Ish-deputetët që “s’e kaluan pragun” dhe deputetët e rinj të legjislaturës së VII-të

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 07 November 2019 19:20

Rezultatet përfundimtare e kanë nxjerrë liderin e Vetëvendosjes si më të votuarin në mesin e 5 kandidatëve për kryeministër.

Albin Kurti ka marrë më së shumti vota, gjithsej 183,868.

Pas Kurtit, me 176,188 vota, rreth 7 mijë vota më pak, renditet kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, raporton KTV.

Kadri Veseli është radhitur i treti, larg dy kandidatëve të parë për kryeministër, me 146,763 vota.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka marrë vetëm 75,917, pak vota më shumë se deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca.

Ndërkaq, Fatmir Limaj, partia e së cilit në bazë të rezultateve përfundimtare të KQZ-së, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor, ka marrë 26,014 vota.

Legjislatura VII, nuk do të këtë deputetë të disa legjislaturave të kaluara.

Xhavit Haliti i PDK-së, Ismet Beqiri i LDK-së, Sami Kurteshi i VV-së, e të tjerë kanë dështuar të bëhen deputetë.

Ndërkohë, deputetja më e re në moshë do të jetë Fjolla Ujkani nga Vetëvendosje.

Kjo parti ka siguruar 32 ulëse në Kuvend, LDK-ja 29, PDK-ja 25 deputetë. Ndërkaq AAK-ja së bashku me PSD-në, kanë marrë 14 ulëse në Kuvend.

Përveç Natyra Kuçit të PSD-së, kandidatët e kësaj partie, Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, kanë dështuar të bëhen deputetë.

Madje, Dardan Sejdiu, i zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, ka dhënë dorëheqje nga funksionet partiake të PSD-së.

Kryetari aktual i Prishtinës, Ahmeti, ka marrë vetëm 5881 vota, për dallim prej para dy vitesh, kur me Vetëvendosjen fitoi 76.017 vota.

Lista Serbe ka siguruar 10 ulëse në Kuvend. Në mesin e deputetëve është edhe Ivan Todosijeviq, i cili i quajti shqiptarët terrorist dhe masakrën e Reçakut trillim, në kohën kur po udhëhiqte me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Ulëse në Kuvend ka fituar edhe Branislav Nikoliq, i cili për një periudhë ka shërbyer si këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.

Më pas, ishte shkarkuar nga presidenti, vetëm pasi është raportuar në media se ka punuar si agjent i Shërbimit Sekret Serb.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme