Rinumërimi shtyn finalizimin e marrëveshjes për koalicionin VV-LDK Foto: Ilustrim

Rinumërimi shtyn finalizimin e marrëveshjes për koalicionin VV-LDK

Fitim Gashi 14 November 2019 06:45

Rinumërimi i më shumë se gjysmës së vendvotimeve ka ngadalësuar negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike për finalizimin e marrëveshjes së koalicionit. Janë zyrtarë të LDK-së, të cilët kanë thënë se do të presin finalizimin e këtij procesi.

Nëse konfirmohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për votat e ardhura nga Serbia, edhe nga Gjykata Supreme, diferenca në mandate mes këtyre dy subjekteve, që legjislaturën e kaluar përbënin opozitën, do të jetë vetëm një. VV-ja do t’i ketë 29 deputetë, kurse LDK-ja 28, shkruan sot “Koha Ditore”.

Derisa në VV një ditë më herët kanë thënë se janë duke pritur të caktohet një takim mes liderëve Albin Kurti (VV) dhe Isa Mustafa (LDK), ky i fundit e ka përjashtuar që kjo të ndodhë para se të përfundojë procesi i rinumërimit dhe certifikimit të rezultateve.

Çështjet e diskutuara deri më tani mes dy subjekteve në kuadër të grupeve teknike janë ekonomia, siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, kultura, sporti, infrastruktura, energjetika, çështjet sociale dhe bujqësia. Ndërkohë, politika e jashtme dhe ndarja e kabinetit janë lënë në nivel të kryetarëve. Mospajtime mes tyre ka për postin e presidentit, ku LDK-ja vazhdon të insistojë që edhe ky post të jetë pjesë e kulaçit të pushtetit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme