9 perditesime
00:33

Haradinaj kundërshton të dhënat që dolën nga Zyra e tij për harxhimin e 506 mijë eurove për dreka

“Koha Ditore” në një shkrim që do të publikohet në numrin e sotëm, nga Zyra e Kryeministrit ka siguruar faturat për shpenzimet për dreka e darka të kabinetit të Qeverisë Haradinaj.

Në Interaktiv të KTV-së, Haradinaj tha se shifra prej mbi 506 mijë euro vetëm për dreka është e gabuar, kjo pasi që, siç tha ai, ato fatura as nuk e di kush i ka dërguar.

“Këtë shifër e kanë dhënë zyrtarët e zakonshëm, por s’është ashtu. Janë pritje protokollare, të gjitha daljet bilaterale, i kanë paketuar në një kategori ‘dreka’. Por s’është ashtu, është rrenë. Personi që i ka dhënë këto të dhëna, nuk e di kush është e as ku punon. Unë kam ngrënë shumë rrallë dreka të reprezentacionit shtetëror. Nuk e përjashtoj që 500 mijë euro janë reprezentacion. Por, s’janë të gjitha për dreka. Nuk është se s’janë zyrtare këto të dhëna, por unë jam i interesuar t’i japim të gjitha faturat e shpenzimeve”, u shpreh ai.

Ai tha se kartelën e shtetit e ka përdorur vetëm në tri raste, ndërsa thotë se në një rast ka paguar 2800 dollarë nga xhepi i vetë.

“Tri herë e kam përdorur kartelën time të shtetit. Njëherë për akomodim në Nju Jork, për tjerat raste s’po më kujtohet. Ndërkaq, një herë kam paguar nga paratë e mia 2800 dollarë, ato mi ka borxh shteti, por s’i kam dërguar asnjëherë faturat. Për pije alkoolike e meze s’ka shanse ta kem përdorur kartelën time të shtetit”, deklaroi Haradinaj.

00:31

Haradinaj: Autostrada e Dukagjinit do të bëhet gjithqysh

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë se Autostrada e Dukagjinit duhet të bëhet gjithsesi, edhe pse tash ai më s’është në pushtet.

Edhe pse Vetëvendosje dhe LDK-ja që pritet të formojnë qeverinë kanë thënë se nuk do të bëjnë një autostradë të tillë, Haradinaj, ka deklaruar se “një qeveri normale nuk do të duhej të mos e bënte”.

“Autostrada do të bëhet gjithqysh. Qeveria është e Kosovës. A merr taksa nga Dukagjini? Si ka mundësi të mos e bëjë? Si t’i mohojë gjithë ato interesa ekonomikë. Nuk besoj që një qeveri normale nuk e pranon. Autostrada është e mbyllur, por zgjerimi është mirë të mos ndodhë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se pret që të bashkëpunojë me PDK-në në opozitë në temat ku pajtohen.

00:29

Haradinaj thotë të mos jetë i informuar për vendimet e MPJ-së pas dorëheqjes së Qeverisë

Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë i AAK-së, ka thënë se nuk ka informacione për emërimet që kanë ndodhur nga ministria e Punëve të Jashtme pas dorëheqjes së qeverisë së Kosovës.

Duke folur për biznesmenin Shkëlqim Devolli, që u emërua Konsull Nderi në Malin e Zi, tha se Kosova s’mund të emërojë konsuj nderi në shtete tjera, por ndoshta Mali i Zi e ka emëruar atë në Kosovë.

“Kosova mund të emërojë një konsull nderi një malazez në Mal të Zi, por që është i mirë për Kosovën. Por, nuk jam në dijeni. Nuk shoh ndonjë problem edhe nëse ka ndodhur. Këta konsuj i sjellin dobi vendit. Nuk i kam krejt informatat për vendimet e ministrit të Jashtëm, Pacolli”, tha Haradinaj në Interaktiv të KTV-së.

00:20

Haradinaj përsërit: Dhjetori potencial për vendimin për liberalizim

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka përsëritur deklaratën se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të merret në dhjetor.

Sipas tij, njerëzit mund të jenë skeptikë sepse ky proces ka zgjatur shumë, por ai ka përsëritur se dhjetori mund të jetë muaji vendimtar.

“Ka plot skeptikë sepse është vonuar gjatë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret. Në këtë kohë kemi edhe disa angazhime të brendshme, të jashtme, bilaterale, janë afruar mundësitë për vendim. Dhjetori është potencial për vendim”, ka thënë ai.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Kosovë që kërkoi nga zyrtarët e Kosovës të mos japin data, Haradinaj ka thënë se “zyrtarët e BE-së japin deklarata gjithë ditën, e sikur të ishin në vende tjera duhet të bënin më shumë kujdes”.

