Kusari-Lila thotë se s’ka diskutuar nëse do të përfshihet në qeveri

20 November 2019 20:16
21:06

Mimoza Kusari Lila, ndonëse doli femra e tretë më e votuar në zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk e di nëse do të jetë pjesë e qeverisë, në rast se arrihet marrëveshja me LDK-së e VV-së.

Ajo ka thënë se nuk e ka diskutuar asnjëherë më parë këtë çështje me kreun e Vetëvendosjes.

“Të them të drejtën nuk e kam pasur shumë në angazhim, asnjëherë nuk e kemi diskutuar, nuk ka qenë as kërkesë e imja. Mendoj se si fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje dhe Albin Kurti, duhet ta ketë lirinë e plotë të përcaktimit të atyre njerëzve për të shtyrë përpara një reformë që është shumë më ambicioze, që ka me pas shumë ngarkesa dhe ata që ia kanë dhënë besimin ta shohin pa ndërhyrje për kushtëzimet në postet eventuale”, ka thënë ajo.

20:51

Kusari-Lila s’e sheh të nevojshme të përfshihet posti i presidentit në negociatat VV-LDK

Mimoza Kusari-Lila, që fitoi votat për deputete në radhët e Vetëvendosjes, është e panevojshme që tash të diskutohet posti i presidentit në negociatat e VV-së me LDK-në për formimin e qeverisë

Posti i presidentit do t’i takoj një individi dhe interesi i qytetarëve të Kosovës është më i gjerë se kaq, thotë ajo.

Ajo beson se dy partitë do të finalizojnë me sukses diskutimet për qeverinë e ardhshme.

“Nuk ka të bëjë këtu me çështje tekesh, ka të bëjë me çështje parimesh të domosdoshme, tash të thuhet edhe presidenti edhe kryeparlamentari... Unë besoj që bëhet dhe mundësitë janë shumë të mëdha që ky koalicion të finalizohet me sukses. Ajo që besoj është shumë e rëndësishme është se po vendoset një standard i mirë i qeverisjes”, ka thënë Kusari Lila.

“Prej këndit si e shoh unë, është e panevojshme që të jetë në këtë fazë meqë ne jemi duke u ballafaquar me shumë probleme që i ka lënë qeverisja e kaluar, ato çka i ka bërë ajo qeveri nuk janë ndalur më 6 tetor. Presidenti aktual në zyre e ka mandatin deri në 2021, atëherë pse të mos pritet”, ka thënë tutje ajo.

Sipas saj, meqë mandati i presidentit nuk është i menjëhershëm, atëherë fokusi duhet të jetë në sferat tjera si ekonomia dhe reformat tjera, të cilat janë prioritete të qytetarëve të Kosovës.

Për postin e kryeministrit, Kusari-Lila ka thënë se dy partitë ishin marrë vesh që kushdo që ka më shumë vota, ai merr këtë post.

“Marrëveshja ka qenë që ai kandidat që ka më shumë vota, ai votohet për kryeministër, është çështje parimesh. Ne e dimë se procesi zgjedhor kur përfundon, presidenti i shtetit mandaton në këtë rast z. Kurti”.

“Unë besoj që ka kohë të arrihet marrëveshja, nëse ekziston pajtueshmëri parimore që të trajtohet ose të konsiderohet se në këtë rast LDK insiston ta ketë postin e presidentit, që të mos jetë e kushtëzuar sepse pastaj edhe qeverisa kushtëzohet në çdo hap dhe veprim”, ka thënë ajo.

20:41

Kusari-Lila: Nuk u ftova të jem pjesë e negociatave mes VV-LDK

Mimoza Kusari-Lila që ka siguruar ulëse në Kuvend nën listën e Vetëvendosjes, ka thënë se nuk është ftuar në negociatat mes kësaj partie dhe LDK-së për formimin e qeverisë.

“Nuk jam pjesë e ekipit, nuk jam ftuar të jem pjesë e ekipit. Për ato pika që i kemi biseduar me Albinin (Kurti – kryetar i VV-së), paraprakisht, besoj që është ajo pjesë e njëjtë e bashkëpunimit me LDK-në. Kam qenë edhe mbështetëse e atij programi që e ka prezantuar VV”, ka thënë Kusari-Lila në Rubikon.

Sipas Kusari-Lilës, në LDK ka pasur ndryshime pozitive.

“LDK ka pasur pak ndryshime, ka pasur bartëse tjetër të listës, e cila është më mirë, po ashtu ka pasur edhe inkuadrim të kuadrove të reja, frymë e re, e cila do të mbizotëroj edhe në qeverinë e ardhshme të Kosovës”, ka thënë Kusari Lila.

20:26

Kusari-Lila thotë se njerëzit e mbajnë mend për ta votuar pavarësisht numrit në listë

Mimoza Kusari-Lila pas 10 vjetëve në politikë thotë se ka arritur që njerëzit ta mbajnë mend emrin e saj dhe numrin për ta votuar, varësisht se në cilën listë ka qenë.

Kusari-Lila, që në zgjedhjet e 6 tetorit mori më shumë se 22 mijë vota si numri 23 në listën e Vetëvendosjes, ka thënë se nuk ka kërkuar që të jetë numri dy i listës, si kryetare e Alternativës.

“Në dekadën e parë të funksionimit tim në politikë kam bërë që njerëzit të ma mbajnë mend emrin, numrin dhe të më kërkojnë në listë për të më votuar”, ka thënë ajo.

“Ka kohë ta ndërtojmë dhe punojmë ende. Si parti me vlera liberal-demokrate ka hapësirën e vet në tregun politik në Kosovë. Në realitetin politik dhe në skenën politike në Kosovë nuk është gjëja më e lehtë e mundshme të krijosh identitet, të mbash parime, vlera dhe të jesh në skenën politike e konfirmuar me vota, personalisht të mijat, i kalojnë votat që i kam marrë në Lidhjen Demokratike ku kam qenë e listuar me numrin 3”, ka thënë ajo.

20:16

Kusari-Lila e quan “dush të ftohtë” refuzimin e VV-së për koalicion parazgjedhor me Alternativën

“Dush i ftohtë”, ishte refuzimi i VV-së për koalicion parazgjedhor me Alternativën, thotë kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila.

Në Rubikon të KTV-së, Kusari-Lila, që më pas garoi si pjesë e listës së VV-së dhe arriti të bëhej deputete, ka thënë se këtë parti nuk e ka lëshuar askush për shkak që ajo hyri në listë.

“Mosrealizimi i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike ka bërë që VV ta ketë vendimin që të shkojë e vetme në zgjedhje por pa përjashtuar përfaqësues të partive tjera nën llogon e tyre. Kjo ishte edhe biseda e fundit që e kam pasur me Albinin në kohën kur kishte ende kohë për koalicion”, ka thënë ajo në Rubikon të KTV-së.

“Kjo natyrisht se ishte një dush i ftohtë për atë moment sepse mundohesh dhe punon për partinë. Alternativën nuk e ka lëshuar askush për këtë vendim, kanë qenë ata që në fakt janë distancuar prej kohës kur edhe është bërë distancimi i Ilirit (Deda) vetë nga Alternativa si rrjedhojë e mosrealizimit të një marrëveshje për ekipin e dialogut, për çka edhe ka qenë insistimi i tij i vazhdueshëm në bashkëpunimin me PSD-në, domethënë ka ekzistuar ajo ftohje prej asaj periudhe dhe pastaj është zyrtarizuar kur është publikuar lista jonë me VV-në”, ka deklaruar më tej ajo, për largimin e bashkëthemeluesit të partisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme