit u ul prillin e vitit 2018 nga 235 në 190 dhe në tetot 2019 në 165. Kjo ulje në numra ishte e ndërlidhur me tërheqjen e mjeteve të rënda të përdorura për punë transporti dhe inxhinierike për të cilat KFOR-i më nuk ka nevojë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë zvicerane, raporton Koha.net.

“Pasojat e konfliktit ende ndihen gjerësisht në Kosovë, si në nivelin nacional ashtu edhe në marrëdhëniet e saj me Serbinë. Viteve të fundit, marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës janë përkeqësuar, që ka çuar në rritje të re të tensioneve dhe në incidente të nxitura nga të dyja palët. Ndonëse rreziku për një konflikt të ri të armatosur në Kosovë është i ulët, situata politike dhe ajo e sigurisë vazhdon të kërkojë prezencën e KFOR-it në mënyrë që të garantohet paqja dhe stabiliteti”, shkruan më tej në këtë njoftim.

Tutje, qeveria zvicerane thotë se mungesa e kapaciteteve të cilat janë vërejtur kohëve të fundit në KFOR kërkojnë mbështetje shtesë në fushat e mobilitetit dhe të mbledhjes së të dhënave si dhe në plotësimin e pozitave në bazën e KFOR-it. Këto janë pozita që “Swisscoy” edhe deri më tani ka kontribuuar.

Siç ka qenë rasti edhe deri më tani, në rast të një kërcënimi në rritje, kontingjenti zviceran mund të përforcohet me 20 persona shtesë maksimumi për katër muaj, ndërsa në fushat ku kërkohet punë logjistike dhe të mirëmbajtjes, mund të përforcohet me 50 persona maksimumi për gjashtë muaj.

“Për shkak të marrëdhënieve të afërta mes Zvicrës dhe Kosovës, stabiliteti në rajon është edhe në interes të Zvicrës. Aktualisht, rreth 500,000 persona me prejardhje nga Evropa juglindore jetojnë në Zvicër, përfshirë më shumë se 200,000 me origjinë kosovare. Me pjesëmarrjen e saj, Zvicra, e cila edhe përfiton nga prezenca në këtë mision, demonstron mbështetjen e saj për këtë përkushtim të përbashkët, dhe e dëshmon solidaritetin e saj me popullin e Kosovës dhe me partnerët e saj të KFOR-it. Veç kësaj, që nga vendosja e ‘Swisscoy’-t më 1999, Forcat e Armatosura Zvicerane kanë mësuar mësime të vlefshme, në veçanti për sa i përket rishikimit dhe përmirësimit të procedurave të veta”, ka theksuar Qeveria zvicerane.