Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.
Veseli në konferencën për media, tha se më 4 dhjetor do të udhëtojë për në Hagë.
“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t'u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë. Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit”, ka thënë Veseli.
Veseli, thotë se gjithë jetën ka qenë i angazhuar “për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë”.
“Epoka e UÇK-së është pjesa më krenare e jetës sime. Kam qenë i bekuar që isha ideator dhe njëri themeluesit e UÇK-së. Nga prilli i 99 deri në qershor të 2008-s kam udhëhequr SHIK-un. Lufta e kombit kanë qene vet jeta jonë, lufta e drejtë për liri ka qenë e sulmuar gjithmonë. Duke filluar nga UNMIK, EULEX, drejtësia vendore e tash Dhomat e Specializuara. Nuk besoj se në histori të ketë pasur një shembull të tillë edhe ky proces duhet të ketë një epilog. Jam i bindur se edhe kjo gjykate do ta vërtetojë luftën e drejta. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese”, tha Veseli dhe është larguar pa pranuar pyetje nga gazetarët, raporton KTV.
Kujtojmë se Veseli gjatë luftës ishte njohur me nofkën “Luli” e pas luftës qëndroi nën hijen e të qenit Shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.
Prokuroria Speciale, deri më tash ka ftuar për intervistim rreth 100 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë Speciale janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale, që lidhen me akuzat e ngritura në një raport të Këshillit të Evropës, më 2011.
Në këtë raport flitet për krime të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri më 2000.