Arbëri

NATO publikon filmin rreth ndërhyrjes në Kosovë më 1999, s’kishte tjetër rrugëdalje

Një videoxhirim i ri promovues i NATO-s, i publikuar ditë më parë përmes YouTube flet për misionin e kësaj aleance në Kosovë më 1999, ndërsa mediat e Beogradit shfaqin habinë pse kjo ndodh tani, duke thurur spekulime politike në stilin e tyre të intrigave.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jonathan Parish, në një moment në videoxhirim thotë se “konflikti në Kosovë shkaktoi krizë humanitare e cila ishte shndërruar në kërcënim për stabilitetin e rajonit, dhe për këtë shkak ndërhyrja ishte e domosdoshme”, citojnë mediat e Beogradit, transmeton Koha.net.

“Ajo që NATO dëshiron ta bind opinionin është se nuk kishte zgjidhje tjetër pos të ndërhyjë, meqë shqiptarët e Kosovës po përballeshin me spastrimin etnik që po e zbatonte presidenti i atëhershëm i RFJ-së Sllobodan Millosheviqi i cili ishte i painteresuar për zgjidhje paqësore”, thekson gazetari i Rusia Today, Nebojsha Miliq. Sipas tij, “Zgjidhja paqësore që e kishte propozuar Aleanca, në fakt ishte ultimatum për të cilin dihej se do të refuzohej”.

Pas refuzimit të propozimit të Paktit, më 24 mars 1999 nisën bombardimet, që zgjatën 78 ditë. Periudhën pas përfundimit të luftës e karakterizoi miratimi i Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pastaj KFOR-i mori në dorë sigurinë në gjithë territorin e Kosovës.

Sipas Miliqit, ‘gjenerali francez, Xavier de Marnac më 2007 deklaron se tensionet etnike në atë territor do kenë “fundin e tyre biologjik”, meqë serbët e mbetur do të vdesin nga pleqëria”.

Ky gazetar i një mediumi rus, shtron pyetjen “pse NATO pikërisht tash ka vendosur ta publikojë këtë video? Përvjetori i ndërhyrjes së KFOR-it ka qenë në qershor, përvjetori i luftës në mars. Data nuk përputhen. Pos, kuptohet, faktit se para një jave presidenti i Francës, Emmanuel Macron e shalli NATO-n në frymën e fundit. Gjithsesi videoja ka qenë në produksion më shumë se një javëp, por nuk do të më haste që dikush të ketë shpejtuar për ta publikuar, në mënyrë që t’i jepte NATO-s armën në luftë kundër narracionit të Macronit. Forca e Paktit të NATO-s nuk qëndron në bomba dhe tankse, por në aftësinë që të drejtojë këndin e shikimit”, transmeton Koha.net.