Arbëri

Krasniqi ia numëron ngecjet MPJ-së

Besnik Krasniqi, gazetar në Kohën Ditore, në Express Intervistën në KTV ka dhënë detaje për shumë ngecje në diplomacinë kosovare.

Duke u nisur nga raportimet e vazhdueshme për mbipopullimin e Shërbimit të Jashtëm me militantë partiakë dhe kthimin e një numri të tyre me urgjencë, Krasniqi ka treguar ankesat e diplomatëve me përvojë për të cilët kjo përbën problem të madh familjar. Ai ka treguar se një nga diplomatët është ankuar në vendimin e MPJ-së për kthim urgjent në Prishtinë duke thënë se e ka gruan të sëmurë me kancer dhe largimi nga terapia në vendin ku është përbën rrezik për të. Ka përmendur edhe shkollimin e fëmijëve si një nga problemet në të cilat janë ankuar diplomatët ndaj vendimit për kthim në Kosovë.

Krasniqi ka shtuar se në vendimin që ka siguruar “nuk ka arsyetim serioz, vetëm që duhet të kthehen për nevoja të MPJ-së e më pas thuhet se sekretari do të vendosë për pozitat ku do të vendoseni”. Sipas tij, po të mos siguroheshin informatat përmes burimeve në MPJ, shumë abuzime s’do të merreshin vesh fare.

Krasniqi tutje ka përmendur edhe “problemin me karrige” duke shtuar se “edhe në misionet diplomatike ka probleme me stafin e madh, sikur në disa institucione në vend”.

Ai ka treguar se ministri në largim, Behgjet Pacolli, pas zgjedhjeve të 6 tetorit ka emëruar tre zyrtarë.

“Ligji thotë që deri në 50 për qind të shefave të misioneve diplomatike mund të jenë përmes rrugës politike, por ne jemi dëshmitarë se ky nen ligjor s’është përfillur dhe sa më kujtohet menjëherë pas zgjedhjeve Pacolli dhe presidenti kanë emëruar tre zyrtarë”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, nuk është rastësi që Kosova ka raporte të acaruara edhe me miqtë ndërkombëtarë aktualisht.

“Shërbimi i jashtëm përbën pasqyrën e një shteti në botë dhe nëse kemi këso raste, krijohet percepsion tmerrësisht i keq për vendin tuaj. Kemi pas rastin kur të afërm të politikanëve janë dërguar në misione e janë përfshirë në skandale të mëdha si rrahje, fyerje sharje ofendim e paraqitja si i dehur kanë lënduar edhe raportet. Jo rastësisht kemi raporte më të acaruara dhe sot edhe në procesin e anëtarësimit s’mund të llogarisim në mbështetjet e tyre”, ka thënë tutje ai.

Krasniqi ka përmendur edhe “defensivën” e Kosovës në diplomaci.

“Ne çka kemi parë këtë mandat është një lloj fjetje e qeverisë. Kemi parë agresivitet të Serbisë e defensivë të Kosovës që ka pasur dy qëllime të stopojë çnjohjet e eventualisht të anëtarësohet në ndonjë organizatë ndërkombëtare e s’e ka bë asnjërën. Ka pasur çnjohje e assesi s’flitet për njohje të reja e lëre më për anëtarësime, për shembull për Interpol. Kam siguruar komunikime edhe të shteteve të QUINT-it që kanë thënë të mos llogaritni në ndihmën tonë”, ka deklaruar Krasniqi. “Problemit kryesor me çnjohjet dhe mungesën e njohjeve, i ka kontribuar procesi i negociatave me Serbinë dhe qëndrimi i presidentit Thaçi që të pranojë të vërë në tavolinë të diskutimit edhe kufijtë dhe Serbia e ka shitur se s’është çështje e mbyllur e duhet të pritni përfundimin për të parë a është kjo Kosovë që e prezanton perëndimi apo një tjetër”.

Sipas Krasniqit, edhe MPJ-ja, sikur ministritë e tjera janë parë sikur pashallëqe nga partitë që i kanë udhëhequr.

Ai ka thënë se ministri në largim Pacolli e ka vënë në pikëpyetje kontributin e mëhershëm për njohjet që thoshte se i ka sjellë sa s’ka qenë ministër.

“Vihet në pikëpyetje edhe ai kontribut që e ka proklamuar sepse në këtë mandat iu dha rasti për ta treguar veten se vërtetë ka shkathtësitë për të siguruar njohje, por fatkeqësisht zoti Pacolli ka demonstruar një lojë jo shumë korrekte në diplomaci meqë kam raportuar se kur ishte zëvendëskryeministër më herët kur bënte përpjekje edhe ndoshta për ta blerë një njohje në Nigeri. E pati prezantuar si njohje e atje ishte e printuar që Kosova do të investojë 500 milionë euro nëse do ta njohim. Kurrë s’na ka njohur Nigeria”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se Kosova s’ka arritur në mandatin e fundit të afrohet as me pesë vendet e Evropës që po refuzojnë ta njohin si shtet të pavarur. Ai ka kujtuar edhe situatën e komplikuar me Çekinë kur presidenti doli hapur me idenë që të pezullohej njohja.

Ka thënë se raportet e Kosovës me SHBA-në janë degraduar duke kujtuar edhe sanksionet që SHBA-ja mori ndaj Kosovës “duke mos i dhënë vizë kryeministrit e zyrtarëve tjerë”.

“Po ashtu edhe Departamenti i Shtetit kishte thënë se nëse aplikoni e jeni kokëfortë për Interpol ju themi që dështimi do të jetë spektakolar, decitivisht kështu thotë. Prandaj nëse flasim me këto argumente mendoj që edhe raportet me SHBA-në kanë degraduar”, ka përfunduar ai.