Arbëri

Studentët e kolegjeve private paguajnë deri 1500 euro për praktikën në SHKSUK

Foto: Koha

Institucionet private të arsimit të lartë në Kosovë, të cilat kanë programe të studimeve në fushën e mjekësisë, duke filluar nga ky vit do të paguajnë për të gjithë studentët që do t’i mbajnë praktikën dhe ushtrimet në Shërbimin Spitalor Universitar të Kosovës (ShSKUK).

Kjo do të realizohet në bazë të një rregulloreje, të cilën e ka miratuar Bordi i ShSKUK-së më 8 tetor të këtij viti. Kjo pagesë, sipas kësaj rregulloreje, realizohet si kompensim për shërbimet profesionale që merren në ShSKUK për mentorim dhe realizohet në llogari të ShSKUK-së, si dhe kategorizohet sipas fushës së studimeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në rregullore, të cilën e ka gazeta, thuhet se për studentët e Drejtimit të infermierisë, mamisë fizioterapisë, logopedisë, laborant, psikologjisë dhe radiologjisë, të cilët e kryejnë praktikën klinike në ShSKUK, institucioni privat i arsimit të lartë duhet t’i paguajë ShSKUK-së shumën prej 150 eurosh për një student për një vit akademik.

Për studentët e Drejtimit stomatologji, të cilët i kryejnë ushtrimet dhe praktikën në ShSKUK, institucioni privat i arsimit të lartë duhet t’i paguajë ShSKUK-së shumën prej 1 mijë e 500 eurosh për një student për një vit akademik. Për studentët e Drejtimit të farmacisë, të cilët i kryejnë ushtrimet dhe praktikën në ShSKUK duhet të paguajë shumën prej 400 eurosh për një student për një vit akademik.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)