“E shoh se shumë zyrtarë të BE-së, japin deklarata gjithë ditën. Në vendet tjera duhet të bëjnë më shumë kujdes, në raport me një kryeministër, me një lider. Sepse një kryeministër nuk flet data paushall. S’ka kapacitetet për t’i thënë një kryeministri, por mundet një Angela Merkel që vendos po ose jo. Këta po e bëjnë, s’është as në të mirë të BE-së me këso deklarime të njëpasnjëshme. Këta po nxitojnë. Pyeteni ambasadorin gjerman ju tregon çka thotë ai”, ka deklaruar më tej Haradinaj.

Sipas tij, as Franca nuk është kundërshtuese e liberalizimit siç është thënë.

00:15

Haradinaj: Mini-Schengeni ballkanik për të hequr taksën e Kosovës ndaj Serbisë

Mini-Schengeni ballkanik, sipas kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, është ide e dëmshme për Kosovën.

Ai ka thënë se një ide e tillë është mirë për lëvizjen e qytetarëve e të mallrave, por ka thënë se pa një njohje reciproke Kosovë – Serbi, ajo do të ishte e dëmshme për Kosovën.

“Të dini që ne e humbim liberalizimin nëse e bëjmë këtë. Në parim jam për lëvizje të lirë, është vlerë evropiane. Ta bëjmë multilaterale. Megjithatë një iniciativë e tillë e jona është për të hequr barrikadat, jo Evropës, por për t’ia hequr ekonomisë së Serbisë, që të ndodhë një ekspansion. Që të hiqet edhe taksa e Kosovës”, ka thënë ai.

“Pa njohje reciproke s’i të arrijmë te ai moment. Të marrim garancë pas njohjes se çka vjen nga pala serbe. Si mund të bësh hapje të tillë ndaj Serbisë në këto rrethana”, ka deklaruar më tej Haradinaj.

00:09

Haradinaj: Thaçi e Rama s’besoj që ia kanë dhënë falas veriun Vuçiqit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, foli për padinë e paralajmëruar ndaj tij nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të një deklarate të tij për gjoja përfitimet miliardëshe për ndarje të Kosovës.

“Kemi shpërputhje në disa tema me të. Shqipëria është pjesë e pandashme e ekzistencës sonë si shqiptarë. Jam dhe mbetem kundër lëvizjes së kufijve. Kemi dallime me kryeministrin Rama. Shkëmbimi i territoreve do të kishte një pasojë të madhe financiare dhe do të kishte përfitues të atyre humbjeve, supozohet se përfituesit mund të jenë shkaktarët e këtyre ndarjeve, siç janë Thaçi, Vuçiqi e Rama. Këtë e kam thënë edhe më parë. Nuk anashkalohet fakti se rezervat minerare të Trepçës janë në veri. Kushdo që i jep këto rezerva, besoj se do të ketë ndonjë përfitim. Nuk besoj se ata ia kanë dhënë falas Vuçiqit këtë pjesë. Mund të jenë më shumë se këta dy. Kjo do të ishte humbje dhjetëra milionëshe për Kosovën”, tha Haradinaj në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se për është i gatshëm të ballafaqohet me padinë e paralajmëruar nga Rama.

“Çdo shtetasi të Shqipërisë do t’i përgjigjem, qoftë ai edhe kryeministri Rama. Nëse ai e vlerëson normal padinë ndaj meje, unë e pranoj. Rama ka vështirësi në menaxhimin e shumë proceseve, por shkaktar është ai vet që ka hyrë në tema të gabuara. Unë s’dua ta shoh atë në vështirësi më të mëdha, por të mos bëjë gabime tjera. Ishte rasti i sotëm me hartën, që është precedan i keq. Duhet të jemi të kujdesshëm për ndjenjat e shqiptarëve. Unë ruhem, s’dua të bëj gabime, por ato i bëj vetëm kur shoh rreziqe për Kosovën, sikurse rasti i shkëmbimit të territoreve, apo rasti i Mini-Schengenit”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se Rama, deklarimet për padinë ndaj tij i ka vetëm për opinion dhe për “budallakitë ku ka hy”. Por, thotë se ai nuk ka të drejtë të vendos për popullin e Kosovës.

Thotë se nuk ka komunikim privat me Ramën, ndonëse ka respekt për të.

00:07

Haradinaj: Ftesa për Speciale ishte ftesë politike

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, duke u ndalur tek ftesa për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale, ka thënë se e ka të vështirë t’i kujtojë ngjarjet saktësisht siç kanë ndodhur para 20 vjetëve.

