Haradinaj thotë se Maxhuni u dorëhoq për arsye shëndetësore, Ibishi s’e beson

Kushtrim Kadriu Kushtrim Kadriu 07 November 2019 19:11

Të mërkurën dha dorëheqje nga posti drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shpend Maxhuni, por ai ende nuk i ka dhënë arsyet e kësaj dorëheqjeje.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se Maxhuni dha dorëheqje për arsye shëndetësore, raporton KTV.

Pavarësisht se e kaluara e Shpend Maxhunit në krye të Policisë dhe AKI-së, u shoqërua me skandale të shumta, Haradinaj tha se Maxhuni ka bërë punë të mrekullueshme.

Ai ka mohuar se Maxhuni u largua shkaku i ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes.

Agjencia e Inteligjencës, aktualisht ka zëvendësdrejtor, por posti i kryeinspektorit është bosh.

Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë kundër emërimit të Shpend Maxhunit në krye të AKI-së, duke e cilësuar si person të afërt me presidentin Hashim Thaçi.

Kjo parti ia kishte kërkuar dorëheqjen Maxhunit sa ishte drejtor i Policisë së Kosovës, kur ndodhi dëbimi i 6 shtetasve turq nga Kosova.

Ndërkaq, Nuredin Ibishi nga LDK-ja, thotë se nuk e di nëse qëndron arsyetimi se Maxhuni dha dorëheqje për arsye shëndetësore. Për këtë, ka kërkuar që të deklarohet vetë ai.

Ka thënë se është shembull i keq dorëheqja e shefit të AKI-së, në kohën kur po ndërrohet qeverisja në vend.

Shpend Maxhuni u emërua drejtor i AKI-së në prill të vitit të kaluar, pasi nga kjo pozitë u shkarkua Driton Gashi, i cili udhëhiqte me Inteligjencën në kohën kur u dëbuan nga Kosova 6 shtetasit turq.

Në atë kohë, Maxhuni ishte drejtor i Policisë.

Në ditën që i shkoi në zyrë kryeministrit për t’ia deponuar dorëheqjen, Haradinaj e dekoroi me Medaljen e Skënderbeut.

Me Ligjin për AKI-në, drejtori i ri duhet të zgjidhet brenda 20 ditëve të punës, nga dita kur kjo pozitë mbetet e lirë.

Marrë parasysh procedurat e zgjedhjes së qeverisë së re, ende nuk është e qartë nëse zgjedhja e drejtorit të ri të AKI-së do të bëhet nga qeveria e ardhshme, që pritet të udhëhiqet nga VV-ja dhe LDK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme