Arbëri

Abdullahu: Reciprociteti me Serbinë është i rrezikshëm, taksa të pezullohet

Foto: Koha / ilustrim

Reciprociteti me Serbinë të cilin e ka paralajmëruar Lëvizja Vetëvendosje po shihet i dëmshëm nga politikologët. Ata thonë se partitë e dala fituese duhet t’i ruajnë marrëdhëniet me SHBA-në ngase reciprocitetit është i rrezikshëm nëse zbatohet.

Duke folur për procesin e dialogut dhe taksën, polititologu Faton Abdullahu në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se SHBA-ja në mënyrë specifike kërkon të suspendohet taksa dhe të vazhdohet me dialogun.

“Të gjithë ne edhe forcat që dolën fituese në zgjedhje kërkojnë involvimin e SHBA-së, por në kohën kur pret dhe kërkon ndihmë nga SHBA-ja duhet të jesh kooperues me SHBA-në, nuk duhet në asnjë mënyrë të thuash se ne sidomos këtë thotë VV-ja se taksën do ta zëvendësojmë me reciprocitet. Reciprociteti është shumë i rrezikshëm nëse zbatohet, ndërkohë që VV-ja do që të vazhdohet me reciprocitet e jo me taksën derisa LDK-ja vazhdon me hamendësim paqartësi në këtë aspekt ngase nuk e ka guximin për të vendosur kështu apo ashtu gjë që e koklavitë edhe më shumë punën”, tha Abdullahu.

Abdullahu thot se “Nëse shkojmë me reciprocitet ne po ndërmarrim hapa shumë të gabuar”.

“Me reciprocitet ata që po e përkrahin reciprocitetin në raport me Serbinë po thonë se ne do të sillemi me Serbinë ashtu sikur sillet ajo me ne. Kjo konsideroj që është e gabuar nëse kihet parasysh fakti se SHBA-ja në mënyrë specifike, të qartë kërkojnë që ne ta suspendojmë taksën, ne nuk mund t’i themi partnerëve tjerë që le te ndalë Serbia diplomacinë agresive mandej ne e anulojmë taksën”, tha ai.

Abdullahu tha se taksa duhet të pezullohet dhe jo të zëvendësohet me reciprocitet.

“Taksa duhet të pezullohet me patjetër dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësohet me reciprocitet. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që ndihma jonë konkrete dhe më e madhe na vie nga SHBA-ja, çfarëdo qasje tjetër do të ketë efekte të vazhdueshme negative për zhvillimet kruciale në Kosovë e sidomos për ato në raport me Serbinë”, tha ai.

Image