Në Interaktiv të KTV-së, Haradinaj tha se ftesa për t’u paraqitur në Speciale ka qenë politike. “Sepse unë jam gjykuar dy herë. E fakti që thirrem prapë, është një element që flet. Fakti tjetër është se unë jam ndodhur para presioneve direkte nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të taksës ndaj Serbisë, dhe ftesa ime është tipike politike, dhe s’ka të bëjë me ligj”, tha ai.

23:56

Haradinaj: Kam mundur të jepja dorëheqje shumë herë, por ftesa nga Specialja e bëri të pashmangshme

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka thënë se dorëheqja e tij katër muaj më herët nga ky post lidhet plotësisht me ftesën e marrë nga Gjykata Speciale dhe jo me përçarjet që kishte me partnerët në koalicion.

Ai ka thënë se ka mundur të jepte dorëheqje shumë herë, por sipas tij, ftesa nga Specialja, e bëri të pashmangshme dorëheqjen.

“E vërteta është se të gjithë këta që kanë një besim të caktuar në vend (ish-partnerët qeverisës), më kanë dhënë mundësinë e një qeverisje Haradinaj. Ata kanë pranuar të udhëheq unë, e jo që AAK-në t’ia dorëzoj PDK-së, SHIK-ut, por Kosovës. I respektoj PDK-në dhe besimin e Veselit. Por kjo dallon sepse s’kam bë koalicion për të përkrahur një koncept të caktuar, por për një vizion timin qeverisës. Dallimet mes nesh ishin. Por u pa se s’isha servil e se kam qenë vetëm kryeministër i vendit. Mos e harroni komponenten e Speciales. Kam pasur mundësi të jap më herët dorëheqje, por s’kam dashur të jem kryeministri juaj kur e dinë njerëzit që kryeministri është me thirrje ndërkombëtare. Kam thënë se s’dua ta mbaj peng Kosovën. Kryeministrin ia kthej popullit. Mandati ishte te populli”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë tutje se do të ishte tejet e rëndë nëse ai do të shkonte në intervistën në Hagë si kryeministër i vendit.

Sipas tij, kushdo nga krerët e vendit, përfshirë presidentin, nëse merr ftesën e s’jep dorëheqje, “do t’i bënte dëm vendit”.

Haradinaj ka thënë se nuk ka pasur diskutime me Vetëvendosjen e LDK-në për përfshirje në qeverinë e re. Ka thënë se “Qeverisë Kurti i duhet qeverisje më e gjerë, por me sa e shoh nuk e ka atë bazë”.

“E kam kaluar këtë përvojë, s’ia dëshiroj asnjë qeverie të ketë aq pak numra, të varet nga grupe të caktuara. S’është lehtë. I duhet qeverisje më e gjerë, por me sa e shoh nuk e ka atë bazë. Ka ardhur koha të dorëzoj detyrën, por unë vazhdoj të mbaj përgjegjësi shtetëror, të përballem me problemet që ka vendi. Jam i interesuar të shoh implementimin e rezultatit të zgjedhjeve”, ka shtuar ai.

Sipas tij, kryetari i VV-së, Albin Kurti, që fitoi në zgjedhje, “mbetet mashtrues në kuptimin që ka ndërruar qëndrime”.

“Po flasim për mallrat e Serbisë nga Kurti që mërdhihej vetë me fëmijët e Kosovës duke protestuar, kam protestuar edhe unë me ta, e tash ka ardhur në pozitë të thotë e heq taksën. Këto për mua janë mashtrime. Sido që të jetë edhe pse kemi dyshime se do të jetë i qëndrueshëm, shpresojmë të udhëheqë mirë e kur të ketë mirë ne do të jemi aty, por kur do ta ketë keq nuk do të jemi për”, ka thënë ai më tej.

23:44

Haradinaj thotë se heqja e taksës do të ishte “veprim tragjik”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij nuk është parti rajonale, por e gjithë Kosovës.

Në Interaktiv të KTV-së, Haradinaj tha se ka marrë vota në tërë Kosovën.

“Unë kam marrë vota gjithandej Kosovës dhe s’jam deputet i një rajoni. Por, reforma zgjedhore duhet të ndodh. Një qytetar një votë, ose të ndajmë në zona, por reforma zgjedhore duhet të ndodhë”, tha ai.

Tutje, ai foli edhe për pozicionimin e tij për të hequr dorë nga mandati i deputetit. Thotë se këtë vendim e ka marrë pasi dëshiron të orientohet në parti pasi që, sipas tij, gjatë dy vjetëve të qeverisjes është marrë vetëm me vendin e jo me partinë.

