Shkatërrohen rreth 600 armë të konfiskuara nga Policia e Kosovës
Policia e Kosovës, njofton se sot, nën mbështetjen dhe përkrahjen e UNDP-së, shkatërroi një sasi të armëve të shkurtra dhe të gjata, të cilat janë konfiskuar gjatë realizimit të detyrave dhe hetimeve policore.
Procesit të shkatërrimit të armëve i ka parapri një konferencë në të cilën kanë marr pjesë, Zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka, Zëvendësdrejtori i PK-së, Samedin Mehmeti, Maria Suokko nga UNDP dhe Hakan Ejdervik nga zyra e BE-së.
Foto: Policia e Kosovës
Gjatë konferencës, ata vlerësuan se shkatërrimi i armëve të paligjshme, përbën një element të rëndësishëm të kontrollit të armëve në Kosovë si një metodë efektive për reduktimin e numrit aktual të armëve në tregun e paligjshëm e që reflekton në ngritjen e nivelit të sigurisë, transmeton Koha.net.
“Të gjitha armët dhe municioni i akumuluar iu përkasin llojeve të ndryshme, përderisa shkatërrimi i tyre është bërë me urdhëresë të organeve të drejtësisë, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e parapara ligjore”, thuhet në njoftim e PK-së.
Foto: Policia e Kosovës
Gjithashtu, në njoftim thuhet se “në krahasim me metodat e tjera në dispozicion, të tilla si shitje ose dhuratë, shkatërrimi siguron se armët nuk do të gjejnë rrugën e tyre (përsëri) në tregun e paligjshëm dhe në këtë mënyrë mund të ndërtohet besim në përpjekjet e përgjithshme për të parandaluar, luftuar dhe çrrënjosur tregtinë e tyre të paligjshme”.
“Shkatërrimi i këtyre armëve mund të llogaritet edhe si një aktivitet shtesë i realizuar në kuadër të Strategjisë të Kosovës për Kontrollin e Armëve për Zvogëlimin e Rrezikut nga Armët e Zjarrit dhe Eksplozivët”, përfundon njoftimi i PK-së.