Arbëri

Osmani BERZH-it: Qeverisja VV-LDK nuk do të investojë në asfalt, por në rritjen e punësimit

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, në një takim me përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka thënë se në programin e përbashkët qeverisës me VV-në, përqendrimi nuk do të jetë në autostrada, por në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave.

Sipas një njoftimi të LDK-së për këtë takim, Osmani u ka thënë përfaqësuesve të BERZH-it se në programin qeverisës VV-LDK investimet janë të fokusuara në kapitalin njerëzor përmes shëndetësisë, arsimit e sektorit privat.

“Nuk do të investojmë më fondet e buxhetit të Kosovës në autostrada të reja por do të investojmë në potencialin e qytetarëve tonë, veçanërisht në rritjen e punësimit të të rinjve dhe grave kosovare”, është shprehur ajo, sipas njoftimit.

Në anën tjetër, “përfaqësuesit e BERZH-it paraqiten projektet aktuale të tyre në Kosovë në sektorin privat dhe atë publik, duke u zotuar që të thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë e ardhshme veçanërisht në infrastrukturë, energji dhe zhvillimin e sektorit privat”.

Përfaqësues të BERZH-it në takimin me Osmanin, Besian Mustafën dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së ishin Mattia Romani, drejtor menaxhues për Ekonomi, Politika Dhe Qeverisje, Oleg Levitin, zëvendësdrejtor për Qeverisje Dhe Çështje Politike dhe Neil Taylor, udhëheqës i zyrës në Kosovë.