00:10

LDK-ja asnjëherë nuk na ka kërkuar postin e Presidentit, thotë Haxhiu

Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes, në Interaktiv të KTV-së i ka cilësuar si jashtëzakonisht konstruktive diskutimet për hartimin e programit të përbashkët qeverisës me LDK-në.

“80 për qind të programit e kemi përafruar, në një dokument voluminozë që e kemi përgatitur. Ndërkohë kanë pasur një takim z. Kurti dhe z. Mustafa dhe janë marrë vesh që në 3 ditë pas certifikimit të rezultatit të caktojnë pozicionet”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se LDK-ja asnjëherë zyrtarisht në takimet që kanë mbajtur nuk e ka kërkuar postin e presidentit.

“Deri tash nuk kanë kërkuar asnjëherë zyrtarisht për një gjë të tillë. Ne ju kemi thënë se duhet të flasim për pozita të zbrazëta. Posti i presidentit aktualisht nuk është i tillë, dhe nëse Thaçi nuk dorëhiqet dhe ne nuk kemi votat e nevojshme për shkarkimin e tij dhe i dimë procedurat, atëherë nuk mund të flasim për këtë pozicion”, ka thënë Haxhiu.

“Asnjëherë nuk e kemi disktuuar as ndarjen e ministrive, ka mbetur që të përcaktohen në takimet e liderëve. Jemi pajtuar që të kemi vetëm 12 ministri, dhe të secila të ketë maksimum 3 zëvendësministra. Kemi mospajtime në postet e zëvendëskryeministrave. Ne kemi kërkuar 2, LDK-ja më pak”, ka thënë ajo.

E pyetur për kundërpeshën e postit të kryeministrit, dhe për formulën e ndarjes nga 5 ministri për dy partitë e mëdha dhe 2 minoriteteve, Haxhiu ka thënë se “sa i përket postit të kryeministrit atë e kanë vendosur qytetarët”, ndërsa “për numrin e ministrive nuk kemi diskutuar”.

Ajo ka thënë se pritet që certifikimi i rezultateve do të bëhet brenda kësaj jave.

“E pastaj çka varet prej neve do të bëhet shumë shpejt. Presidenti i ka 30 ditë afat për të ftuar Kuvendin, mund ta vonojë ose mund ta ftojë menjëherë me idenë se na zë të papërgatitur, por ne jemi gati”, ka thënë ajo, duke folur nëse Kosova mund të bëhet me qeveri brenda këtij viti.

23:58

Haxhiu akuzon PAN-in për pazare me Vuçiqin për votat e refuzuara të serbëve

Albulena Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes në Interaktiv të KTV-së ka thënë se PAN-i ka bërë gjithçka për të dëmtuar Vetëvendosjen, derisa i ka akuzuar për pazare me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për votat e refuzuara të serbëve.

Ajo thotë se qytetarët janë stërlodhur me këtë zgjatje të procesit të zgjedhjeve.

“Kur PAN-i ka marrë vesh se ka pësuar humbje të madhe, atëherë është aktivizuar të bëjë gjithçka vetëm që opozita e deridjeshme të mos ketë 61 deputetë në Kuvend. Nuk ka qenë çështja e votave serbe, pasi pas kalkulimeve që i kanë bërë ata kanë kërkuar të hiqen votat e serbëve e kanë kërkuar të hiqen edhe ato të diasporës. Në momentin kur këto vota, ose ky pazar nuk ish bërë pa Listën Serbe do të kishte reagime nga Lista Serbe e nga Serbia. Ju e dini mënyrën se si është bërë numërimi i atyre votave. Mendoj se këtu kanë pasur pazare edhe me Vuçiqin, jo vetëm që kanë bërë marrëveshje me Listën Serbe por edhe me Vuçiqin”, ka thënë Haxhiu.

Ajo thotë se ka informacione që njerëz të sistemit të drejtësisë janë përfshirë në këtë pazar.

E sipas saj sikur të kishte institucione të pavarura në drejtësi atëherë do të kishte hetime për këtë.

Tutje ajo ka thënë se PDK-ja po e përdor si mashë Nismën për të dëmtuar Vetëvendosjen.

“Nismën po e përdorin si mashë për të dëmtuar Vetëvendosjen. Ajo përdoret si mashë nga PDK-ja. E dimë se jemi nisur në një maratonë të gjatë dhe sfidat që na kanë vendos tani janë të kapërcyeshme për ne. Ata tentojnë të na frikësojnë duke në thënë se është e vështirë, por ne nuk zmbrapsemi sidomos kur qytetarët kanë kërkuar që ne të jemi në qeverisje”, ka thënë Haxhiu.

Ajo akuzon PZAP-në për vonesën në certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

“Paneli që e ka vonuar certifikimin e rezultateve është PZAP për shkak se ka bërë lojëra të ndyra. Po të mos dilte VV subjekti i parë nuk do t’i kishe parë këto vendime për rinumërime. Pres që supremja të vendos në të mirë të pakove të diasporës. Nisma mund të ketë 17-18 vota mbi prag, po flas në mënyrë të informacioneve nga vëzhguesit tanë”, ka deklaruar Haxhiu. “Është shqetësuese kur Nisma kishte deklaruar para vendimit të Supremes që ajo do të merrte vendim në favor të tyre. Është e papranueshme që një politikan të flasë para vendimit të një gjykate”.