Arbëri

Kirurgia e katër dekadave

Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Fyerjet, nënçmimet dhe provokimet i janë shndërruar në forcë. U desh mund sizifi që Xhika Leku dyzet vjet më parë ta dëshmonte se kirurgjia nuk është vetëm për burra.

Sot, ajo ndihet e përmbushur. Theu tabunë gjinore dhe katër dekada radhazi kreu punën e kirurges, deri në tetor të këtij viti, kur i bëri 65 vjet.

Leku është gruaja e parë kirurge në Kosovë. Peripecitë me të cilat është përballur para viteve ‘90, gjatë tyre e pas luftë, i ka rrëfyer për “Kohën Ditore”. Katër dekadat thotë se kanë lënë gjurmë në jetën e saj. Në vitin 1974 ishte regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, degë e Universitetit të Prishtinës. Studimet i kishte përfunduar në vitet 1980-1981.

Në vitin 1982 ka filluar të punojë si mjeke në shtëpi të shëndetit. Pastaj i është rrekur specializimit. Periudha e specializimit në Kirurgji, siç rrëfen Leku, ka qenë “film”.

“Kirurgjia atëherë ishte profesion që vetëm meshkujt e zotëronin. Në tërë Kosovën nuk ka pasur femra. Me 100 ‘zore’ mua ma ndanë specializimin. Kolegët thoshin se ‘kjo është femër, çka lyp kjo aty, kjo është degë për meshkuj, e rëndë për shkak se fizikisht duhet të punosh, e një femër nuk mundet’”, kujton Leku, shkruan Koha Ditore.

Sfidat me mendësinë e kohës

Megjithatë, ajo e kishte filluar specializimin. Por për një vit nuk kishte pasur zyre për të ndërruar uniformën.

“...kam qenë e detyruar ta ndërroj uniformën në korridor, sepse nuk donin kolegët të më pranonin në zyre. Thoshin ‘jo more kjo femër, s`e du në zyre”, rrëfen Leku.

Kolegë gjatë specializimit thotë se ka pasur shqiptarë e serbë. Reagimi, siç kujton ajo, ishte i njëjtë prej të dy palëve.

“Shovinista meshkuj ishin. Isha e detyruar të luftoja me ta. Tek pas një viti, na e patën bërë një dhomë të specializantëve dhe aty pastaj e kam pasur një dollap dhe një vend ku e kam ndërruar uniformën. Fillimi ka qenë katrahurë. Kisha presion edhe kur hyja në sallë. Më pyesnin kolegët ‘a je lodh’. Ju thosha jo, edhe pse isha e dërrmuar, pasi në sallë hyja nga ora 8:00 e mëngjesit e deri në 11:00 të natës. Pa ngrënë e pa pirë. Terr para syve më binte. Por ata me qëllim më provokonin dhe unë nuk dorëzohesha . Ju thosha deri në mëngjes mundem”, rrëfen Leku.

Vetëm pas një viti, siç kujton ajo, kolegët e saj ishin bindur se “me të vërtetë ajo e ka dashur kirurgjisë dhe se mund ta zotëronte atë”. Kishin filluar ta lejonin të bënte insistime, pastaj edhe t`i jepnin operacione për të udhëhequr.

Kështu kishte vazhduar deri në vitin 1988, kur kishte shkuar në Zagreb për t`i përfunduar dy vjetët e fundit të specializimit. Atje thotë se ishte edhe më show.

Duke qenë femra e parë kirurge, siç rrëfen Leka, kolegët kroatë kishin pritur që ajo të shkonte në punë “me shami në kokë”.

“Për ta ishte befasi kur më patën parë pa shami. Ishte befasi edhe kur më dëgjonin se sa rrjedhshëm i flisja kroatishten e serbishten. Ndryshe nga përvoja në Kosovë, atje pritjen e kam pasur të pashpjegueshme. Shumë të mirë. Fatkeqësisht, ne dallojmë prej tyre, pasi ata kanë një kulturë të një niveli shumë më të lartë. Drejtori, nëse të shihte në korridor, ta lëshonte rrugën. Unë s’isha mësuar ashtu. E shikoja veten dhe pyesja ‘A mua po më thotë?’”, kujton kirurgia.

Në Zagreb ajo ka qëndruar deri në muajin nëntor të vitit 1989. Një muaj para afatit e ka dhënë provimin përfundimtar.

