Arbëri

Ekspertët italianë të kërkim-shpëtimit mbërrijnë në Shqipëri

Foto: Reuters

Kanë mbërritur në Shqipëri ekspertët e parë të kërkimit dhe shpëtimit nga Italia, ndërsa dega e Guardia di Finanza-s në Durrës ka marrë pjesë në veprimtaritë e shpëtimit që në orët e para të mëngjesit.

Ambasada e Italisë në Tiranë informoi më herët se kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte autorizoi nisjen e njerëzve dhe mjeteve për t’iu përgjigjur kërkesës për ndihmë të ardhur nga Shqipëria pas tërmetit që goditi vendin në orët e para të ditës së sotme, transmeton ATSH.

Ekipi përbëhet nga skuadrat Usar të kërkimit dhe shpëtimit të Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri të Toskanës dhe nga skuadrat operative të Puljas dhe Kampanias, nga stafi mjekësor i Rajonit të Lombardisë, nga inxhinierë dhe teknikë të Trupës Kombëtare të Shërbimit për Mbrojtjen nga Zjarri, ekspertë në vlerësimin dhe analizën e dëmeve, nga personeli i Departamentit të Emergjencave Civile dhe i Kryqit të Kuq Italian dhe aktualisht po niset për në Shqipëri.

Ekipi italian, përveç aktiviteteve të kërkimit dhe shpëtimit, do të angazhohet për të garantuar mbështetjen e nevojshme për autoritetet vendore në vlerësimin e dëmeve dhe të rrezikshmërisë së strukturave si publike ashtu edhe private.

“Italia u gjendet pranë institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë që me shumë guxim janë të angazhuar për t’u dhënë ndihmë familjeve të shumta të prekura nga tërmeti dhe shpreh ngushëllime për viktimat”, – thuhet në njoftimin e ambasadës italiane. Ndërkohë ambasada publikon edhe numrin e emergjencës për shtetasit italianë :☎️+35542274900.

Një tërmet me magnitudë 6.3 Rihter goditi në orët e para të mëngjesit vendin tonë. Deri tani raportohen 16 viktima dhe mbi 600 të plagosur. Ekipet e shpëtimit po mundohen të nxjerrin nga rrënojat personat që kanë mbetur brenda.