Arbëri

Kosova mungon në hartën e rajonit të Ballkanit në një libër në Shqipëri, nisin reagimet

Edhe një tjetër reagim për injorim të Kosovës ka nisur të bëjë bujë. Në Shqipëri, në një libër ku është shfaqur harta e rajonit të Ballkanit, Kosova nuk është.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka shfaqur keqardhjen e saj se në librin “Qytetaria 8” me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit, mungon Kosova.

Por thotë se ky gabim ka ardhur për shkak se një zinxhir punonjësish nuk e kanë vënë re.

“Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 22 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!”, shkruan ajo.

Thekson ndër tjera se ky gabim është i paqëllimshëm, ndërsa thotë se janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore.

“Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!”, shton ministrja Shahini.

“Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të reja. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë”, përfundon ajo.

Por, të kujtojmë se pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, derisa u uroi ditë të mbarë shqiptarëve me një video, nxiti reagime pasi në hartën e shpërndarë, territori i Kosovës shihej brenda kufijve të Serbisë.

Pas reagimeve, Rama ka ndërhyrë në postimin e tij duke i fshirë vijat e kufijve. Në profilin e tij gjendet vetëm një video, me foto ndryshe nga ato të mëparshmet, dhe gjithashtu ndryshon foto e postimeve.