“Unë jam kryetar i partisë, jam edhe kryetar i grupit parlamentar meqenëse kryesoj partinë. Unë menaxhoj me kryetarë të komunave. Për dy vjet s’kam punuar për partinë, por për vendin. Prandaj, i kam borxh partisë që të merrem me të”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai thotë se do të jenë opozitë konstruktive duke mbështetur qeverinë e re kurdo që pajtohen, e shohin të duhur, por edhe do ta kundërshtojnë kurdo që s’pajtohen.

Për deklaratën e deputetit të AAK-së, Bekë Berisha, se si opozitë, AAK-ja do ta sulmojë me ve Albin Kurtin, Haradinaj tha se “Beka është djalë punëtor, i drejtë, dhe i mençur”, por thotë se ndonjëherë i flet disa gjëra “të një natyre tjetër”.

Për çështjen e taksës, e cila pas pak ditësh mbush 1 vit, Haradinaj tha se qeveria e re nuk duhet ta heqë atë.

“Shpresoj që qeveria potencialisht e ardhshme s’do ta heq taksën, pasi kështu Kosova ripushtohet me mallrat e Serbisë, sepse ky është kusht i Vuçiqit. Ai po e bllokon e kërcënon Kosovën. Do të ishte e habitshme që qeveria e ardhshme të heqë taksën. Këta tashmë e kanë më lehtë të mbajnë taksën sepse bashkësia ndërkombëtare më s’kërkon heqjen e taksës. Reciprociteti është mënyrë e mirë e elaborimit të gjërave, por s’duhet të rezultojë në heqje të taksës. Ajo s’duhet hequr sepse Serbia s’ka ndryshuar. Si Kurti, ashtu edhe Osmani, nuk duhet ta bëjnë këtë gabim. Nëse e heqin, mendoj se është veprim tragjik. Por, nuk besoj që do ta heqin. Taksa mbetet në margjinë të zhvillimeve të ardhshme. Taksa mund të mbes në kuadër të reciprocitetit. Nëse këta e paketojnë në mënyrë të caktuar, dhe nuk hyjnë mallrat serbe, ajo është taksë. Me taksën, ka filluar të ndodhë ekonomia e Kosovës”, u shpreh kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

23:34

Haradinaj: Zgjedhjet e 6 tetorit na dhanë mësim që numërimi të bëhet në qendër e jo nëpër vendvotime

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se procesi i numërimit dhe i rinumërimit të votave nga zgjedhjet e 6 tetorit kanë dhënë mësim se duhet patjetër të ketë reformë zgjedhore e që votat të numërohen në qendër e jo më nëpër vendvotime.

Sipas kryetarit të AAK-së, tejzgjatja e procesit të certifikimit të zgjedhjeve nuk po ndodh për shkak të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por për shkak të palëve që janë ankuar.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se pret që rinumërimi të sqarojë të gjitha votat në nivel vendi dhe ato për kandidatët.

“Mësimi që kemi nxjerrë nga këto zgjedhje është që në vendvotime të numërohen vetëm votat e partive por jo të kandidatëve e të nesërmen transparent me kamera e sistem elektronik në qendër, pa asnjë mundësi ankesë, do ta dinim rezultatin për një javë. Duhet të avancojmë bazën ligjore”, ka thënë ai.

Sipas tij, në Kosovë akoma s’është krijuar vetëdija që fati i zgjedhjeve të mbetet në duart e komisionerëve “nëpër zona të caktuara ku pëlqejnë kandidatët e zonave”.

“Numërimi duhet të bëhet në qendër”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se rezultatet e 6 tetorit, që koalicionin AAK-PSD e kanë nxjerrë në vendin e katërt me 13-14 deputetë, varësisht nëse koalicioni Nisma-AKR-PD kalon apo jo pragun, kanë bërë që kjo parti të reflektojë thellësisht.

“Kemi mbajtur qëndrimin e sovranit për votën, duke respektuar rezultatin zgjedhor, implementimin e shpejtë të asaj që ka vendosur qytetari. I jemi mirënjohës për votën sovranit. Kemi marrë 100 mijë vota, votë e respektueshme, por s’kemi fituar. Krijuam pozicion kundërshtues ndaj shumë akterëve. Ndërhyrja e Speciales e mundësia për ftesën e radhës ishin handikapë në këto zgjedhje për ne. Edhe hipoteka e të qenit në qeveri, jo të gjithë janë të kënaqur, pavarësisht zhvillimeve qeverisës.e Sido që të jetë kemi plot biseda e kemi rënë në dakord të reflektojmë thellësisht. Kemi nisur një reformë të brendshme. Do të ketë vetëm të zgjedhur nga delegatët”, ka thënë ai duke shtuar se edhe vota e partnerit PSD “është votë e respektueshme” edhe pse kjo parti po lufton për të marrë një ulëse në Kuvend.