“...edhe në Ministri të Shëndetësisë së Kroacisë jam e regjistruar si femra e parë shqiptare-kirurge nga Kosova. Ata kanë pasur kirurge të veta, por shqiptare jo. Pastaj u ktheva nga Zagrebi, edhe pse më të thënë të drejtën kam përtuar. Atje ishte krejt vend tjetër i punës kur e krahasoja me Kosovën. Si të kthehesh në Bangladesh. Kam pasur mundësi që të vazhdoj punën në Zagreb, sepse u tregova e suksesshme në punë e provim, por prapë vendosa të mos rri”, shton Leku. Pas kthimit, prej vitit 1989 kishte filluar punën në Spitalin e Mitrovicës, ku edhe është pensionuar.

“Qyteti im, vendi im, njerëzit e mi. Këtu e kam gjetur veten. Kam pasur mundësi të shkoj edhe në Prishtinë për të punuar, por nuk kam dashur”, thekson Leku.

Atëkohë në Mitrovicë thotë se punonin në spital 13 kirurgë, edhe serbë, edhe shqiptarë. Spitali, i cili ishte në pjesën veriore të Mitrovicës, thotë se ishte i madh. Mbi 100 krevate i kishe vetëm Kirurgjia.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë të shqetësohemi për mungesë materiali. Të gjitha i kemi pasur. Nuk ke menduar se ‘mos diçka mungon’. E jona ka qenë që t`i dalim në skaje operacionit. Kaq”, kujton ajo.

Kështu ka vazhduar deri më 1990. Pas këtij viti, krahas ndryshimit të gjendjes së përgjithshme në Kosovë, kishte filluar të ndryshonte edhe situata në spital.

Kishin filluar vështirësi nga më të ndryshmet. Së pari, pushteti i atëhershëm filloi largimin e mjekëve shqiptarë, të cilët nuk pranonin të punonin nën administrimin serb. Në atë periudhë Leku ishte në pushim të lindjes dhe nuk kishin pasur s`i ta largonin.

Pasi kthimit nga pushimi, ajo gjeti në punë vetëm dy kolegë shqiptarë.

“Edhe ata patën ndenjur në punë, pasi e patën pyetur Sindikatën dhe ajo u pati thënë se nuk bën që ta lëshojnë punën, pasi që pacientët janë shqiptarë. 90 për qind e pacientëve kanë qenë shqiptarë”, thotë ajo.

Tani kur e kujton atëkohë, Leku thotë se ndoshta nuk do të kishte pranuar të punonte kurrë në aso kushtesh, pasi që, siç kujton ajo, ka qenë “periudhë tepër e vështirë”.

Asnjë dokument spitalor nuk kanë guxuar ta shkruajnë në gjuhën shqipe. Por, njëherë ajo e kishte shkelur këtë praktikë diskriminuese. Dy orë pasi që e kishte shkruar në shqip fletëlëshimin për një pacient shqiptar, infermierja kryesore e përkatësisë serbe kishte kërkuar ta dinte nëse ky veprim ishte aksidental apo i qëllimshëm. Por ky presion nuk pati sukses në zmbrapsjen nga puna.

“Nga viti 1991 kishte të plagosur nga të dyja anët. Edhe policë serbë të plagosur, edhe shqiptarë. Kirurgët shqiptarë zakonisht i bënin operacionet e të plagosurve shqiptarë, por pacientët ishin të mbikëqyrur. E mbaj mend një pacient të Brojës, të cilit ia kishin gjuajtur bombën në oborr dhe kishte pasur lëndim të pankreasit. E kemi bërë operacion dhe gjatë tërë kohës e ka pasur policinë te koka. Ai nuk ka guxuar të fliste. Vinin familjarët, por nuk i lejonin ta vizitonin. Ne shkonim si mjekë dhe e pyesnim e iu tregonim familjarëve. Prej spitalit, drejt në burg e kanë dërguar”, rrëfen ajo.

Pacientët serbë, Leku thotë se nuk i lejonin të trajtoheshin nga mjekët shqiptarë. Megjithatë, ajo kujton një rast kur vetë kishte qenë kujdestare dhe kishte ardhur një polic serb me plumb në zemër, por i gjallë.

“Çfarë dreqi t`i bëja atij? Nuk guxoje as me e prek, pasi të mbytshin. Fati, e kemi pasur mundësinë që ta thërrisnim shefin, i cili ishte serb. E kam thirrur, i kam treguar se pacienti është serb, i plagosur rëndë, por është gjallë ende, çfarë të bëj? Më ka thënë ‘përgatite dhe mëshoj brisk derisa të vij unë’. Derisa ka ardhur shefi, policia me automate në dorë kanë qenë para dyerve të sallës. E di veç që shefi im ka thënë ‘mos gabo të flasësh shqip’. Edhe kur ka përfunduar operacioni dhe pacienti vdiq, për shkak se lëndimi ishte tepër i rëndë, shefi më ka thënë që vetë ai i jep informacionet, pasi që në të kundërtën mund të më ndodhte diçka”, rrëfen kirurgia.

