Arbëri

Forbes: BE të jetë më e qartë me Ballkanin Perëndimor nëse kërkon të zgjerohet

Brukseli po mbledh gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor për një darkë pune, sot në mbrëmje, pas krijimit të një pengese të madhe në marrëdhëniet mes tyre pas vendimit të Bashkimit Europian për të mos hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan sot Pascale Davies e revistës së njohur amerikane të biznesit ”Forbes”.

Edhe pse nuk është zbuluar asnjë informacion mbi temat që liderët e Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bosnjës do të diskutojnë me shefen në ikje të politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, në qendër të vëmendjes së tyre do të jetë e ardhmja e Ballkanit në union.

Shpresat për një lidhje më të ngushtë u shuan më 19 tetor, kur presidenti francez, Emmanuel Macron udhëhoqi kundërshtimin për të mos hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Argumenti i tij ishte që BE i kishte boll sfidat e veta dhe se ajo nuk mund të lejonte edhe dy shtete të tjera të Ballkanit për të hyrë në bllok.

Danimarka dhe Holanda gjithashtu vendosën veton ndaj vendimit dhe së bashku me Francën thanë që korrupsioni dhe krimi i organizuar ishin ende problem në Shqipëri.

Kishte zëra në samit që thoshin se presidenti danez kishte theksuar se as Rumania dhe as Bullgaria nuk duhej të ishin anëtare për shkak të shqetësimeve të korrupsionit, sipas analistit me qendër në Bruksel, Pieter Cleppe nga grupi i ekspertëve të ”Europës së hapur”.

“Unë nuk do të befasohesha nëse më shumë anëtarë binin dakord,” shtoi ai.

Gjithashtu, shqetësimet kishin të bënin edhe me Poloninë dhe Hungarinë, që akuzohen për shkelje të parimeve demokratike dhe përpjekjet e bëra për shpëtimin e Greqisë gjatë krizës financiare.

Gabim historik

Por, presidenti në ikje i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e quajti vendimin një ”gabim historik”.

Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme dhe paralajmëroi se Kina dhe Rusia do të “mbushnin boshllëkun” që BE-ja kishte lënë.

Serbia dukej se i ka kushtuar vëmendje, pasi nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë më 25 tetor me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të presidentit Vladimir Putin.

Në një deklaratë të nënshkruar në vitin 2003 në Greqi, BE-ja tha se e shikonte Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi si kandidate të mundshme dhe premtoi se një ditë ata do të mund t’i bashkohen unionit.

Por, 16 vjet më vonë, vetëm Kroacia arriti t’i bashkohej unionit duke u bërë anëtarja e 28-të në 2013. Dhe hyrja e saj në BE nuk ka qenë e lehtë.

Ndërsa BE-ja ka thënë se gjashtë vendet e Ballkanit do të mund të anëtarësohen nëse ato do të plotësojnë kushtet e saj, e cila duket se kërkon shumë kohë.

Unioni ka ngritur pyetjen nëse Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Marrëdhëniet e dobëta midis Kosovës dhe Serbisë po pengojnë gjithashtu bisedimet e pranimit.

Maqedonia e Veriut, nga ana e saj, shkoi deri aty sa ndryshoi emrin e saj për të zgjidhur një mosmarrëveshje prej tre dekadash me Greqinë, për të cilën BE-ja la të kuptohej se pas kësaj do të fillonte bisedimet e anëtarësimit.

“Më e pakta që Bashkimi Europian i detyrohet rajonit është të jetë i drejtpërdrejtë me ne,” tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Cleppe shprehet që BE-ja duhet të jetë më e qartë në lidhje me pranimin, në vend që të bëjë premtime të cekëta.

“BE duhet të thotë atë që beson, duhet të jetë e drejtpërdrejtë qysh në fillim, por deri më tani nuk ka qenë.

Mini Schengen

Teksa shpresa që shtetet e Ballkanit të bashkohen në BE po venitet, mundësia e një “Mini Schengen” mbetet një alternativë, thotë Cleppe.

Ai argumenton se gjashtë kombet mund të nisin grupimin e tyre, i cili do të mundësojë udhëtim pa pasaporta dhe mundësi ekonomike midis kombeve.

Një alternative tjetër do të ishte lejimi i vendeve të Ballkanit për t’u anëtarësuar në Shoqatën Europiane të Tregtisë së Lirë së bashku me Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Në atë mënyrë rajoni mund të siguronte përfitimet ekonomike të BE-së duke marrë pjesë në Tregun e Unifikuar.

“Me EFTA-n dhe një Mini Shengen, BE mund të shohë nëse kjo funksionon përpara se vendet e Ballkanit të anëtarësohen në BE,” tha Cleppe.