Arbëri

Presidenti Thaçi sonte në darkën që e shtron Macroni, do të flasë për liberalizimin e vizave

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sonte do të marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në fillim të Forumit të Paqes në Paris, njoftoi Presidenca.

Para darkës, presidenti Thaçi do të ketë një takim me presidentin Macron, me të cilin do të bisedojë për perspektivën europiane të Kosovës, me theks te veçantë për nevojën e një vendim të menjëhershëm dhe meritor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidenti Thaçi nesër do të flasë në një panel të veçantë për sukseset dhe sfidat e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.

Forumi i Paqes i Parisit është mbajtur për herë të parë në vitin e kaluar, në 100 vjetorin e armëpushimit që solli fundin e Luftës së Parë Botërore dhe synon të bëjë bashkë udhëheqës të shteteve, të organizatave kryesore ndërkombëtare dhe të institucioneve tjera, që të bashkëpunojnë për arritjen dhe forcimin e paqes në botë.