Në këso kushtesh, thotë, kanë vazhduar të punojnë deri më 23 mars 1999, kur spitalin e kishte marrë ushtria serbe.

Në atë periudhë, të gjithë mjekët shqiptarë ishin larguar nga spitali.

“Kur ka kanë ardhur mjekët ushtarakë serbë, as mjekëve serbë që punonin në spital nuk iu dëgjohej më zëri. Prej atij momenti kemi dalë nga spitali dhe më nuk jemi kthyer kurrë në atë spital, pasi është në veri të Mitrovicës”, shpjegon Leku.

Dy operacionet e fundit një ditë para pensionimit

Pas lufte, thotë se më shumë kanë punuar në mënyrë ambulantore. E kishin hapur një sallë të operacionit në Shtëpi të Shëndetit në jug dhe kishin filluar t`i bënin operacionet. Aty kishin punuar 2-3 vjet.

Pas një investimi nga Qeveria norvegjeze ishte hapur Spitali në Jug, së bashku edhe me Repartin e Kirurgjisë.

Edhe kjo periudhë, siç kujton Leku, ishte problematike, pasi që nuk kishte staf e as kuadro të mjaftueshme. Vetëm dy kirurgë dhe një ortoped kishin qenë për afro 4 vjet në tërë spitalin.

“Prej mëngjesit deri në mbrëmje u dashke të qëndroja në Emergjencë për trajtim të rasteve. Dikush ato raste u dashke t`i kryej. Kështu ka vazhduar deri në momentin kur Ministria e Drejtësisë e siguroi një ekip të kirurgëve nga Prishtina. Tre kirurgë dhe një anesteziolog kanë punuar për tre vjet. Çdo ditë kanë udhëtuar. Pas shkuarjes së tyre, Spitali i Vushtrrisë kishte filluar të rinovohej dhe i tërë stafi kishte shkuar në Mitrovicë. Ishin diku 7 kirurgë. Pastaj diku pas 1 viti e gjysmë erdhën 2 kirurgë të ri në Mitrovicë. U kthye edhe kirurgu Bajram Rexhepi dhe u bëmë 5 kirurgë. Tamam për të punuar si duhet”, vazhdon ajo.

Pagesa që e kanë marrë pas luftës Leku thotë se ka qenë minimale dhe “tepër e ulët” krahasuar me pagesën që e kanë pasur para luftës.

Thotë se pas luftës në fillim janë paguar 200 euro, kurse pas një kohe 400 euro. Tani rroga e kirurgut është 540 euro.

“Po të mos ishte edhe kujdestaria, nuk ia vlen as të shkosh në punë. Pagesa është tepër e ulët, duke pasur parasysh punën dhe përgjegjësinë e një kirurgu. Kirurgjia është profesion që kërkon kondicion fizik e psikik. Nerva të qeta, sepse është punë aq me stres dhe e zorshme. Hyn në operacion, por nuk e di se çfarë del. Hyn të bësh mirë, por ndoshta nuk shkon mirë, kurse jeta është në pyetje. Mua më ka kushtuar me shëndet, pasi kam pësuar infarkt në punë në vitin 2006. Krejt prej ngarkesës”, thotë Leku.

Për dallim nga koha e paraluftës, kirurgia thotë se edhe realizimi i një operacioni është tejet i vështirë. U mungojnë mjetet e nevojshme për punë.

“Siç e thashë, para luftës nuk ka qenë përgjegjësi e kirurgut pjesa e materialit dhe nuk e kemi menduar kurrë këtë. Sot nuk mund të hysh në një intervenim më të madh pa dhënë familjarët gjak. E atëherë i kishim frigoriferët plot gjak. 20 boca gjak, të 20-at na i sillnin për 1 minutë. Dallim tepër i madh”, shton ajo.

Me gjithë sfidat, Leku thotë se secili njeri, qoftë grua apo burrë, që dëshiron ta studiojë kirurgjinë, do të duhej të mos hezitonte.

“Vendi ku shpirti im ka ndier kënaqësi ka qenë momenti kur kam hyrë në sallë. Në momentin që kam hyrë, për mua bota jashtë nuk ka ekzistuar. As fëmija, as familja, as askush. Koncentrohesha në operim dhe qëllimi ishte vetëm që gjithçka të shkonte mirë”, thotë e emocionuar.

Në ditën e fundit të punës në spital, Leku thotë se i ka kryer 2 operacione.

“Atë ditë nuk u mërzita, por thashë me veten ‘e tash çfarë të bëj unë?’, se jam mësuar çdo ditë të hyj në sallë të operacionit. Por do të mësohem. Është pak edhe më mirë për shkak të shëndetit tim”, përmbyll rrëfimin kirurgia.